Lëviz Albania

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

FORUMI I LEVIZALBANIA: GAZETARIA VENDORE NË KOHË KRIZASH!

FORUMI I LEVIZALBANIA: GAZETARIA VENDORE NË KOHË KRIZASH!

LevizAlbania, projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, organizoi më 28 Shkurt 2022 forumin e diskutimit “Gazetaria vendore në kohë krizash – Roli dhe sfidat e medias dhe gazetarëve në garantimin e informacionit dhe ushtrimin e presionit ndaj autoriteteve vendore në periudha krize".

Në këtë tryeze ku pjesëmarrja ishte e gjerë nga aktorët e shoqërisë civile, organizatat mediatike, gazetarëve dhe institucioneve publike u diskutuan dhe ngritën disa çështje që lidhen me rolin e medias dhe gazetarëve në kohë krizash.

Shqipëria, përgjatë viteve 2019-2022 u përball më dy kriza të mëdha, sikundër ishte tërmeti i 26 Nëntorit 2019 dhe viti 2020, i cili tashmë njihet prej të gjithëve si “Viti i pandemisë COVID-19“.

Në këto dy situata të paprecedenta mediat dhe gazetarët si dhe shoqëria civile u përpoqën dhe angazhuan për të luajtur një rol pozitiv në përcimin e informacionit tek qytetarët, ushtrimin e presionit tek institucionet vendore dhe qëndrore, me qëllim transparencën mbi vendimmarrjet e askokohe.

LevizAlbania, përmes mbështetjes së dhënë ndaj organizatave të shoqërisë civile, para dhe gjatë periudhës së krizave në fjalë, ka synuar pikërisht rritjen e aksesit në informacion nga këto organizata dhe qytetarët e angazhuar prej tyre në aksione dhe nisma konkrete.

Gjatë fjalës së hapjes, Drejtori Ekzekutiv i LevizAlbania, Z.Erton Kashta, u ndal tek rëndësia e mbështetjes së medias si instrument informues dhe advokues. “Media, në të gjitha format e saj, është një instrument i rëndësishëm për ndarjen e informacionit, të njohurive dhe për ngritjen e zërit për të gjitha aspektet që ndikojnë në shoqëri. Grantet nëpërmjet LevizAlbania kanë mbështetur edhe gazetarët si individë dhe janë parë me përparësi si një mjet për fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve të tyre” – shpreh Z. Kashta.

                                                                                                                                             Z. Erton Kashta, Drejtor Ekzekutiv i projektit LevizAlbania

Projekti LevizAlbania në qasjen e tij strategjike ka mbështetur dhe krijimin e platformës “PortaVendore.al“, një portal unik i dedikuar çështjeve vendore i cili është kthyer në një portë informacioni për qytetarët të cilët informohen përmes artikujve gazetaresk, analizave të thelluara gazetareske dhe tekniko-profesionale si dhe i ofrhet informacion mbi qeverisjen vendore, si funksionon, ndryshimet legjislative etj.

“Përtej mbështetjes së medias si komponent i projekteve, LevizAlbania ka përdorur një instrument të Shërbimeve si Vlerë e Shtuar (Value Added Services), nëpërmjet Portës Vendore që është portali i mbështetur në angazhimin e gazetarëve vendorë për të përcjellë lajme ,raporte, studime të pavarura dhe cilësore. Puna me Portën Vendore tashmë në vitin e pestë. Me anë të angazhimit të gazetarëve me Portën Vendore, Granteve Individuale dhe gjithashtu komponentit të medias për të gjitha projektet është synuar krijimi i sinergjisë mes aktorëve për të përmirësuar marrjen e informacionit, përpunim cilësor dhe të pa-anshëm dhe shpërndarjen e duhur të informacioneve, raporteve dhe studimeve“, u shpreh Z. Kashta.

