Në datë 8 janar 2016 u zhvillua në Shkodër ceremonia e hapjes zyrtare të projektit LevizAlbania – Demokracia Lokale në Veprim. LAl është një projekti i financuar nga Konfederata Zvicerane që synon forcimin e demokracisë vendore.

Në fjalën e tij të hapjes, Z. Andi Dobrushi, Drejtuesi Ekzekutiv i OSFA, në emër të konsorciumit zbatues të projektit (Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Co-PLAN dhe Partnerët Shqipëri) theksoi se LevizAlbania synon që të nxisë kërkesën për llogaridhënie nga qytetarët që të mund të sjellin ndryshime pozitive në komunitetet ku ata jetojnë.
Në këtë aktivitet ishte pjesëmarrës edhe Ambasadori i Zvicrës, z. Christoph Graf. “ Demokracia fillon në nivel vendor, në qytetet, fshatrat dhe lagjet tona. Një demokraci e shëndetshme kërkon ushtrimin e mekanizmave të kontrollit apo të presionit për të gjetur zgjidhje”– theksoi Ambasadori Graf në fjalën e tij. “Ka ardhur koha për organizatat e shoqërise civile shqiptare dhe grupet qytetare të largohen nga pozitat e apatisë, të ankesave nëpër kafene ose vetëm pjesëmarrjes nëpër salla konferencash. Kur qytetarët e çdo fshati, komuniteti ose rajoni gjejnë mënyra për tu shprehur ose ndjejnë që zëri i tyre dëgjohet nga autoritetet, atëhere mund të themi që demokracia funksionon”.

Zëvendës Kryeministri Niko Peleshi, cilësoi se transparenca dhe aksese në vendimmarrje të publikut janë shtylla të demokracisë vendore për mbështeten nismave të përbashkëta të shoqërisë civile dhe bashkive te reja.

Aktiviteti u përshëndet edhe nga Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Znj. Voltana Ademi, e cila vlerësoi rolin e shoqërisë civile për Bashkinë e Shkodrës. “ Bashkia e ka kthyer në prioritet mbështetjen dhe partneritetin me organizatat në nivel vendor për nje vendimarrje dhe demokraci vendore më të mirë. Sic mu referua edhe nga ekipi i LevizAlbania, është një lajm i mirë që LevizAlbania ka marrë shumë aplikimi nga/për Shkodrën”.

Në këtë aktivitet u nënshkrua edhe Marrëveshja Dypalëshe ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërise dhe Konfederatës Zvicerane për projektin, dhe morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë, intelektualë, aktivist dhe përfaqësues të pushtetit vendor.