Lëviz Albania

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

Durrësi jo miqësor me çiklistët, mungojnë korsitë

Durrësi jo miqësor me çiklistët, mungojnë korsitë

Durrësi është një nga qytetet më pak miqësorë për të apasionuarit e biçikletave. Edhe pse ka ndërtuar dy korsi të tilla, ato kanë shumë probleme, ndërkohë që jeta dhe shëndeti i çiklistëve mbeten në rrezik, pasi vetëm në vitin 2020 janë regjistruar 19 aksidente nga makinat me pasoja të rënda për drejtuesit e biçikletave.

Porta Vendore i ka dedikuar çështjes së korsive të biçikletave në Durrës dhe aktivizmit të qytetarëve të lidhur me to një sërë shkrimesh. Vetem 3 muaj më parë, një protestë qytetare u organizua në Durrës, ku aktivistët kërkonin ndërtimin e korsive nëpër rrugët e rikonstruktuara, dhe më shumë transparencë për investimet.

“Makinat më kanë përplasur dy herë. Kam përplasur një këmbësor. Jam përplasur me dyert e hapura të automjeteve. Jam rrëzuar disa herë nga biçikleta, pasi trotuaret janë të rrëshkitshme”, këto janë një pjesë nga përjetimet e disa çiklistëve në qytetin e Durrësit, të cilët përballen çdo ditë me vështirësinë e pedalimit në rrugë për shkak të mungesës së pistave të dedikuara.

2
Një qytetar që lëviz me biçikletë në rrugën mes xhamisë dhe Bashkisë Durrës. Foto: M. Dushi

Qyteti bregdetar ka vetëm dy korsi për lëvizjen me biçikletë. Por edhe këto të dyja, nuk janë të mjaftueshme për çiklistët dhe kanë disa probleme. Sipas tyre, në këto dy korsi, lëvizin këmbësorë, duke bllokuar edhe hapësirën e vetme të dedikuar për biçikletat. Një korsi është ndërtuar pranë rrugës së Portit të Durrësit, ndërsa korsia e dytë nis nga Ura e Dajlanit deri në Plepa.

3
Korsia e biçikletave e ndërtuar me pllaka, në aksin rrugor Ura e Dajlanit-Plepa. Foto: M. Dushi
4
Korsia e biçikletave te rruga pranë Portit të Durrësit, e cila përdoret për shëtitje nga këmbësorët. Foto: M. Dushi

Në të dyja pistat, ka të vendosura vetëm sinjalistika rrugore vertikale, dhe mungojnë sinjalistikat horizontale. Porta Vendore ka bërë një vëzhgim në disa akse kryesore të qytetit të Durrësit, dhe është konstatuar se durrsakët janë dashamirës ndaj biçikletave, por rrugët nuk janë shumë miqësore.

5
Një i moshuar i cili lëviz më biçikletë afër Spitalit të Durrësit. Foto: M.Dushi

Në mungesë të korsive, çiklistët të moshave të ndryshme duke filluar nga fëmijë deri te të moshuarit, lëvizin me biçikletë në rrugë të makinave apo në trotuare. Në të dyja rastet lëvizja është e rrezikshme. Çiklistët mund të përplasen me automjete nëse lëvizin në rrugë të makinave apo mund të aksidentohen me këmbësorë nëse lëvizin në trotuare. Qarkullimi i çiklistëve në rrugë të makinave mund të jetë më problematike në segmentet rrugore të ngushta, me një korsi vajte dhe me një korsi ardhje. Në të tilla situata, çiklistët mundohen të lëvizin anash rrugës, por kjo problematikë theksohet më shumë kur në të dyja akset, ka të parkuara edhe makina.

6
Rruga “Marta Buda”. Dy fëmijë me çantë në shpinë të cilët ikin në shkollë me biçikletë në mëngjes. Foto: M. Dushi
7
Një qytetar që lëviz me biçiklete pranë rrugës afër pranë stacionit të trenit, “Lulishtja 2”. Foto: M. Dushi

Pedalimi i çiklistëve në rrugë ka bërë që shpesh herë të ndodhin aksidente duke patur pasoja në jetë njerëzisht apo në aspektin shëndetësor. “Porta Vendore” i ka dërguar një kërkesë për informim Policisë së Durrësit se sa është numri i çiklistëve që janë aksidentuar nga makinat gjatë vitit 2020. Sipas policisë, gjatë vitit që lamë pas, në qytetin bregdetar, janë bërë 19 aksidente biçikletë-automjet. “Në total gjatë vitit 2020 kanë ndodhur 19 raste aksidentesh biçikletë-automjet, 4 raste kanë qenë me pasojë vdekjen; 6 raste kanë qenë me 6 persona të plagosur rëndë; 9 raste kanë qenë me 9 persona të plagosur lehtë”, njofton Policia Durrës.

