Monumentet e Kulturës po zhduken dita ditës në Tiranë, ku rezulton se vetëm në 6 vitet e fundit, 35 objekte nuk e gëzojnë më këtë status. Kryeqyteti numëron rreth 260 monumente kulture dhe pothuajse gjysma e tyre janë vila dhe banesa private, por që janë lënë në harresë, shembur ose degraduar. Të dhënat me interes të lartë për trashëgiminë kulturore janë gjetur nga grupi “Citizens Urban Stories”, që vë alarmin se shkaku kryesor i humbjes së statusit është degradimi i këtyre monumenteve.
Grupi Citizens Urban Stories (CUS), me mbështetjen e Leviz Albania ka kryer një studim të gjerë për të evidentuar gjendjen e ndërtesave “monument kulture”, sa janë shembur, sa janë dëmtuar, sa janë jashtë funksionit, sa kanë humbur statusin, sa e kanë fituar, çfarë është bërë nga ana administrative, ku janë përgjegjësitë e institucioneve, si janë të lidhura vendimmarrjet për administrimin e qytetit, apo ato në kornizë të planifikimit me dëmtimin e vilave me ose pa status mbrojtjeje?
Projekti ka marrë në studim gjashtë zona të Tiranës, konkretisht zonat si: Qendra e qytetit, Ura e Tabakëve, Rruga e Mimozave (zona mes Rrugës së Kavajës dhe Rrugës së Durrësit), Pazari i Ri, Rruga Tefta Tashko, Broduej (rruga te 15-katëshi) dhe Rruga e Dibrës.
Qendra historike, nën sulmin e ndërtimeve të reja
Këqyrja e informacioneve zyrtare për sa i përket vendimmarrjeve në nivel qendror, ka nisur nga dokumenti i vitit 2000, ku më vendimin nr.180, datë 24.04.2000 të këshillit të ministrave, qendra e Tiranës, është shpallur ‘Ansambël Monumental Historik’.
Me një sërë vendimesh të njëpasnjëshme në 2017 dhe më pas me atë të 3 tetorit 2018, qendra e Tiranës, humbi më shumë së gjysmën e sipërfaqes së saj që mbrohej sipas legjislacionit në fuqi. “Këto vendime të pakonsultura me publikun, shpesh herë kontradiktore mes tyre, cenuan objekte të rëndësisë historike dhe kulturore të kryeqytetit. Një sërë zonash dhe objektesh historike janë lënë jashtë dhe po shndërrohen shpejt në kulla shumëkatëshe”, thuhet ne raportin e CUS.
Kjo problematikë ka prekur jo vetëm qendrën historike por edhe zona të tjera tradicionale të Tiranës, të cilat kanë qenë dhe fokusi kryesor i këtij projekti. Vetëm vitin e kaluar, janë zhdukur disa vila me status ‘monument kulture’ në zonat e marra në vëzhgim nga projekti CUS, duke ia lënë vendin objekteve shumëkatëshe. Ky transformim që po i bëhet zonave të tëra në qytet, jo vetëm po dendëson duke xhentrifikuar blloqe të tëra banimi, por po zhduk pjesë të memories kolektive të qytetit duke shembur monumente me vlera historike.
Vendimi i cili ndryshoi kufirin mbrojtjes të këtij Ansambli, nuk shpalosi arsyetim shkencor se përse godina si: Teatri Kombëtar, vilat e Toptanëve – monumente kulture kategori e parë; Varri i Sulejman Pashës- monument kulture kategori e parë; Kabina e parë elektrike e qytetit-monument kulture kategori e dytë; Kulla e Sahatit të Tiranës-monument kulture kategori e parë; Stadiumi Kombëtar-monument kulture kategori e dytë, etj., u lanë jashtë kufirit të zonën e tyre të mbrojtjes. Raporti që shoqëron këtë vendimmarrje nuk është bërë asnjëherë transparent për publikun.
Vilat e Tiranës, në rrezik zhdukje
Në fondin total prej 299 objektesh me status ‘monument kulture’ në qarkun e Tiranës, 260 janë evidentuar në qytet dhe 39 prej tyre në pjesën tjetër të territorit të qarkut. Nga ky fond total objektesh të evidentuar në fillim të këtij projekti, 123 prej tyre janë të tipit vilë/banesë tradicionale, duke përbërë mbi 50% të numrit total të monumenteve të kulturës të gjendur në qytetin e Tiranës.
