Lëviz Albania

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

THIRRJA PËR APLIKIME Nr.7

Twiter thirrja 7 KV 01 

 

LEVIZ ALBANIA - THIRRJE PËR APLIKIME

LevizAlbania, projekti që synon të forcojë demokracinë vendore dhe të rrisë cilësinë e njësive të vetëqeverisjes vendore përmes angazhimit të organizatave të shoqërisë civile, grupeve informale dhe individëve shpall:

 

 THIRRJE NR. 7 PËR APLIKIME

 

Thirrja qëndron e hapur nga data 15 KORRIK 2020 deri në datën 5 GUSHT 2020(ora 23:59)

Në Thirrjen Nr. 7 të LevizAlbania mund të aplikoni VETËM ONLINE në www.levizalbania.al

 

LevizAlbania është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, i zbatuar nga një konsorcium i tre organizatave shqiptare, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Co-Plan, dhe Partnerët Shqipëri, inkurajon organizatat e shoqërisë civile që punojnë në komunitet, organizata të reja, individët dhe grupimet e tyre të aplikojnë online, me ide dhe nisma konkrete që synojnë të ndryshojnë nivelin e demokracisë vendore, përmirësojnë qeverisjen lokale, rrisin transparencën, llogaridhënien, promovojnë dhe mbështesin përfshirjen në vendimmarrje. LevizAlbania mbështet aktorët e shoqërisë civile në të gjithë vendin, duke inkurajuar përfshirjen e grave dhe të rinjve, si dhe mobilizimin e komuniteteve, në zona urbane dhe rurale.

 

Demokracisë vendore në Shqipëri ka mjaftueshëm hapësira për përmirësim. Bazuar në supozimin se pa qytetarë të angazhuar dhe organizata të forta të shoqërisë civile, qeverisja nuk mund të arrijë qëllimin e saj themelor, në qendër të Thirrjes për Aplikime Nr. 7 do të jetë Advokimi, si një proces i cili kanalizon përpjekjet për ndikimin e politikave dhe proceseve vendore. Advokimi vjen si një instrument në këtë rast, në shërbim të komuniteteve qytetare për të kërkuar veprimin e vetëqeverisjes vendore për çështjet që këto komunitete shohin me interes. Advokimi si instrument synohet të përdoret, me një qasje inovatore dhe duke pasur si katalizatorë organizatat apo grupet informale, në dy forma:

 

a. Përmes angazhimit të organizatave si ndërmjetës të qytetarëve dhe vetqeverisjes vendore, për të ndikuar mbi çështje me rëndësi;

b. Përmes angazhimit të organizatave dhe grupeve informale si mbështetës të qytetarëve për të ndërvepruar me vetqeverisjen vendore, për të ndikuar mbi çështje me rëndësi;

Duke synuar në qasje holistike në angazhimin e qytetarëve në nivel lokal në forma të ndryshme advokuese, presioni mund të vij:

a. për qytetarët, ku organizatat e shoqërisë civile hartojnë dokumentë analitikë në ndihmë të qytetarëve për të qenë të informuar gjatë proceseve advokuese që ndërmarrin më pas, duke ofruar zgjidhje dhe modele konkrete;

b. me qytetarët, ku organizatat dhe qytetarët ndërveprojnë për të advokuar, duke luajtur rol propozues dhe kërkues përkundrejt institucioneve vendore;

c. prej qytetarëve, si nismëtar të nismave advokuese, bazuar në propozime, shembuj vetjak dhe aksion

DREJTIMET E THIRRJES NR. 7

 

Drejtimi 1: Nisma advokuese bashkëpunuese që synojnë përcaktimin e prioriteteve në proceset vendimmarrëse vendore dhe krijimin e modeleve të reja funksionale, në kuader të garantimit të të drejtave social-ekonomike për qytetaret dhe grupet vulnerabël.

Ky drejtim synon adresimin e çështjeve që lidhen me të drejtat social-ekonomike të qytetarëve në përgjithësi dhe grupeve vulnerable në veçanti, përmes angazhimit qytetar që ndërmer nisma që advokojnë bazuar në prova/fakte të përftuara përmes analizave, studimeve, raporteve monitoruese, etj., duke synuar ndërveprim bashkëpunues me vetqeverisjen vendore.