Por theksojmë se këto shifra janë për ato aksidente ku policia është njoftuar. Por sipas çiklistëve, një pjesë e aksidenteve nuk raportohen nga të lënduarit tek policia, pasi pasojat mund të kenë qenë të lehta, që do të thotë që shifrat reale të aksidenteve janë më të mëdha se ato që raportohen zyrtarisht. Kjo konfirmohet edhe nga 35-vjeçari Klaudio Hyseni, aktivist i Lëvizjes Bicycle Durrësit BYC, i cili ka treguar për “Porta Vendore” se është aksidentuar dy herë nga automjetet, me pasoja të lehta për atë, por drejtuesit e mjeteve janë larguar nga vendi i ngjarjes sikur nuk ndodhi asnjë gjë. “Kam mbi 10 vjet që përdor biçikletën në qytetin e Durrësit. Jam dhe përfaqësues i një nisme botërore që bëhet në të gjitha shtetet e botës, quhet Bicycle Air, jam pjesë e Bicycle Durrës. Mungojnë korsitë e biçikletave dhe siguria në rrugë për pedaluesit. Ne kemi disa vite që i bëjmë kërkesë Bashkisë së Durrësit për më shumë korsi, sinjalistikë dhe parkingje biçikletash. Deri tani kemi parë parkingjet e biçikletave që janë bërë por mungojnë korsitë e biçikletave. Ditët e fundit janë shtruar disa rrugë në akset kryesore të qytetit të Durrësit por nuk kanë përfshirë korsitë e biçikletave. Është një zhgënjim nga institucionet vendore dhe për këtë arsye dua të kujtoj që përdoruesit e biçikletave ndikojnë në uljen e ndotjes atmosferike, në rritjen e shëndetit të qytetarëve dhe në kursimin e parave”, thotë Hyseni , teksa nuk harron të apelojë edhe në drejtim të pushtetit vendor, për të përfshirë korsitë e biçikletave dhe të mos zgjerojë trotuaret pa asnjë lloj funksioni.

Një tjetër përdoruese e biçikletës, aktivistja Livia Kreko, 25 vjeçe rrëfen për Portën Vendore, vështirësinë për të pedaluar në rrugët e qytetit të Durrësit. “Jam përdoruese e biçikletës prej 3 vitesh tashmë. E përdor biçikletën për të kryer gjërat e mia të nevojshme të përditshme. Është shumë e vështirë të lëvizësh me biçikletë në Durrës në rrugët e makinave në mungesë të korsive, sepse ti duhet të jesh gjithmonë vigjilente që të shohësh makinat në krahun tënd. Kjo për arsyen se rrugët janë shumë të ngushta që të kalojnë dy makina dhe biçikleta paralelisht. Gjithashtu edhe ecja me biçikleta në troturare është e vështirë, pasi ka shumë këmbësorë. Nuk është komode që të ecësh me biçikletë te këmbësorët, sepse rrezikon edhe njerëzit. Kam patur raste kur makinat më kanë prekur gomën e biçikletës me vetëdije të plotë, e kanë parë që unë kam qenë aty dhe ata kanë vazhduar rrugën. Kam ndaluar për të kontrollur situatën për të parandaluar ndonjë aksident të mundshëm. Por njëherë jam përplasur me një këmbësor që kaloi rrugën papritur, por pa pasoja shëndetësore, ishte një përplasje e lehtë. Incident tjetër mund të theksoj prekjen e xhamave të makinave me biçikletë. Korsia te rruga e portit, që është bërë për çiklistët, aty kalojnë vetëm këmbësorët, e prapë për ne është një sfidë sepse duhet të ecësh me kujdes dhe me një shpejtësi të reduktuar”, rrëfen ajo.

E kur vjen puna tek vështirësitë që hasin në rrugë qoftë prej ndërgjegjësimit të pakët qytetar, ashtu edhe për mungesën e infrastrukturës rrugore me korsi biçikletash, hallet e tyre duken të përbashkëta në këtë pikë. 36-vjeçari Blerim Kushi është përdorues i biçikletës prej 20 vitesh, ndërsa me ironi shprehet se Durrësi megjithëse qytet i vjetër, ka vetëm dy rrugë të dedikuara për korsitë e biçikletave.

