Nga Lutfi Dervishi

Ai lutej Zotit çdo ditë, që nga e hëna deri të shtunën, të ishte fitues i lotarisë se kishte mbetur pa shtëpi. Sa më shumë afrohej e diela, aq më shumë shtoheshin orët e lutjes! Të dielën gjatë ëndrrës së mëngjesit, Zoti i thotë: ti do ta fitosh lotarinë, por ngrihu tani dhe blej një biletë.

Kjo anekdotë mund të ilustrojë deri diku, raportin e gazetarëve/qytetarëve me dokumentet zyrtare.

Ligji ja njeh të drejtën kujtdo të marrë dokumente zyrtare, pak kush përpiqet të provojë të kërkojë një shkresë nga zyrat.

Jo pa arsye!

Në mentalitetin e burokratit shqiptar, por jo vetëm, është ngulitur që letrat duhen ruajtur fort. Të mbyllen në dosje që të mos i shoh kush përveç shefit, nëse i kërkon. Shkresat duhet të  futen në sirtar me çelës dhe në rastin ideal të futen në kasafortë dhe kodin ta di vetëm ai- gardiani dokumenteve.

Mentaliteti i rojës së letrave e shkresave ka zënë rrënjë dhe nuk është e lehtë të shqitet.

Edhe tradita në raport me ligjin nuk është shumë pozitive.

Shqipëria ishte vendi parë në rajon që miratoi ligjin për të drejtën e publikut për të marrë dokumente zyrtare që në 30 qershor 1999. Për fat të keq, gjatë 15 vjetëve jetë, ky ligj më shumë mbeti në letër se nxorri letra nga zyrat shtetërore.

Afati 40 ditë për kthimin e përgjigjes, lëvizjet  në administratë pas çdo rotacioni politik, gjyqësori ngadaltë, janë disa prej preteksteve që ligji nuk funksionoi.

Me dështimin e këtij ligji ra edhe miti se ligjet i bëjmë të mira, të standardeve europiane, por i zbatojmë me standarde ballkanike. Ky ligj ishte shkruar keq dhe zbatimi tij të kujton përpjekjet e njeriut që merr shatin dhe prashit në det!

Praktika e një shteti/administrate që nuk mban dokumentet për vete nuk është e konsoliduar edhe gjetkë. Defi në vitin 1990, vetëm 13 shtete në të gjithë rruzullin kishin ligj për të drejtën e aksesit të publikut me dokumente zyrtare. Sot janë mbi 100 shtete. Që nga viti 2008, ka një rezolute te Këshillit të Europës, që detyron vendet anëtare të miratojnë ligj për aksesin e informacionit!

Ligji i ri, i miratuar 15 vjet më vonë, në shtator të 2014 jep shpresa për zbatim edhe pse  të përbashkët me ligjin e vjetër ka vetëm titullin.

Ka disa arsye që të bëjnë optimist se ligji i ri, nuk do të ketë fatin e të vjetrit.

Afati kthimit të përgjigjes tashmë është maksimumi 10 ditë,

Institucionet shtetërore dhe kompanitë publike janë të detyruara të bëjnë publik ‘programin e transparencës’,

Ka  ndëshkime me gjobë për zyrtarë dhe drejtues institucioni që nuk kthen përgjigje dhe qytetari mund të kërkojë dëmshpërblim në gjykatë për mos dhënie dokumentesh!

Institucionet, pa e kërkuar askush, janë  të detyruar të bëjnë publik pothuaj gjithçka: tenderat, kontratat e lidhura, ecurinë e tyre, raportet e kontrollit, pagat dhe cv e funksionarëve.

Sipas ligjit, çdo institucion publik duhet të caktojë një punonjës që bën detyrën e koordinatorit të informimit. Në adresën www.pyetshtetin.al është lista e kontakteve për institucionet në nivel qendror/lokal dhe për kompanitë publike, formate të gatshme se si bëhet kërkesa për dokumente zyrtare dhe adresën për t’u ankuar te komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale në rast mos marrje përgjigje nga institucioni.

Në kushtet kur çdo gjë duket se është qepur jo vetëm për tu dukur mirë, por edhe për të funksionuar siç duhet mbetet vetëm vënia në provë e zyrtarëve nga gazetarët, gazetarët qytetarë dhe çdo qytetar.

Çdokush ka të drejtë të kërkojë letra zyrtare pa dhënë shpjegim përse i duhen! Atëherë çfarë mungon?

Ligjvënësit kanë miratuar një ligj të mirë, por edhe në këtë rast si rregull, mungojnë fondet për ta bërë funksional, fonde për informim, ndërgjegjësim dhe për trajnim.

Për t’u shënuar është se për të bërë ligjin nga e para kanë këmbëngulin fort aktorë të shoqërisë civile.

Lëviz Albania, një lëvizje që synon gjallërimin e demokracisë lokale ka mbështetur individë, media dhe organizata në të gjithë Shqipërinë për të testuar sa e njohin dhe sa e zbatojnë ligjin administrata.

Në kulmin e debatit për kopshtin për fëmijë tek parku liqenit artificial në Tiranë, më media u botua projekti fillestar ku ishte planifikuar një ‘grand caffe’. Si ra në dorë të gazetarëve të BIRN kopja e projektit? Thjesht. Bazuar në ligjin 119/2014 ju bë një kërkesë Bashkisë dhe bashkia “dorëzoi” kopjen e projektit.

Një gazetar i ri bën kërkesë në një qytet të vogël për prerjen e pyjeve. Reagimi parë: nuk ja fërshëllen njeri. Pas ankesës, dhe paralajmërimit që merr bashkia për gjobë, vetë zyrtarët vihen në kërkim të djaloshit dhe i vënë në dispozicion më shumë dokumente seç kërkoi.

Këto janë shembuj të paktë, por sinjale që tregojnë se nëse tentohet – mund të arrihet ajo që duket e pamundur.

Ky ligj nuk ‘vlen’ për gazetarinë e përditshme, por është i pazëvendësueshëm për gazetarinë investigative. Një gazetari e keqe shkon me këmbët e veta në dyert e gjykatës. Gazetarët që bërtasin se po na hedhin në gjyq, si rregull nuk kanë asnjë dokument në dorë.

Por ligji nuk është bërë për gazetarët, por për çdo qytetar.

Shteti dhe administrata nuk duhet të funksionojnë si lotari kombëtare kur vjen puna tek “dorëzimi” dokumenteve zyrtare, ku fituesit janë të paktë dhe rastësor.

Ideja që shkresat nuk janë pronë e zyrtarëve, por e kujtdo është novatore- zbatimi në praktikë nuk do të jetë pa pengesa, por vetë mendimi që ajo që ti firmos një ditë bëhet publike i bën mirë kujtdo, si atij që firmos për tendera, koncesione, prokurime, ashtu edhe atij zyrtari që thjesht mban shënim procesverbalin e mbledhjes.

Sa më shumë të ndjejnë presion zyrat aq më mirë përdoren taksat e të gjithëve ne!

Shkruar për SYRI.net