Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu” kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për çeljen e Klinikës Ligjore pranë këtij institucioni arsimor. Projekti që mbështetet nga LevizAlbania dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, krijon qendrën e specializuar e cila do të ofrojë ndihmë juridike falas dhe shërbime të drejtpërdrejta për të gjithë qytetarët.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes midis Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe Universtit “Aleksandër Moisiu”, ishte e pranishme Drejtoresha Ekzekutive e projektit LevizAlbania Znj.Valbona Kuko, përfaqësuesi i Ambasadës së Zvicrës Z.Sokol Haxhiu, Rektorja e Universitetit Znj.Kseanela Sotirofski, Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike dhe Ligjore, Z. Andon Kume, pedagogë dhe studentë të juridikut.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Drejtoresha e LevizAlbania, Znj. Kuko, duke e vlerësuar tepër të rëndësishme dhe nevojshme nismën e “Klinikave Ligjore”, të zbatuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, theksoi se klinka e Durrësit është e dyta që po hapet në kuadër të mbështetjes së dhënë nga LevizAlbania dhe e katërta në total që fondacioni ka ngritur në mbarë vendin, për t’i ofruar asistencë dhe ndihmë ligjore qytetarëve.

“Pa frikë do ta cilësoja klinikën një aset për studentët e Universitetit, për qytetarët e Durrësit dhe sigurisht të gjithë ata qytetarë apo organizata që janë në nevojë permanente për këshilla ligjore por që pamundësia ekonomike ia ka renduar edhe më shumë barrën e problemeve të pazgjidhura. Nëpëmrjet klinikave ligjore do të garantohet që në të gjithë territorin e vendit të ofrohet ndihmë juridike falas për litigimin e çështjeve me interes publik si dhe nga ana tjetër do të realiziohet aftësimi në praktikë i studentëve të drejtësisë” – tha znj. Kuko

Nga ana e tij, Dekani i Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit, Z. Andon Kume shprehu mirënjohen për mundësinë që Fondacioni Shoqëria e Hapur dhe LevizAlbania po i krijojnë studentëve dhe universitetit. “Hapja e Klinikës Ligjore ka qenë një objektiv i rëndësishëm dhe një domosdoshmëri për ngritjen e kapaciteteve të studentëve. Deri dje ka qenë e pamundur për shkak të mungesës së fondeve, përtej deshirës sonë”, - u shpreh Z. Kume.

Përfaqësuesi i Ambasadës Zvicerane Z. Sokol Haxhiu, u ndal tek mbështetja e qeverisë zvicerane, e cila përmes projektit LevizAlbania, mbështetjen e saj për nismat që garantojnë barazi dhe drejtësi për qytetarët e ka shpërndarë në pothuajse të gjithë territorin e vendit tonë. “Klinikat Ligjore i kemi vleresuar të rëndësishme dhe kemi shprehur mbështetjen për krijimin e tyre pa hezitim. Duam që përmes kësaj mbështetje përvec ndihmesës së qytetarëve në nevojë të krijojmë një histori suksesi edhe në përgatitjen profesionale të studentëve të rinj të drejtësisë”, - tha ai.

Në kuadër të mbështetjes së LevizAlbania, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë ka hapur “Klinika e Ligjit” në qytetin e Durrësit dhe të Shkodrës.

#LevizAlbania #FondacioniShoqeriaEHapurPerShqiperine #KlinkatLigjore #AsistenceLigjoreFalas #UniversitetiDurresit