 

Ndërhyrjet nën këtë Drejtim përfshijnë realizimin e dokumenteve analitikë (analiza, studime, monitorime, raporte, etj.) me qëllim përdorimin e tyre nga qytetarët dhe komuniteti për të ndërmarë nisma dhe fushata advokimi si dhe krijimin e modeleve të reja mbi ushtrimin e funksioneve apo pëmirësimin e shërbimeve nga strukturat e vetëqeverisjes vendore, duke mbajtur në konsideratë edhe nevojën për të ripërcaktuar rolin e bashkive në marrëdhënien me qytetarin. Forcimi i grupeve të ndryshme, përmes angazhimit konkret, duhet të synojë krijimin e legjitimitet në komunitetin përkatës. Idetë e propozuara nga organizata të konsoliduara apo organizatat të reja që punojnë komunitet, duhet të synojnë angazhimin qytetar në adresimin e çështjeve me rëndësi, duke i bërë qytetarët aktorë aktiv në paraqitjen e propozimeve, në dhënien e shembujve konkret të angazhimit, në mobilizim dhe në ndërmarrjen e aksioneve konkrete për të përmirësuar një situatë apo problematikë të identifikuar.

 

Ndër të tjera, vëmendje në këtë Drejtim, merr advokimi bashkëpunues dhe lobimi për të përmirësuar përgjigjen e vetëqeverisjes vendore ndaj impaktit të situatave të krizave apo emergjencave. Ndërhyrjet nën këtë drejtim duhet të targetojnë çështje që lidhen me vetqeverisjen vendore, duke përfshirë të gjitha njësitë vendore brënda një Qarku. Më poshtë një listë sugjeruese, por jo shteruese:

 

  • Raportet e monitorimit të bazuara në prova mbi qeverisjen dhe ofrimin e shërbimeve të NJQV-ve, përfshirë Këshillin Bashkiak, Administratorët e Bashkive dhe Njësitë Administrative, në drejtim të ofrimit të shërbimit publik, proceset e vendimmarrjes, zbatimin e planeve lokale sociale dhe ekonomike, konsultimet publike, etj, si bazë për të nxitur aktivizmin qytetar, paraqitjen e modeleve, dhënien e shembujve pozitiv nga komuniteti, etj.
  • Advokim për të përparuar në lidhje me ndryshimet ligjore të nevojshme për ushtrim e funksioneve nga NJQV-të;
  • Ndërgjegjësimi, edukimi dhe mobilizimi i organizatave lokale dhe qytetarëve në sensibilizimin në fushën e mbrojtjes mjedisore (krimi mjedisor; ndryshimet klimatike, menaxhimin e mbetjeve, etj.)
  • Nxitje e dialogut ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve publike në procesin decentralizimit;
  • Nxitja e diskutimit të çështjeve të rëndësishme të nivelit vendor në diskursin zgjedhor kombëtar të vitit të ardhshëm.

Kushte për aplikim

  • Drejtimi 1 është i hapur për të gjitha OJF-të e regjistruara sipas legjislacionit shqiptar në fuqi;
  • OJF-të që aplikojnë në këtë Drejtim dhe planifikojnë të zbatojnë projekte jashtë zonës së qarkut ku operojnë duhet të kenë partneritet me OJF-të lokale, duke u dhënë këtyre OJF-ve lokale rol të rëndësishëm në menaxhimin operacional dhe financiar, në zbatimin e projektit;

Madhësia e granteve dhe afati i zbatimit

  • Grantet për OJF do të variojnë nga 10,000 CHF deri në 60,000 CHF
  • Afati maksimal i zbatimit të projektit është 12 muaj.

Drejtimi 2: Nxitja e aktivizmit dhe angazhimit qytetar për një demokraci vendore më funksionale dhe të qëndrueshme

Ky drejtim synon të nxisë aktivizmin dhe të rrisë mundësitë e qytetarëve në nivel vendor për të vepruar dhe për të kërkuar prej institucioneve të vetëqeverisjes vendore të përmbushin kompetencat e tyre me transparencë, të jenë llogaridhënëse ndaj qytetarëve, si dhe të garantojnë përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse.

 

Ndërhyrjet nën këtë Drejtim përfshijnë mobilizimin dhe fuqizimin e qytetarëve, si dhe përdorimin e instrumentave ligjor si dëgjesat dhe konsultimet publike, peticionet (edhe online), nismat qytetare, etj. Vëmendje në këtë Drejtim merr adresimi i çështjeve të cilat kanë interes/legjitimitet të gjerë të qytetarëve dhe shfrytëzohet momenti i duhur për të ngritur kërkesa ndaj vetëqeverisjes vendore dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e hapave të ndërmarrë. Idetë e propozuara duhet të synojnë angazhimin qytetar në adresimin e çështjeve me rëndësi për komunitetin, duke i bërë qytetarët aktorë aktiv në paraqitjen e propozimeve, në dhënien e shembujve konkret të angazhimit, në mobilizim dhe në ndërmarrjen e aksioneve konkrete për të përmirësuar një situatë apo problematikë të identifikuar. Ndërhyrjet e propozuara duhet të targetojnë çështje që lidhen me qeverisjen vendore në një Bashki të caktuar. Aplikantët që propozojnë ndërhyrje në më shumë se një Bashki, duhet të argumentojnë nevojën për ndërhyrjen e propozuar dhe ndërlidhjen midis Bashkive të targetuara. Më poshtë një listë sugjeruese, por jo shteruese;