Objektet e marra në vëzhgim nga projekti brenda rrezes së zonës së përcaktuar, janë në total 60, nga të cilat, 55 janë objekte banimi të tipit vilë urbane, 3 janë objekte të tipit banesë tradicionale, dhe 2 janë objekte të karakterit administrativ. Vetëm 52 objekte të tipit vilë/banesë, kishin status mbrojtës ‘monument kulture’ në fillim të projektit, ndërsa 6 prej objekteve të tipit vilë/banesë tradicionale nuk e kanë marrë asnjëherë atë.
Duke qenë se komuniteti ka qenë edhe aktori kryesor në këtë projekt, objektet të tipit vilë, të cilat janë cilësuar nga banorët e zonës si pika referimi dhe pjesë e kujtesës kolektive, janë përfshirë në vëzhgim dhe ato përbëjnë një fond prej 6 godinash të tipit vilë, ose 10% të totalit, të cilat nuk e kanë marrë asnjëherë statusin monument kulture.
Nisur nga gjendja në terren e objekteve të marra në vëzhgim, është bërë një analizë e gjendjes në terren. Nga 132 objekte, grupimi mori në vëzhgim 60 të tilla, kur rezultoi se 50% e tyre, janë në gjendje të shembur, të braktisur/degraduar ose pjesërisht jashtë funksioni.
Rezultatet tregojnë se nga 60 objekte e vëzhguara në terren, 9 prej tyre janë shembur dhe aty ku ndodhej monumenti, është në proces ose ka përfunduar një objekt shumëkatësh i tipit pallat. Ky fenomen është i shpërndarë në territor, pavarësisht vendndodhjes së monumentit, statusit të tij ligjor apo gjendjes fizike. Gjithashtu është vënë re se janë shembur vila, të cilat sipas dokumentacionit ligjor, kanë gëzuar statusin ‘Monument Kulture’ dhe nuk ka një dokument zyrtar publik që të deklarojë arsyetimet shkencore të këtij vendimi.
Një rast i tillë janë banesat e Toptanëve, në rrugën Tefta Tashko, monument kulture kategori e parë dhe e dytë. Edhe pse gëzonin status mbrojtje sipas ligjit, u shembën në vitin 2020, ndërkohë që ky projekt ishte në proces. Në terren gjendet një kantier ndërtimi.
Nga intervistat me banorët e zonës dhe komunitetin që jeton rreth vilës, është evidentuar fakti se, nuk ka njoftim zyrtar dhe as njohje me heqjen e statusit të vilës përpara se ajo të shembet. Dy vilat e banimit janë shembur natën dhe në momentin e vëzhgimit në terren aty ishte hapur gropa dhe kishte filluar pilotimi i sheshit të ndërtimit. Shqetësimi i banorëve të zonës në atë që dikur quhej rruga e “Pishave” duket se është rritja e dendësisë urbane, e cila do sjellë probleme për të gjithë lagjen sidomos me qarkullimin rrugor.


Banesa me status ‘monument kulture në mbrojtje paraprake’, të shembura
Një tjetër shqetësim që vihet re në këtë studim është edhe shembja e banesave me status “monument kulture në mbrojtje paraprake”. Në vitin 2015, me urdhrin nr.1068 të datës 16.07.2015, u shpallën ‘monumente kulture’ në mbrojtje paraprake për 6 muaj, 361 objekte. Në urdhrat e ministrit që CUS mori nga korrespondenca me institucionin e IKTK-së, nuk rezulton që këto objekte të kenë marrë statusin e mbrojtjes permanente, dhe fondi prej 361 objektesh nuk është përfshirë në totalin e monumenteve të qytetit të Tiranës. Gjatë vëzhgimit në terren u evidentuan objekte të cilat kanë qenë në mbrojtje paraprake në vitin 2015, disa prej tyre janë shembur dhe në vend të tyre ndodhet duke u ndërtuar ose ka përfunduar një objekt shumëkatësh. Nga intervistat me banorët u kuptua se, ata nuk kishin dijeni për këtë shpallje në mbrojtje paraprake, nuk kishin dëgjuar dhe as kishin parë ekip të ministrisë apo institucioneve të vinin për këqyrje. Banorët nuk kanë dijeni se këto banesa/vila kanë qenë në mbrojtje paraprake dhe pse më pas nuk kanë marrë statusin e përhershëm të monumentit.