Durrësi është një qytet i vjetër, por ka vetëm dy rrugë të dedikuara për korsitë e biçikletave, është rruga që nis nga ish banka e vjetër dhe përfundon tek Ura e Dajlanit dhe pjesa tjetër e rrugës vazhdon nga Ura e Dajlanit në Plepa. Është një rrugë që shumicën e kohës bllokohet nga makinat. Është një rrugë që nuk është komode, pasi është e shtruar me pllaka, krijon problem në rast pedalimi. Pjesa të rruga e Portit, e cila nis nga Banka e Vjeter të Ura e Dajlanit, është një rrugë e bllokuar nga këmbësorët, në shumë raste krijon problem, pasi në shumë raste janë të shoqëruar me fëmijë apo me kafshë shtëpiake, si qen, të cilët në disa raste janë agresivë dhe shpesh krijojnë probleme te çiklistët. Rrugët Durrësit janë zvogëluar tej mase, pothuajse janë bërë më dy korsi, një vajtje një ardhje. Trotuaret janë shtruar, janë zgjeruar, por pjesa më e madhe e tyre janë të bllokuara nga bizneset, të cilët nxjerrin tavolinat e tyre për përfitime personale. Trotuaret janë shtruar me një lloj pllake që janë të rrëshqitshme si për këmbësorët, por edhe për përdoruesit e biçikletave dhe kur ka prani të ujit apo lagështirës në trotuar është një problem. Unë për këto arsye shpesh jam rrëzuar nga biçikleta. Është e vështirë sepse duhet të manovrosh midis njerëzve. Shumë përdorues të mjeteve hapin dyert e makinave pa parë nëse në rrugë po kalojë biçikletat dhe kam patur raste që jam përplasur me dyert e makinave, ka raste që eci me biçikletë në rrugë për të evituar trafikun në trotuar dhe në disa raste jam aksidentuar, por për fat të mirë pa lëndime”, rrëfen Blerimi, i pasionuar pas biçikletës megjithëse siç pohon edhe vetë, qyteti ku jeton nuk është aq ftues për një lëvizjë të tillë.

Por Porta Vendore intervistoi jo vetëm njerëzit që me gjithë peripecitë dhe incidentet e ndodhura e kanë pasion lëvizjen me biçikletë, por edhe të tjerë njerëz që e shohin deri diku si pamundësi për t’i dhënë biçikletës në një qytetet kaq kaotik siç është Durrësi në këtë drejtim. Për 67-vjeçarin Sam Lopez, amerikani i cili prej 3 vitesh jeton në Shqipëri, lëvizja me biçikletë në qytetin e Durrësit është e rrezikshme dhe për këtë arsye nuk e përdor shpesh edhe pse është dashamirës i biçikletës.

 “Nuk ka korsi biçikletash në Durrës. Unë kam jetuar edhe 3 vite në Holandë. Amsterdami është i dizenjuar vetëm për biѯikletat. Nuk ka krahasim Durrësi me qytetet e shteteve të tjera në Evropë dhe në SHBA. Përdoruesit e biçikletës nuk përdorin helmetën ose kokoren e biçikletës, nuk përdorin pasqyrën e biçikletave. Një tjetër problematikë është se nuk respektohen rregullat e përparësisë, që është këmbësori, biçikleta dhe më pas makina. Nuk kam parë asnjë tabelë, sinjalistikë për biçikletat. Unë jam përdorues biçiklete, por nuk e përdor biçikletën shpesh në Durrës sepse kam frikë, është e rrezikshme të lëvizësh këtu me biçikletë. Shoferët e makinave në Shqipëri janë njësoj si drejtuesit në SHBA, që kur lëvizin me mjetin, nuk shikojnë asgjë se çfarë kanë rrotull tyre, nëse ka këmbësorë apo çiklistë”, shprehet ai për Portën Vendore.

Ai me të drejtë bën krahasimin me vende të tjera ku ka jetuar, e në këtë drejtim nuk gjen asgjë të përbashkët për fat të keq, me Durrësin ose Shqipërinë.

