LevizAlbania është projekt që synon të forcojë demokracinë vendore në Shqipëri përmes angazhimit të aktorëve të shoqërisë civile dhe individëve si kampionë të demokracisë për një qeverisje vendore cilësore. 

LevizAlbania mbështet demokracinë vendore në të gjithë vendin nëpërmjet kultivimit të një shoqërie civile me bazë në komunitet, që ka ndikim dhe nxit kërkesën për qeverisje vendore cilësore nëpërmjet:

·         Vendimmarrjes gjithëpërfshirëse

·         Mbikqyrjes së qeverisjes vendore

·         Transparencës

·         Përgjegjshmërisë

·         Lllogaridhënies

·         Monitorimit të ofrimit të shërbimeve publike

 

Mbështetja Emergjente është një tjetër instrument i rëndësishëm i projektit LevizAlbania, përmes të cilit financohen nisma të shoqërisë civile dhe individëve të lidhura me kauza ose çështje emergjente që rrezikojnë të asimilohen prej faktorit kohë. Mbështetja Emergjente është një mundësi për t’iu përgjigjur nevojës për ndërhyrje përmes aksioneve civile, duke u shqyrtuar me procedurë të thjeshtësuar dhe  brenda një kohe të shkurtër, me qëllimin për t’iu përgjigjur në kohë interesit të kauzës ose çështjes emergjente.  

Gjithashtu, LevizAlbania ndërmerr projekte strategjike dhe veprimtari advokacie në nivel kombëtar për të mundësuar krjimin e një mjedisi të favorshëm për një demokraci vendore më të mire dhe të qëndrueshme. 

 Projekti LevizAlbania financohet nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe zbatohet nga konsorciumi i tre organizatave shqiptare të suksesshme, "Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë", "Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim" dhe "Co-Plan".

Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC)

Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), e përfaqësuar nga Ambasada e Zvicrës, mbështet forcimin e qeverisjes vendore, demokratizimin dhe decentralizimin në Shqipëri. Synimi është që qytetarët e të gjitha shtresave të marrin shërbime më të mira. SDC është një nga donatorët kryesorë në Shqipëri në fushën e qeverisjes vendore. Përmes “LevizAlbania” SDC synonë të nxisë dhe angazhojë shoqërinë civile për të luajtur një rol më aktiv në përmirësimin e qeverisjes vendore.

KONSORCIUMI QË ZBATON PROJEKTIN “LEVIZALBANIA”

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë

Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë  ka qenë donatori më i madh në Shqipëri qysh nga tranzicionit i vendit nga sistemi i sundimit të një partie. Që nga viti 1994, janë disbursuar dhe menaxhuar mbi 9,000 grante lokale për shoqërinë civile dhe institucionet publike, duke arritur një shumë prej 47 milionë Euro. Përveç dhënies së granteve, është angazhuar në punë avokacie të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në nivel kombëtar dhe vendor dhe ndërvepron me të gjithë spektrin e medias së vendit.

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim ka qenë një aktor kryesues qytetar që nga viti 2001, duke u specializuar në krijimin e kapaciteteve të shoqërisë civile, dhe në zhvillimin dhe angazhimin e zgjedhësve (për shembull, të rinjve dhe grave). Ai ka punuar gjerësisht në nivel vendor, duke përfshirë edhe futjen në Shqipëri të konceptit novator të konkurseve të ideve. Ai ka qenë në krye të përpjekjeve për të krijuar një mjedis më të favorshëm mundësues për organizatat e shoqërisë civile shqiptare.

Co-PLAN

Ka punuar gjerësisht që nga 1997 për reformën e qeverisjen vendore dhe për programet e llogaridhënies. Organizata ka përvojë të madhe në planifikimin dhe buxhetimin me pjesëmarrje, menaxhimin e financave vendore, mekanizmat e reformimit urban dhe të transparencës. Ajo mbart me vete aftësinë për të kuptuar dhe për t’u përçuar grupeve të qytetarëve mekanizmin e brendshëm dhe funksionimin e qeverisjes vendore. Kjo i bën asaj të mundur që të lidhë në mënyrën më të mirë ofertën me kërkesën në qasjet e ndërhyrjeve të saj.