Përplasjet për shkak të përkatësive politike mes Kryetarit të Bashkisë së Lezhës dhe Këshillit Bashkiak kanë sjellë bllokimin e buxhetit të vitit 2017 dhe mbajnë peng mosnjohjen e kryetarëve të fshatrave nga ana e Bashkisë së Lezhës.

Pashk Gjokej është një prej kryetarëve të fshatrave, i cili është zgjedhur nga kryesia e fshatit Qendër-Kakarriq prej më shumë se 10 muajve dhe ende nuk është legjitimuar. Ai shpjegon për “Lezha e Qytetarëve” se është zgjedhur nga shumica e banorëve të fshatit, por Bashkia ende nuk e ka legjitimuar. “Nga 110 votues në fshatin tonë që kanë votuar për tre anëtarë të këshillit të fshatit, 80% e votave i kam marrë unë. Këto i kam të vërtetuara me deklarata dhe fotokopje të kartave të identitetit. Në këto kushte, unë nuk e kuptoj pse nuk legjitimohem nga Bashkia e Lezhës. Nëse ata kanë dyshime le të mblidhen sërish në fshat dhe të votojnë, pasi unë jam i hapur, por nuk duhet mbajtur peng ky proces. Emrin tim e kanë sjellë pranë njësisë administrative të Balldrenit, por vula nuk ka ardhur ende, që është një prej elementëve kryesorë të legjitimimit tim. Jam interesuar me administratorin e Njësisë, por ai nuk më ka dhënë një arsye, veçse më ka vënë në dijeni se nuk kanë ardhur dokumentet përkatëse nga Bashkia. Jam interesuar dhe pranë Bashkisë, por nuk kam marrë një përgjigje”, shpjegon Gjokej për “Lezha e Qytetarëve”.

Pashk Gjokej nuk është i vetmi kryetar fshati që është zgjedhur nga komuniteti, por e njëjta situatë paraqitet për 65 fshatrat e 10 njësive të Bashkisë Lezhë, pavarësisht se anëtarët kryesisë dhe kryetari i fshatit kanë një rol tejet të rëndësishëm për banorët e zonave që përfaqësojnë. Ligji për “Vetëqeverisjen vendore” përcakton që kryetarët e fshatrave, duhet të zgjidhen jo më vonë se 3 muaj pas konstituimit të këshillit bashkiak, ku me zbatimin e reformës territoriale, nevoja për këto struktura bëhet dhe më e rëndësishme (Ligji për Vetëqeverisjen Vendore, Neni 71).

Ngërçi i krijuar pranohet edhe nga anëtari i këshillit bashkiak, Rrok Rroku, i cili përfaqëson banorët e njësisë administrative të Dajçit. Ai deklaron se ky ngërç ka vijuar në vite dhe do të ketë dhe në të ardhmen. “Më vështirë është të zgjedhësh një kryetar fshati se një kryebashkiak sepse forma e zgjedhjes nuk është në mënyrën e duhur. Mendoj se duhet ndryshuar mënyra e zgjedhjes se ndryshe, i gjithë fshati mendon të bëhet kryetar fshati. Unë kam qenë përfaqësues në zgjedhjen e kryetarëve të fshatrave në njësinë administrative të Dajçit, mbledhjet janë bërë të rregullta, çdo lagje ka firmos, pastaj përfaqësuesit e lagjeve kanë zgjedhur kryetarin. Këto kryetarë janë miratuar nga këshilli bashkiak, por Bashkia i ka kontestuar për motive që kryesisht lidhen me përkatësitë politike. Prandaj them se forma e zgjedhjes së tyre do sjellë gjithmonë ngërç dhe ata duhen zgjedhur njëherësh me kryetarin e bashkisë”, shprehet Rrok Rroku.

