Prej më shumë se 2 vitesh përpjekje nga aktivistët e Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome në qytetin e Elbasanit, dhe publikimeve në platformën Porta Vendore, banorët e lagjes “Dyli Haxhire” kanë marrë zgjidhje përfundimtare për furnizimin me ujë të pijshëm, problem i cili ishte prezent prej vitesh tek rreth 100 familje.
Lagja “Dyli Haxhire”, e ndodhur në zonën e NSHU-së në Elbasan, prej vitesh vuan mungesën e ujit të pijshëm. Në këtë zonë periferike ku janë të përqendruar kryesisht familje të komunitetit rom dhe egjiptian, rreth 100 familje vuanin mungesën e ujit të pijshëm, siç ka raportuar edhe më herët Porta Vendore.
Tashmë që investimi ka nisur, banorët ndjehen të kënaqur që më në fund pas shumë vitesh do kenë ujë të pijshëm në banesat e tyre. Pavarësisht sfidave me të cilat u përballen gjatë procesit të advokimit dhe kohëzgjatjes, ata shprehen se ia vlejti mundi dhe përpjekja, pasi tashmë shohin me sytë e tyre rezultatin e pritur.
Tanimë, pas shumë përpjekjesh në lagjen “Dyli Haxhire” banorët do të furnizohen me ujë të pijshëm, falë përpjekjeve të aktivistëve dhe medias.
Është dashur një punë e gjatë dhe e palodhur nga ana e aktivistëve të Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome në qytetin e Elbasanit, që pas dy viteve përpjekje nëpër dyert e institucioneve dhe sensibilizimit të banorëve të lagjes “Dyli Haxhire” të mund të bëhej realitet dhe finalizohej gjithashtu kjo kauzë e tyre. Ervis Çota drejtues i LRER-së na rrëfen këtë rrugë të gjatë.
“U deshën rreth 2 vite përpjekje të LRER me institucionet përgjegjëse për të mundësuar furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve të lagjes ‘Dyli Haxhire’. Bashkë me banorët kemi ndjekur një proces të gjatë advokimi. Kemi zhvilluar disa takime me Ujësjellës- Kanalizime Elbasan, me qëllim nxitjen për të marrë masa për të siguruar furnizimin me ujë të banorëve. E kemi adresuar problematikën edhe tek Bashkia dhe Këshilli Bashkiak Elbasan. Gjithashtu përmes një ankese e kemi adresuar çështjen edhe tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili u shpreh në favor të banorëve. Po ashtu, kemi kontaktuar edhe me Agjencinë Kombëtarë të Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve – AKUM, e cila financoi projektin e UKE. Pra u desh gjithë ky rrugëtim për të nxitur UKE të hartonte projektin dhe të investonte në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm, duke garantuar kështu një të drejtë të qytetarëve”, tregon për Portën Vendore Çota.
Më 14 mars 2019, rasti i referuar nga aktivistët e këtij qyteti, bëri që Porta Vendore të publikonte një shkrim me problematikën e referuar, ku mori gjithashtu edhe premtimin e Drejtorit të Ujësjellësit Elbasan, Luan Dervishi, se për vitin 2019 ishte planifikuar një investim në këtë zonë. “Kjo zgjidhet vetëm me një investim, që ne e kemi planifikuar për këtë zonë. Aktualisht jemi në procedurat e prokurimeve dhe mendojmë se shumë shpejt do të fillojë investimi”, tha Dervishi asokohe.
Porta Vendore iu rikthye të njëjtës çështje më 27 shkurt 2020, duke konstatuar se asgjë nuk kishte ndryshuar për banorët e kësaj lagje pas 1 viti, të cilët vazhdonin ta ndjenin veten të diskriminuar për shkak të mungesës së këtij shërbimi, aq jetësor, furnizimit normal me ujë të pijshëm.
Zvarritja e kësaj çështjeje nga ana e institucioneve përgjegjëse, në fakt, i kishte bërë banorët pesimistë. Megjithatë, aktivistët shpreheshin të vendosur për ta ndjekur deri në fund këtë çështje duke shpresuar se do të merrte zgjidhje.
Gjithashtu aktivistët bashkë me banorët e kanë ndjekur këtë çështje në vazhdimësi edhe me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili inspektoi nga afër lagjen, ku konstatoi diskriminim të familjeve nga ana e bashkisë dhe Ujësjellës Kanalizime Elbasan. KMD i ka kërkuar Bashkisë Elbasan dhe UKE të ndërmarrin në mënyrë të menjëhershme masa për tu siguruar ujë të pijshëm banorëve, derisa problematika të zgjidhet përfundimisht, ndërsa gjobiti Bashkinë Elbasan dhe UKE me nga 1 milion lekë të vjetra secilin.
Por tanimë, pas shumë përpjekjesh në lagjen “Dyli Haxhire” banorët do të furnizohen me ujë të pijshëm, falë përpjekjeve të aktivistëve dhe medias.