Duhet theksuar se 5 vite më parë, në Durrës nuk kishte asnjë korsi biçikletash. Duke u nisur nga nevojat vetjake për ndërtimin e korsive, është krijuar grupimi i qytetarëve Bicycle Durrës dhe janë pjesë e projektit “Lëviz për korsitë, pedalo i sigurt!”, financuar nga Lëviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC. Përfaqësuesit e kësaj nisme, që prej vitit 2015, i kanë kërkuar Bashkisë Durrës të ndërtojnë korsi për biçikleta, madje ata kanë paraqitur një guidë, të hartuar nga inxhinierë, se në cilat akse rrugore mund të ndërhyhet për ndërtimin e infrastrukturës çiklistike. Xheni Shtemari, drejtues i projektit “Lëviz për korsitë, pedalo i sigurt” është shprehur për Portën Vendore se pavarësisht prezantimit të guidës infrastrukturore për çiklistët, Bashkia Durrës nuk i ka përfshirë kërkesat e tyre për të krijuar korsi të reja për biçikletat, edhe pse në qytet po bëhen punime në disa akse rrugore. “Në Durrës deri në vitin 2015 infrastruktura dedikuar biçikletave ishte një koncept që nuk artikulohej nga pushteti vendor apo qytetarët. Pas 5 viteve advokim, sot Bashkia Durrës ka krijuar vend parkime dedikuar biçikletave në qytet pas protestave dhe peticioneve nga ana jonë. Qyteti sot ka dy rrugë të pajisura me korsi biçikletash, të cilat janë në një linjë dhe gati mund të quhet një e tërë, që nis në zonën e Plazhit dhe përfundon në qytet. Pas kërkesave tona bashkia realizoi një korsi të shkurtër që i lidh këto dy rrugë. Ndërsa pistat e biçikletave mbeten ende larg, pasi pushteti vendor në investimet e fundit publike pavarësisht se është mundësia teknike nuk i ka përfshirë korsitë e dedikuar biçikletave”, shprehet ai. Shtemari shton me tej se edhe në dy korsitë e ndërtuara nga bashkia pas kërkesave të vazhdueshme të Bicylce Durrës, kanë problematika. “Brenda qytetit dhe në periferi, korsitë e biçikletave nuk janë të pranishme, megjithëse shumë të nevojshme përballë aksidenteve të vazhdueshme. Sinjalistika horizontale dhe vertikale, si për shembull pranë vendkalimeve të këmbësorëve nuk ekziston dhe e vështirëson shumë lëvizjen në rrugë. Në korsitë aktuale, në zonën e Plazhit sidomos përgjatë verës është e pamundur të lëvizësh me biçikletë sepse aty kalojnë pushuesit. Mungojnë tabelat dhe vijëzimet që tregojnë se korsia është për biçikletat. Edhe korsia në rrugën përbri portit të qytetit përdoret si pistë ecje nga qytetarët, që nuk e kanë informacionin se ajo është korsi dedikuar biçikletave. Kjo në mungesë të shenjave dalluese, si vijëzimet apo kufizimet që tregojnë se ajo i dedikohet biçikletave”, vijon Xheni Shtemari.

Në Durrës është pothuajse e pamundur të lëvizësh me biçikletë. Një pjesë e mirë e anëtarëve të grupimit “Bicycle Durrës” kanë pësuar lëndime të lehta ose aksidente të rënda gjatë pedalimit. Pothuajse çdo 2 muaj raportohet një person që humb jetën si pasojë e përplasjes nga automjetet teksa lëviz me biçikletë. Korsitë e biçikletave sigurojnë jetën dhe shëndetin e përdoruesve të saj. Përmes tyre lëvizja në qytet është më e sigurt”, përfundon Xheni Shtemari, drejtues i projektit “Lëviz për korsitë, pedalo i sigurt”.

Lidhur me çështjen e korsive të biçikletave në qytet, aktivistët kanë firmosur gjithashtu një peticion ku janë mbledhur 1000 mijë firma, dhe në fund të vitit që lamë pas ia kanë dorëzuar bashkisë së bashku me guidën çiklistike duke i kërkuar kështu dhe një marrëveshje bashkëpunimi për të shtuar korsi në investimet e ardhshme. Por deri më tani aktivistët pohojnë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje lidhur me këtë, pra nëse do të futen në përdorim guidat çiklistike dhe nëse do të ketë shtim të korsive të biçikletavë nga Bashkia Durrës.

Porta Vendore pyeti gjithashtu në Bashkinë e Durrësit lidhur me situatën e korsive të biçikletave në qytet dhe investimet e mundshme që pritet të bëhen në kuadër të kësaj çështjeje.