Në emër të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, në tryezë ishte e pranishme Znj. Elona Hoxaj e cila solli të dhëna dhe statistika mbi zbatueshmërinë e ligjit për të drejtën e informimit. Sipas saj vetëm gjatë vitit 2021 janë administruar nga Komisioneri 1000 ankesa prej të cilave 700 kanë marrë përgjigje dhe informacion në momentin e parë që komisioneri ka nisur procedurën e hulumtimit. “Gjatë periudhës së pandemisë, ndryshe nga shumë vende të tjera që modifikuan dhe ndryshuan afatin e kthtimit të përgjigjeve në kuadër të të drejtës së informimit, Shqipëria nuk e bëri këtë. “ Ndryshe nga vende të tjera të botës kur afati për marrjen e informacionit u zgjerua për shkak të pandemisë, në Shqipëri nuk u shty dhe u bënë përpjekje për të garantuar funksionimin e instrumenteve të marrjes së informacionit nga institucionet në kohët si para pandemisë (10 ditë)“, u shpreh Znj. Hoxhaj.

                                                                                                                                Znj. Elona Hoxaj, Institucioni i Komisionerit për të Drejtën e Informimit

Në forumin e organizuar nga LevizAlbania aktorët e shoqërisë civile dhe gazetarët e pranishëm ngritën shqetësimet dhe problematikat konkrete në lidhje me aspektin e të drejtës së informimit, efektivitetit të ligjit në praktike dhe nevojave për ndryshim. 

Disa nga deklarimet e të pranishmëve në forumin e LevziAlbania:

“Nga gjithë eksperienca jonë në terren por edhe nga puna në zyrë kemi disa rekomandime që lidhen kryesisht me Komisionerin për të drejtën e informimit. Mendojmë që ligji duhet të ndryshojë dhe të parashikojë modele të veçanta të dhënies së informacionit për institucione të veçanta në varësi të llojit të informacionit që institucionet menaxhojnë. Qasja pro aktive e institucioneve është për tu vlerësuar por ka nevojë për përmirësime të mëdha“.
Dorian Matlija, ResPublika
“Forumi fokusohet tek krizat e Tërmetit dhe Pandemisë por realisht mund të diskutojmë edhe për krizën e Medias në vetvete. Dy momentet që përmenden shërbyen vetëm për të nxjerrë në pah plotësisht thellimin e krizës që media po kalon prej vitesh. Media është kthyer në promotor dhe është larguar nga funksioni i saj kryesor. Si pasojë mediat nuk prodhojnë më raportime të pavarura, nuk bëhen më hulumtime profesionale dhe të pavarura që pasqyrojnë të gjitha këndvështrimet“.
Mentor Kikia, Forumi i Mendimit të Lirë
Përtej shqetësimeve që u ngritën dhe mendojmë që janë të qenësishme, media ka nevojë për trajnime dhe për aftësime. Duhet të krijohen përpjekje të përbashkëta për të bërë edukim mediatik si të gazetarëve ashtu edhe të publikut. Duhet të orientohet publiku për problemet që vijnë nga informacionet e rreme (Fake Neës) dhe mjetet që mund të përdoren për ti dalluar dhe për ti shmangur informacione të tilla jo të vërteta.
Agim Doksani, Instituti Shqiptar i Medias
Materialet mediatike, në kuadër të kauzave të Shoqërisë Civile, dhe produktet e tyre mediatike shërbejnë në mbledhjen e Informacionit, Ndërgjegjësimin dhe arritjen e Reagimit si të komunitetit gjithashtu të organeve vendim-marrëse. Gjatë pandemisë media është përshtatur me përdorimin e mjeteve dixhitale dhe ka forcuar kapacitetet e saj në përdorimin e tyre pasi u kthye në kanalin kryesor të transmetimit.
Blerjan Bino, SCiDEV
Puna e platformës www.portavendore.al gjatë pandemisë u fokusua në tre shtylla kryesore. Procesin e rindërtimit, Hulumtim mbi vendimet e marra gjatë pandemisë dhe menaxhimin e situatës, Kauza të grantimarrësëve të LA dhe shoqërisë civile.
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e Porta Vendore
Mbështesim disa nga idetë e parafolësve dhe vërejmë se në shumë raste kur ju drejtohemi mediave një nga pyetjet e para që na drejtojnë është nëse kemi përpunuar të dhëna dhe nëse kemi shifra për temat që duam të ngremë. Jemi në mbështetje të fortë të gazetarisë së bazuar në të dhëna, ndaj edhe marrja e informacionit është një aspekt tejet e i rëndësishëm. Mendojmë se Këshillat bashkiak duhet të jenë më shumë përgjegjës dhe të mund të gjobiten në rastet kur nuk publikojnë vendimet e marra apo kur marrin vendime jo transparente. Ky fenomen ka qenë i dukshëm më së shumti gjatë pandemisë.
Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare
Marrja e informacionit ka qenë e vështirë dhe kemi hasur në problematika në aksesimin e tij si ne por edhe bashkëpunëtorët tanë.
Lorin Kadiu, Citizen Channel
Jemi të idesë që vlen një debat publik mbi pagesën ose jo të gazetarëve për të publikuar shkrime apo materiale të caktuara sipas kërkesës. Jemi të idesë që gazetarët duhet të paguhen nga redaksitë e tyre dhe të ruajnë profesionalizmin dhe paanshmërinë në temat që trajtojnë.
Besar Likmeta, BIRN Albania
E mirëkuptojmë situatën e vështirë, krizën dhe gjithë vështirësitë që sjell pandemia por jemi në vitin 2022 dhe nuk duhet të përdoret më pandemia si pretekst për të penguar punën dhe mos dhënien e informacionit. Ka tashmë 8 vite që ligji është në fuqi dhe institucionet duhet të kenë kapacitetet dhe të mbajnë përgjegjësi për këtë aspekt kaq të rëndësishëm.
Geri Emiri, Amfora
“Kriza është konstante. Kemi pasur probleme të vazhdueshme. Nuk kemi marrë përgjigje në shumë raste dhe kërkesa ndaj institucioneve publike“.
Eglantina Bardhi, Together for Life

