Demokraci vendore e asfiksuar në Këlcyrë Problemet kryesore mbulimi gjeografik, gjinor dhe apatia e mbledhjeve Zbatimi i reformës vendore me ndryshimet e thella dy kolonat e saj kryesore, administrative dhe territoriale, ka krijuar mundësi të mëdha për për një demokraci vendore të fortë dhe të konsoliduar mirë në bashkitë e reja të krijuara rishtazi. Kolona e parë e kësaj reforme, forcimi administrativ i njësive të reja vendore, nis së pari nga konsolidimi i këshillave bashkiake, ose ndryshe miniparlamentet lokale, për të qënë ato më aktive dhe me përfaqësuese e interesave të banorëve. Një monitorim i funksionimit të këtyre këshillave të reja, të cilat kanë nisur të funksionojnë pas zbatimit të reformës, realizuar në kuadrin e projektit “Leviz Albania” me moton “Këshilltarët bashkiakë: Cilët janë? Sa flasin? Çfarë thonë?” ka nisur të ndihmoje për njohjen e situatës së aktivizimit të këshilltarëve ne tri bashki te jugur, Gjirokaster. Dropull dhe Kelcyre. Projekti i pagëzuar në terren “Leviz Keshilltar” ka vënë në fokus njohjen e nivelin e trajtimit të problemeve të komunitetit, përfaqësimin e zonave periferike, transparencën e vendimarrjes, diferencat gjinore dhe rolin e këshillave në mbarvajtjen e demokracisë vendore. Duke shfrytëzuar mundësitë që jep ligji 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, pak kohë më parë mundëm të vendosim kontakte për të marrë informacion dhe për të komunikuar drejtpërdrejtë me administratën e bashkisë Këlcyrë, sekretarin e këshillit bashkiak dhe të vetë antarët e këshillit bashkiak të Këlcyrës. Situata është tepër problematike. Nëpërmjet informacineve që na u vunë në dizpozicion, evidentuam tre problem kryesore në funksionimin e këshillit bashkiak; së pari dy njësi administrative janë te papërfaqesuara në këshillin bashkiak me 15 antarë, së dyti në këshillin prej 15 antarësh vetëm dy janë femra dhe e treta, nga studimi i procesverbaleve të mbledhjeve të këtij këshilli me 15 antarë marrin flakën dhe flasin mesatarisht vetëm dy këshilltarë, diskutimet e tjera u përkasin relatoreve, kryetarit të bashkisë dhe kryetarit të këshillit. Në bashkinë e Këlcyrës janë të regjistruar 9,784 votues, të cilët kishin të drejtën e votës gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, të 21 qershorit 2015. Sipas statistikave të KQZ, vetëm 4,885 votues, (shprehur në përqindje, 49.93% e zgjedhësve të regjistruar) shkuan dhe votuan gjithsej në këto zgjedhje ne Këlcyrë. Pra, përfaqësimi i komuniteteve në këtë bashki të re, me këtë pjesmarrje të ulët, qysh në votim ka marrë goditjen e parë. Përfaqësimi zbehet më tej nga cilësia e aktivizimit të të zgjedhurve tek të cilët është deleguar e drejta e përfaqësimit dhe vetqeverisjes e banorëve, të cilët sipas Censusit të vitit 2011, krejt bashkia e re Këlcyrë ka një popullsi prej 6.113 banorësh, por që sipas Regjistrit Civil, numërohen 12.468 banorë. Edhe pse bashkia e re e Këlcyrës shtrihet në një sipërfaqe prej 304.65 km2, me një densitet prej 40.92 banorë/km2, me 4 njësi administrative, (Këlcyrë, Ballaban, Sukë dhe Dishnicë), duke patur nën administrimin një qytet dhe 48 fshatra, përfaqësimi gjeografik i zgjedhësve lë shumë për të dëshiruar. Dy njësi administrative të bashkisë Këlcyrë nuk kanëfare këshilltarë në këshillin bashkiak duke lënë të papërfaqësuar 18 fshatrat e njësive administrative Sukë dhe Ballaban. Konkretisht mbeten të papërfaqësuar banorët e fshatrave: Ballaban, Vinokash, Vinokash Fushë, Komarak, Mazhar, Kondas, Psar, Ball, Kajcë, Pavar, Toshkëz, Bubës 1, Bubës 2, Beqaraj, në njësinë administrative Ballaban dhe Sukë, Goricë Fshat i Ri, Rodenjë, Podgoran, Podgoran Fushë, Ujmirë, Zhepovë, Shelq, Topojan, Luar, Delilaj, Çorogunj, Taroninë. Këshilli bashkiak i Këlcyrës me gjithësejt 15 këshilltarë të votuar nga zgjedhësit e katër njësive administrative. mbetet mjaft i mangët edhe në aspektin e përfaqësimit gjinor, sepse janë vetëm dy femra antare të këtij këshilli, ndërkohë që femrat në komunitetin e banorëve të bashkisë së re kapin pak më shumë se 60 % të numrit të popullsisë. A mund të bëhet fjalë për përfaqësim gjinor në këtë raport minimal të prezences së tyre në vendimarrje? Një tregues tjetër i përfaqësimit dhe nivelit dhe cilësisë së demokracisë vendore është edhe pjesëmarrja dhe cilësia e aktivizimit me diskutime, debate, propozime dhe rekomandime i të zgjedhurve në mbledhje të këshillit i antarëve të zgjedhur nga populli me votim. Në këshillin bashkiak forcë e parë politike është LSI me 4 këshilltarë, e ndjekur nga PS me dy këshilltarë, ndërkohë që si kualicion e djathta ka të zgjedhur 4 këshilltarë. Nga një vështrim i shpejtë i procesverbaleve të mbajtura gjatë mbledhjeve të zhvilluara në tre muaj, nëntor, dhjetor 2016 dhe janar 2017, rezultoi se gjatë këtyre mbledhjeve janë shënuar mesatarisht 5 diskutime të të gjitha llojeve: relatime, sqarime proceduriale, replika, kundërreplika dhe diskutime të lira. Tre nga folësit janë gjithmonë, kryetari i këshillit, kryetari i bashkisë dhe relatori i çështjeve të shtruara të rendit të ditës. Ndërkohë që nga një analizë më e plotë rezulton që mesatarisht në çdo mbledhje të diskutojnë vetëm dy këshilltarë?! Kësisoj, përfundimisht mund të themi se përfaqësimi i banorëve të Këlcyrës, si në aspektin gjeografik, gjinor dhe cilësor është jashtëzakonisht i mangët dhe kjo situatë nëse do të vazhdojë të monitorohet më tej do të nxjerrë të shkaqet e vërteta që e bëjnë demokracinë vendore kaq të vakët dhe aspak rezultative.

Engjëll SERJANI