 “Në lidhje me investimet që ka realizuar Bashkia për pista (korsi, rrugë) bicikletash, sinjalistikë horizontale,vertikale dhe vende parkimi dedikuar biçikletave. Numri i pistave të biçikletave realizuar në vitet 2010-2020 janë: 1.Korsia e biçikletave në plazh 2.Korsia e biçikletave në rrugën paralele me Portin e Durrësit 3.Pista çiklistike në L.13 .Plazh, poshtë urës së Dajlanit me gjatësi 240m dhe gjerësi 3m.Vlera e këtyre investimeve është: 1.Korsia e biçikletave në Plazh me gjatësi 4.25 km me vlerë 167 903 036 lekë (pa TVSH)2. Korsia e biçikletave në rrugën paralele me Portin e Durrësit me gjatësi 1.88 km dhe vlerë 199898.920 lekë (pa TVSH) 3.Pista çiklistike në Plazh me gjatësi 240 m, gjerësi 3m me vlerë 29.905 euro”, thotë Bashkia Durrës ndërsa thekson se : “Lista e investimeve për vende parkimi dedikuar biçikletave në vitet 2010-2020 është:1. Parkimi i biçikletave në qytet realizuar në vitin 2018 me vlerë 1.710.512 lekë (pa TVSH) 2.Parkimi i biçikletave në qytet realizuar në vitin 2017 me vlerë 235.296 lekë (pa TVSH)”, shprehet bashkia.

Durrësi nuk ka ende një plan të përgjithshëm përsa i përket infrastrukturës së dedikuar për çiklistët.

“Një plan i përgjithshëm për infrastrukturë të dedikuar për çiklistët nuk është hartuar. Shtimi i infrastrukturës së dedikuar bëhet akoma në varësi të projektit specifik (në bazë të karakteristikave të infrastrukturës, karakteristikave të zonës urbane për transformim). Zhvillimi i një plani për mobilitetin alternativ duhet të bazohet në një studim i cili vlerëson flukset e lëvizshmërisë të bazuar në shpërndarjen e aktiviteteve ekonomike, vendeve të interesit publik (ofertës) dhe shpërndarjes së banorëve në zonën territoriale (kërkesës); në përputhshmëri me rrjetin e transportit publik dhe shërbimeve të sistemit infrastrukturor. Vlerësimet e shpejta mund të sjellin në krijimin e një infrastrukture e cila nuk do të përdoret në kapacitetin e planifikuar, mos përdorimin e hapësirës publike në mënyren më efikase, duke rrezikuar kthimin e investimit në një barrë ekonomike (raporti kosto/përfitim, më pak vlefshmëri për komunitetin dhe taksapaguesit). Ju kujtojme që këto janë hapat e para të rimëkëmbjes urbane (funksionalitet dhe dekor), në hapat e mëtejshëmë procesi shtjellimit dhe aplikimit i një plani specifik të transportit është i detyrueshëm për mbarëvajtjen në zhvillimin e territorit”, sqaron bashkia.

Ndërsa në përgjigjen e saj Bashkia Durrës thekson se rikonstruktimi i akseve që po ndodh në qendrën e qytetit, përkatësisht në Rr. Egnatia dhe Rr. e Dëshmorëve nuk përfshin një infrastukturë të dedikuar për lëvizshmerinë e çiklistëve, por ofron një hapësire lëvizshmërie të përbashkët me këmbësorët.

Përdorimi masiv i biçkletës, do të reduktonte përdorimin e makinave e për pasojë do ndikonte në uljen e ndotjes globale nga gazrat e ndryshme që lëshohen në atmosferë. Një tjetër avantazh është se lëvizja me biçikletë është më ekonomike. Por përpos këtyre veçorive pozitive, më kryesorja, ndërtimi i korsive do të parandalonte shumë aksidente të mundshme si dhe mund të shpëtojë shumë jetë njerëzish të cilët ecin me biçikletë në rrugën e rrezikut, në rrugën e makinave ku këta të fundit mund të drejtojnë mjetin me një shpejtësi të lartë e për pasojë përplasjet mund të jenë të forta duke shkaktuar mundësinë edhe për fatalitete e deri në humbje jete.

Burimi: Porta Vendore (www.portavendore.al)

Street: Qemal Stafa

New Bazaar, Building No. 74, Floor 2, Tirana

+355 44 500 153