Braktisja dhe degradimi i monumentit
Në 6 zona e marra në studim nga CUS, janë verifikuar 11 objekte të braktisura, nga të cilat 2 janë objekte monument kulture të tipit ‘Banesë Tradicionale’, kategori e parë, 6 janë objekte monumente kulture të tipit ‘Vilë Urbane’ kategorie e dytë, 1 është objekt i shpallur në mbrojtje paraprake, dhe dy janë objekte të tipit ‘Vilë Urbane’ pa status mbrojtës. Këto objekte të shpallura monument kulture, nga vëzhgimi në terren janë evidentuar si të braktisura dhe gjendja e tyre është e degraduar. Edhe pse mbajnë statusin ‘Monument Kulture’ të kategorisë së parë dhe të dytë, prej dekadash këto objekte nuk janë restauruar. Kështu, mbulesat, çatitë dhe muret, kanë pësuar dëmtime duke bërë që faktorët atmosferikë të përshpejtojnë degradimin e objektit. Nga intervistat me komunitet në terren është kuptuar se një pjesë e tyre janë braktisur nga banorët pikërisht si pasojë e degradimit të objektit duke qenë se kushtet e jetesës janë vështirësuar tepër.
Monumentet e kulturës të tipit ‘Banesë tradicionale’ që janë të shpallura në mbrojtje si kategori e parë, të ndodhura brenda zonës së vëzhguar, rrezikojnë shembjen duke qenë se shkalla e degradimit të tyre është e lartë. Pasi janë braktisur si pasojë e vështirësimit të kushteve të objektit, në perimetër të godinës, bimët kanë harlisur oborret, më pas kanë filluar të zënë rrënjë në afërsi të ndërtesës. Rifinituarat dhe ornamentet e fasadave, pikturat murale në këto banesa tradicionale janë degraduar. Kështu, banesa tradicionale e shënuar në hartë me kodin I-09, e ndodhur brenda Kalasë së Tiranës bashkë me Kullën e Gjatë, dy ikona të qytetit të Tiranës, janë lënë në harresë dhe janë braktisur nga banorët. Të dyja këto monumente janë duke u degraduar edhe pse kanë shkallën e parë të mbrojtjes nga shteti.
Po ashtu, Vila Radio Tirana, është një nga ikonat e kryeqytetit të shekullit të kaluar dhe një nga landmarket më të njohura të qytetit sot. Vila u ndërtua në vitin 1938 nga familja e pasur tiranase Kollçiu dhe u përdor si qendra e Radio Tiranës nga prilli i vitit 1939 deri më 1965. Më pas aty u vendos Instituti i Folklorit. Vila është shpallur ‘monument kulture kategori e dytë’ në vitin 2007, me vendimin nr.122 të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Edhe pse kanë kaluar 13 vjet, banesa nuk duket të jetë restauruar, gjendja e saj sot është e braktisur dhe në degradim.
Statusi sjell degradim – degradimi sjell heqjen e statusit
Sipas ligjit 27/2018, institucionet duhet të kryejnë monitorim dhe kontroll të objekteve të shpallura monument kulture, si edhe të kryejnë verifikime dhe të marrin masa për ruajtjen e monumenteve Në më shumë se 80 dëshmi të marra nga banorët gjatë vëzhgimit në terren, ky monitorim nuk ka ndodhur.
Monumentit i mungojnë protokollet e mirëmbajtjes duke e lënë në degradim materialin, dhe kështu me kalimin e kohës, objekti bëhet i pabanueshëm. Braktisja e monumentit nga banori, nga vështirësimi i kushteve të jetesës, bën që objekti të pësojë degradim të vazhdueshëm të materialit, si fillim elementëve dekorativ (frizat, kornizat etj), e më pas edhe atij strukturor.
