Gjenevë - LevizAlbania zhvilloi një vizitë zyrtare në Kantonin e Gjenevës në Zvicër. Qëllimi i vizitës ishtë studimi dhe njohja nga afër e historive të suksesit nga institucionet e qeverisjes vendore në Gjenevë, por edhe mbi modelet e aksionit të gjeneruar nga qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile.

Delegacioni nga Shqipëria përbëhej nga Drejtori i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Z. Andi Dobrushi, Znj. Juliana Hoxha, Drejtore Ekzekutive e Parterëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, Z.Dritan Shutina Drejtor Ekzekutiv i CO-Plan dhe Znj. Valbona Kuko, Drejtore Ekzekutive e projektit LevizAlbania.

Delegacioni nga Tirana u prit në një takim shumë frytëdhënës nga Kryetari i Bashkisë së Gjenevës, Z. Remi Pagany, i cili më 1 Qershor 2017 ka marrë detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Kantonit të Gjenevës.

Takimi u foksua në shkëmbimin e ndërsjelltë të eksperiencave, sidomos në modelin e suksesshëm të organizimit të peticioneve dhe referendumeve lokale, për të cilat Zvicra njihet si histori suksesi. Modeli zviceran i përdorimit të peticioneve dhe referendumeve që iniciohen nga nismat qytetare në raport me politikat vendore, investimet, transprarenca, llogaridhënia dhe përfshirja qytetare në vendimmarrjet vendore ka ndikuar drejtpërdrejtë në cilësinë e qeverisjes lokale. 

Kryetari i Bashkisë Z. Pagany paraqiti përpara delegacionit të LevizAlbania shëmbullin e tij konkret se si përmes angazhimit qytetar duke u mbështetur në të drejat që ligji i garanton, përpara se të merrte detyrën e kryebashkiakut, sëbashku me qytetarët e një zone në Gjenevë, arritën të transformonin një shesh të pashfrytëzuar dhe pamirëmbajtur në një shesh që sot përshkohet dhe shfrytëzohet nga 18 mijë banorë, vetëm duke shfrytëzuar mundësinë e peticionit dhe nismave qytetare. “Projektet pasi hartohen shfaqen on-line për të marrë gjykimin e banoreve, ata më pas vendosin për ta pranuar ose jo. Në rast se ka kundërshti, banorët nisin rrugën e kontestimit dhe Këshilli Bashkiak duhet të shqyrtojë vendimin e tyre”, shpjegoi Z.Pagany mënyrën e funksionimit të peticioneve në Kantonin e Gjenevës.

Kryebashkiaku i Gjenevës shpjegoi se referendumet në Zvicër kanë lindur për të luftuar korrupsionin dhe më pas nisën të aplikohen si një e drejtë e qytetarëve për të vendosur mbi vendimmarrjet lokale. “Unë nuk mund të favorizoj për punët e qytetit një apo dy kompani, sepse qytetarët përmes të drejtës që i garanton ligji për peticionet më bllokojnë punimet, e nëse më bllokojnë punimet unë nuk do të mund të zbatoj detyrën time”, tha ai.

Drejtuesi i Konsorciumit që zbaton projektin LevizAlbania bëri një pasqyrë të  arritjeve dhe sfidave të projektit që synon të forcojë demokracinë vendore përmes angazhimit të aktorëve të shoqërisë civile dhe individëve për më shumë transparencë, llogardhënie dhe pjesëmarrje qytetare në vendimarrjet lokale. “Eksperinca e zvicerane e zhvillimit të nismave qytetare përmes peticioneve dhe referendumeve është një model për të cilin qeverisja vendore në Shqipëri ka shumë nevojë. Roli i qytetarit në proceset vendimarrëse dhe në rritjen e transparencës së të zgjedhurve vendorë është një instrument që projekti LevizAlbania e ka në fokusin e tij kryesor”, deklaroi Z. Dobrushi.

Ekipi i LevizAlbania zhvilloi gjithashtu një takim me drejtuesit e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në qytetin e Bernës, e cila financon dhe projektin për demokracinë vendore “LevizAlbania”. Anetarët e Konsorciumit të LevizAlbania prezantuan eksperiencën e organizatave të tyre (OSFA, Partners Albania & Co-Plan) në sektorët që operojnë prej shumë vitesh. Ata vleresuan maksimalisht se bashkimi i ekspertizës së tre organizatave në zbatimin e projektit LevizAlbania është një histori suksesi dhe ka nisur të japë efeket konkrete.

Gjatë takimit me drejtuesit e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Drejtoresha e LevizAlbania Znj.Valbona Kuko prezantoi arritjet e deritanishme të nismave të shoqërisë civile dhe individëve të mbështetura nga LevizAlbania që synojnë të forcojnë demokracinë lokale dhe rrisin cilësinë e qeverisjes vendore në të gjithë territorin e Shqipërisë.