LevizAlbania shpalli prej datës 11 Shtator deri më 29 Shtator 2017 Thirrjen e katërt për aplikime dhe ftoi organizatat e shoqërisë civile, individët dhe grupimet e tyrë të aplikojnë me koncept ide përmes tre drejtimeve:

  • Drejtimi 1: Pjesëmarrja qytetare si një element i rëndësishëm në ndikimin e prioriteteve vendore
  • Drejtimi 2: Arti dhe inovacioni si mënyra alternative për të promovuar demokracinë vendore
  • Drejtimi 3: Transparenca dhe llogaridhënia për institucione vendore të përgjegjshme ndaj qytetarëve

Në thirrjen e katërt LevizAlbania aplikoi për herë të parë formatin online të aplikimit duke krijuar një mjedis sa më lehtësues për dërgimin e koncept ideve, iniciativë që mundësoi mbërritjen e aplikimeve nga 61 bashkitë e vendit, edhe nga njësitë administrative më të largëta.

Në mbyllje të Thirrjes së katërt për aplikime, pranë LevizAlbania mbërritën 349 aplikime nga organizatat e shoqërisë civile, individët dhe grupimet e tyre. Në përfundim të procesit të vlerësimit për fazën e parë, LevizAlbania ka përzgjedhur me objektivitet dhe në përputhshmëri të plotë me drejtimet e thirrjes, 98 koncept ide për të kaluar në fazën e “Konkursit të Ideve”, përkatësisht 43 koncept ide në kategorinë e individëve dhe 55 koncept ide nga organizatat e shoqërisë civile.

Koncept idetë e kualifikuara për këtë fazë do të paraqiten nga aplikantët përpara Bordit të Granteve në tre “Konkurset e Ideve” që do të zhvillohen në:

  • 16 Nëntor 2017 – ora 09.00 në qytetin e Durrësit në “Hotel Palace”
  • 22 Nëntor 2017 – ora 09.30 në qytetin e Kukësit në “Hotel Amerika”
  • 23 Nëntor 2017 – ora 10.00 në qytetin e Beratit në “Hotel Grand White City”

Aplikantët e kualifikuar për fazën e “Konkursit të Ideve” do të prezantojnë dhe mbrojnë përpara Bordit të Granteve iniciativat apo ndërhyrjet e propozuara prej tyre. Në përfundim, Bordi i Granteve në prani edhe të përfaqësuesit të Ambasadës Zvicerane në Shqipëri do të shpallë publikisht koncept idetë që do të kalojnë në fazën pasardhëse të hartimit të projekt propozimit të plotë, projekte që do të marrin miratimin final nga Bordi i Granteve.

LevizAlbania përgjatë “Konkurseve të Ideve“ do të sigurojë një proces transparent, publik dhe me vizibilitet në mediat lokale dhe rrjetet sociale të projektit, në mënyrë që komunitetet të informohen mbi përpjekjet e Organizatave të Shoqërisë Civile apo individëve për përmirësimin e demokracisë vendore dhe cilësinë e qeverisjes lokale në zonat e tyre.

LevizAlbania është një projekt i financuar nga Qeveria Zvicerane përmes “Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim“ dhe zbatohet nga konsorciumi i tre organizatave të suksesshme shqiptare si “Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, “Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim” dhe “Co-Plan”.


Më poshtë gjeni listat e koncept ideve (OJF & individë) të kualifikuar për “Konkurset e Ideve”:

  1. Organizat Jo Fitimprurëse të kualifikuara për Konkursin e Ideve
  2. Individët e kualifikuar për Konkursin e Ideve

#LevizAlbania #LevizPërDemokracinëVendore #Angazhohu #SillNdryshimin