Kështu janë parë objekte të cilat përfaqësojnë stile arkitektonike tërësisht unikale, të cilat, të lëna në degradim po humbasin tiparet e veçanta dhe vlerat arkitektonike. Kjo situatë duket se krijon terrenin e përshtatshëm për të spekuluar me monumentin. Degradimi i materialit, shihet si shkaku kryesor i heqjes së këtyre monumenteve nga lista e mbrojtjes. Urdhri i Ministrisë së Kulturës bazohet në kërkesën e pronarit të pasurisë, e cila i dërgohet IKTK-së shoqëruar me një relacion teknik të një eksperti të trashëgimisë. Është Këshilli Kombëtar i Restaurimeve i cili, merr vendimin , duke i relatuar kërkesë ministrit. Dokumentacionet shoqëruese teknike, si relacionet apo procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, nuk janë transparentë për publikun.
Vihet re lehtësia e procedurës që duhet ndjekur për të hequr objektet nga lista e mbrojtjes së ‘monumenteve të kulturës’, me vetëm dy hapa administrativë. Ndërkohë, procedura për ta ruajtur atë, njeh një sërë pengesash burokratike institucionale. Nuk janë vënë re iniciativa të institucioneve për të ndërmarrë operacione shpëtimi të monumenteve të tipologjisë vilë banimi/banesë tradicionale.
Iniciativa për të restauruar objektin, sipas banorëve, kërkon përsiatje nëpër drejtoritë e ndryshme, një sërë dokumentesh për të përgatitur, dhe investim, pasi restaurimi është proces i kushtueshëm. Ata shprehen se shteti nuk i jep asnjë ndihmë, qoftë ekonomike apo teknike.
Në banesat e shpallura monument, pronarët nuk rregullojnë dot as tjegullat e çatisë, ku sipas ligjit për planifikimin janë punime të lejuara dhe mund të kryhen pa leje ndërtimi. Ndërsa, referuar ligjit 27/2018, riparimet/restaurimet e karakterit utilitar, konsiderohen si ndërhyrje të paligjshme në objektet monument kulture.
Degradimi i materialit shihet të jetë shkaku kryesor i heqjes së statusit në tërësinë e vendimeve të Ministrisë së Kulturës që Citizens Urban Stories disponon. Nga ana tjetër, dëshmitë e pronarëve e arsyetojnë degradimin e objektit si pasojë e mungesës së mbështetjes dhe paligjshmërisë së ndërhyrjeve për mirëmbajtjen e objekteve në mbrojtje. Situatat penguese dhe aspak lehtësuese nga ana e institucioneve përgjegjëse për mirëmbajtjen e monumenteve po përshpejton zvogëlimin e fondit të pasurive kulturore të cilat janë tërësisht në funksion. Mungesa e protokollove të mirëmbajtjes i çon monumentet drejt degradimit dhe humbjes së vlerave arkitektonike, duke krijuar terrenin e përshtatshëm për të spekuluar me objektin pasuri e paluajtshme. Nuk njihen arsyet shkencore të cilat shpallën 361 objekte në mbrojtje paraprake me urdhër ministri nr.1068/2015 dhe as ato, që më pas nuk miratuan statusin e përhershëm, status i cili do të rriste fondin e pasurive kulturore në Tiranë me 200%, duke e çuar numrin në 660 monumente kulture. Përgjatë periudhës 2015-2021, në totalin e monumenteve të Tiranës qytet, janë hequr nga mbrojtja ligjore 35 objekte të cilat gëzonin statusin ‘monument kulture’ nga të cilat: 4 monumente janë të shpallura me urdhrin e ministrit 122/2007; 3 monumente të shpallura përpara 1990; dhe 27 monumente të shpallura me urdhrin e Ministrit 276/2015.
Nga fondi total i qytetit Tiranë, prej 123 monumentesh kulture të tipologjisë vilë/banesë tradicionale, 26 vila/banesa e kanë humbur statusin e mbrojtjes. Nga këto, 20 vila/banesa e kanë marrë statusin e mbrojtjes me urdhrin e Ministrit 276/2015, duke e zvogëluar fondin e monumenteve të kulturës të kësaj tipologjie, me më shumë se 20%. Në zonën e vëzhguar nga CUS, nga 52 objekte të tipit vilë/banesë tradicionale me status mbrojtës ‘monument kulture’ deri në vitin 2015, e kanë humbur statusin e mbrojtjes, 11 vila të shpallura monument me urdhrin 176/2015 dhe një objekt i tipit banesë tradicionale e shpallur në vitin 1987.