 

  • Përfshirja aktive dhe pjesëmarrja e qytetarëve në përcaktimin e prioriteteve dhe vendimmarrjen në nivelin lokal, përmes mekanizmave pjesëmarrës dhe / ose instrumenteve ligjore (peticione, pjesëmarrjen në mbledhjet e këshillave bashkiakë, dëgjesat publike, nismat e qytetarëve, etj.)
  • Fuqizimi i komuniteteve për të ushtruar presion qytetar mbi autoritetet lokale për t'iu përgjigjur kërkesave dhe të drejtave të tyre (p.sh., përmes edukimit qytetar, fuqizimit ligjor, stërvitjes, rrjetëzimit, mbështetjes për veprime konkrete, etj.)
  • Inicimi ose mbështetja e lëvizjeve shoqërore apo komunitare, koalicionet e aktorëve qytetarë dhe / ose fushatat e përbashkëta që synojnë të adresojnë çështjet dhe nevojat e komunitetit;
  • Nxitja e diskutimit të çështjeve të rëndësishme të nivelit vendor në diskursin zgjedhor kombëtar të vitit të ardhshëm.

Kushte për aplikim

  • Drejtimi 2 është i hapur për të gjitha OJF-të e regjistruara sipas legjislacionit shqiptar në fuqi dhe Grupet Informale
  • Në rastet e angazhimit të OJF-ve që planifikojnë të zbatojnë projekte jashtë zonës së qarkut ku operojnë, ato mund të jenë partnere me OJF-të lokale. Partneri lokal duhet të ketë rolin e liderit në aplikim (roli i organizatave më të konsoliduara në partneritet duhet të jetë i përqendruar më së shumti në ekspertizë dhe mbështetje).
  • Grupet Informale mund të aplikojnë me koncept ide që propozojnë ndërhyrje vetëm në Bashkinë ku janë vendosur;

Madhësia e granteve dhe afati i zbatimit

  • Grantet për OJF do të variojnë nga 10,000 CHF deri në 60,000 CHF
  • Kufiri maksimal i granteve për Grupet Informale është 10,000 CHF
  • Afati maksimal i zbatimit të projektit është 12 muaj.

Drejtimi 3: Aksioni Komunitar përmes angazhimit të drejtërdrejtë të individëve në nisma/kauza përfaqësuese për komunitetin lokal

Ky drejtim synon angazhimin e qytetarëve aktivë në nivelin e komuniteteve më të vogla ( lagje, zona rurale), që të mobilizojnë grupe ose individë, që japin propozime konkrete dhe i kërkojnë bashkisë adresimin dhe zgjidhjen e problemeve në këto komunitete. Ky drejtim ofron mbështetje për aksione qytetare në komunitete të caktuara, të cilët ndajnë një shqetësim apo problematikë dhe që kanë nevojë për mbështetje dhe mentorim për të arritur rezultate konkrete dhe për të sjellë ndryshimin. Grantet për Aksionin Komunitar ofrojnë një financim bazë dhe do të shoqërohen me mentorim dhe mbështetje teknike nga LevizAlbania gjatë zbatimit të projektit.

 

Kushtet për aplikim

 

  • Drejtimi 3 është i hapur për aplikantët Individë dhe Grupet Informale
  • Individët mund të aplikojnë me koncept ide që propozojnë ndërhyrje vetëm në Bashkinë ku banojnë;
  • Grupet Informale mund të aplikojnë me koncept ide që propozojnë ndërhyrje vetëm në Bashkinë ku janë vendosur;

Madhësia e granteve dhe afati i zbatimit

  • Kufiri maksimal i granteve për Grupet Informale është 10,000 CHF
  • Kufiri maksimal i granteve për Individë është 7,000 CHF
  • Afati maksimal i zbatimit të projektit është 12 muaj.

PËRPARA SE TË APLIKONI LEXONI UDHËZUESIN E THIRRJES NR.7 DUKE KLIKUAR KËTU

 

PËR TU NJOHUR ME PROJEKTE TË MBËSHTETURA NGA LEVIZALBANIA NË THIRRJET E MËPARSHME PËR APLIKIME, KLIKO KËTU

 

LevizAlbania mbështet ide që sjellin ndryshimin e prekshëm për qytetarët dhe përmirësojnë cilësinë e vetëqeverisjes vendore në komunitet.

 

SHIKO MË SHUMË

 

 

Street: Qemal Stafa

New Bazaar, Building No. 74, Floor 2, Tirana

+355 44 500 153