Por, me gjuhë më të ashpër ka folur kryetari i këshillit bashkiak, Gjok Ndoka, i cili i përket politikisht së majtës, që ka edhe përqindjen më të lartë të këshilltarëve në bashkinë e Lezhës, ndonëse ajo drejtohet nga Partia Demokratike. Gjok Ndoka ka deklaruar këtë fillimviti për bojkot të të gjitha projekt/vendimeve që do të kërkojnë miratim nga ana e bashkisë, duke përjashtuar ndihmën ekonomike. “Bashkia ka zbatuar vetëm vendimet, të cilat i interesojnë ndërsa të tjerat i ka bllokuar”, ka deklaruar ai, duke shtuar se institucioni vendor ka rreth një vit që nuk ka shpërndarë vulat për kryetarët e fshatrave, të cilët janë njohur nga këshilli bashkiak. Kryetari i këshillit tha më tutje se fillimisht janë nxjerrë justifikime nga Bashkia se nuk është bërë prodhimi i vulave, por e vërteta qëndron në faktin se Bashkia duhet të ngrejë një komision verifikimi për nxjerrjen jashtë funksioni të vulave të vjetra dhe vënien në funksion të vulave të reja, që duhet tu shpërndahen kryetarëve të zgjedhur të fshatrave. “Në Lezhë zbatohen vetëm vendimet që i pëlqejnë Bashkisë. Ne, si forcë politike, nuk firmosim më asnjë projektvendim, pa u zbatuar vendimet që janë marrë më herët. Mbledhja bëhet vetëm për ndihmën ekonomike, nuk do kalojë asnjë vendim tjetër, madje as buxheti i këtij viti” ka deklaruar i prerë Gjok Ndoka. Sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, kryetari pajiset me vulë dhe ka autoritetin të lëshojë vërtetime për fakte e të dhëna për banorët ose territorin e fshatit të tij, për të cilat ai është në dijeni, sa herë që kjo kërkohet nga bashkia, nga vetë banorët ose nga çdo institucion tjetër.

Ndërkaq, kryetari i PD për Lezhën, Paulin Marku tha se vota e lirë është e shenjtë për ta. Sipas tij, nëse cenohet vota që në qelizën më të vogël, që është fshati, atëherë po rrënohet dhe cenohet demokracia shqiptare.

E pyetur mbi këtë çështje, Bashkia e Lezhës nuk ka dhënë asnjë deklaratë nëse do të vijojë e njëjta klimë e tensionuar, por sipas të dhënave, nga ana e tyre janë njohur disa kryetarë fshatrash, por pjesa tjetër janë në proces verifikimi, pasi ka pasur kontestime të shumta. Nga ana tjetër, Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të këshillit bashkiak që prej momentit të zgjedhjes së tij e deri më sot. Edhe nw mbledhjen e fundit tw Kwshillit Bashkiak, mw 22 dhjetor 2016, u ngrit problemi i mosprezencës së autoriteteve të bashkisë, të cilat shoqërohen me vonesa në marrjen e vendimeve siç ishin edhe ato të rendit të ditës.

Tashmë me bllokimin e miratimit të buxhetit pritet të shikohet sesi do të zgjidhet situata. Një situatë e tillë ka ndodhur edhe në vitin 2013, kur LSI u largua nga koalicioni i djathtë. Bllokimi i buxhetit mund të sjellë probleme në shumë sektorë jetësore të Lezhës, tashmë kur shumë institucione varen prej saj, si në shëndetësi, ashtu edhe në arsim, infrastrukturë apo shërbime të tjera ndaj qytetarëv të Lezhës.

Lezha e Qytetareve, projekt i financuar nga Leviz Albania

#LevizAlbania #Pefshihu

#PerNjeDemokraciTeForteVendore

#PerNjeQeverisjeVendoreCilesore

Vorë – Zbatuesit e projektit “Bordi Këshillimor Vorë“ vijojnë zbatimin e projektit të financuar nga LevizAlbania në Thirrjen e parë për Aplikime. Në kuadër të projektit, aplikanti individual Gentian Hajdari zhvilloi takimin më zyrtarë të Bashkisë Vorë, anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe Drejtoreshën e Shkollës së Mesme në këtë qytet. Të rinjtë e Bordit Rinor paraqitën përpara zyrtarëve të bashkisë disa nga shqetësimet e tyre. Një nga problemet kryesore është mungesa e një qëndre rinore në Bashkinë Vorë, e për këtë të rinjtë e Bordit Rinor, propozuan që ish-shkolla 9 vjecare në Marqinet të kthehet në qëndër rinore. Në përfundim të takimit zyrtarët e Bashkisë Vorë u dakordësuan që  jo cështje të pëfshihet në rendin e ditës në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak. Kjo mund të quhet një arritje e prekshme e projektit të financuar nga LevizAlbania për forcimin e rolit të të rinjve në vendimarrjet lokale. 

#LevizAlbania #Perfshihu #SillNdryshimin