Mungesë strategjie për ruajtjen e Monumenteve të Kulturës
Në studim theksohet se vendimmarrja e institucioneve ligj zbatuese mbi strategjinë e restaurimit, rehabilitimit, funksionimit dhe ruajtjes së Monumenteve të Kulturës gëzon statusin e “Informacionit që bëhet publik pa kërkesë” sipas Nenit 7 të ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”. Ky informacion mungon apo është i paqartë, i hedhur bruto dhe pa sqarime. Urdhrat dhe Vendimet e Ministrisë së Kulturës (MK) dhe institucioneve në varësi mbi dhënien apo heqjen e statusit “Monument Kulture” nuk gjenden të publikuara në faqet zyrtare. Informacioni i vënë në dispozicion nga MK pas kërkesave të përsëritura për informacion nga Citizens Urban Stories është i pa plotë, ku mungojnë relacionet e teknike të Ekspertëve të Trashëgimisë Kulturore dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, si edhe hartat treguese që shoqërojnë urdhrat e Ministrit.
Nxitja e shkatërrimit përmes Planit Urbanistik Tirana 2030
Një tjetër shqetësim që vihet në dukje në këtë studim është dhe plani urbanistik 2030 për Tiranën. Nga hulumtimi që i është bërë Planit të Përgjithshëm Vendor për Tiranën dhe të dhënave të mbledhura në terren, konkludohet se ndonëse ligjin 107/2014 detyron nxitjen e veprimeve të duhura për mbrojtjen, restaurimin dhe rritjen e cilësisë së trashëgimisë natyrore e kulturore gjatë kohës që pjesa tjetër e qytetit zhvillohet, kjo detyrë nuk është marrë në konsideratë. “Nga analiza e Planeve të Detajuara Vendore (PDV) të Planit Urbanistik Tirana_030 në pllakat historike urbane të marra në vëzhgim (6 Zonat CUS), nuk duket se është marrë parasysh ruajtja e objekteve Monument Kulture”, thuhet në raport, duke shtuar se “zhvillimi i strukturave shumëkatëshe shumë pranë objekteve me status monument kulture, ka vështirësuar kushtet e jetesës së monumentit duke përshpejtuar degradimin e materialit të tij”.
I pyetur nga Porta Vendore Lorin Kadiu drejtuesi i Citizens Channel dhe i Grupit Citizens Urban Stories thotë se ka qenë një punë e jashtëzakonshme që është bërë në terren, duke shkuar 4-5 herë në të njëjtën ndërtesë, ku me shumë këmbëngulje janë gjetur informacionet e nevojshme, kontaktet dhe janë bërë gjithashtu edhe fotot.
“Ne sa kemi gërvishtur sipërfaqen e këtij fenomeni në Tiranë. Kjo ka qenë një tematikë që e kemi pasur me pasion, dhe që mund të vijohet pasi ka se çfarë të tregohet ende. Ka shumë ndërtesa të tjera nëpër lagjet e kryeqytetit, ku ne jemi fokusuar tek një pjesë e tyre . Kjo tanimë është një e mirë publike, dhe është e aksesueshme për të gjithë”, rrëfen Lorini, ndërsa shton se grupi është duke menduar edhe një mënyrë sa më të përshtatshme që t’ia prezantojë studimin edhe institucioneve të pushtetit vendor.
“Ne do ta vazhdojmë projektin, pasi kemi disa ide për ta vijuar, por unë mendoj personalisht se nuk është detyrë e medias që të advokojë për të dhënat që janë publike, gjithsesi jemi duke menduar si grup për një zgjidhje për ta çuar në vesh edhe institucioneve përkatëse të dhënat dhe gjetjet e këtij studimi”, përfundon ai për Portën Vendore.
Pra, ajo që vihet re është fakti se jo vetëm mungojnë strategjitë për monumentet e kulturës nga institucionet përkatëse, por edhe planet e së ardhmes po i lënë në harresë ato, duke rrezikuar zhdukjen totale të tyre.