Gjatë diskutimeve të formumit, përfaqësuesja e Kominisionerit për të Drejtën e Informimit e pranishme bëri me dije se aktualisht janë hartuar disa propozime për ndrushime në ligjin për të drejtën e informimit, brenda të cilit adresohen një pjesë e shqetësimeve të ngritura gjatë diskutimeve të forumit. “Është punuar bashkërisht me aktorët e shoqërisë civile dhe i mirëpresim sugjerimet dhe konsultimet e mëtejshme me të gjitha palët. Kapacitetet njerëzore tonat janë të pamjaftueshme dhe kërkojmë edhe mirëkuptimin për disa çështje që lidhen me shqyrtimin e kërkesave“, u shpreh Znj. Hoxhaj.  

Por cilat ishin disa nga konkluzionet e forumit të organizuar nga LevizAlbania? Ja disa prej tyre të renditura më poshtë:

  • Gazetaria vendore ka shërbyer si një instrument advokimi në duart e aktorëve të shoqërisë civile, për të nxitur institucionet në nivel vendor dhe qendror;
  • Ka nevojë për zhvillimin e trajnimeve tematike për gazetarët në mënyrën e formulimit të kërkesave të informacionit;
  • Të ketë module dhe formate specifike sipas profilit të institucionit për të përmirësuar dhënien pro aktive të informacioneve, në kuadër të programeve institucionale të transparencës;`
  • Të krijohen mekanizma ku për disa lloje më urgjente të informacionit të mund të ketë procedurë të përshpejtuar pasi natyra e lajmit është e tillë që kërkon informacione të besueshme në kohën reale që ngjarjet ndodhin;
  • Të rishikohet vendimi i Ministrisë së Drejtësisë për anonimitetin në dhënien e informacionit që lidhet me vendime / transkripte të seancave gjyqësore, të hapura për publikun;
  • Formatet e dhënies së informacionit të programeve institucionale të transparencës, për bashkitë, të jenë të ndryshme nga institucionet e tjera të qeverisjes qendrore;
  • Të shikohet mundësia e kthimit të gjobave dhe sanksioneve në tituj ekzekutiv që të mund të mblidhen tërësisht nga Komisioneri në rastet e shkeljeve të vërtetuara;
  • Të rishikohen mekanizmat aktuale të ligjit për vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës për dhënien e informacionit në institucione pasi vlerësohen jo të mjaftueshme;
  • Të kete një konsultim sa më të gjerë të draftit të ligjit të ri të përgatitur nga Komisioneri;

LevizAlbania, projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC që zbatohet nga konsorciumi i tre organizatave shqiptare si Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe Co-PLAN, mbetet e vendosur dhe angazhuar për të mbështetur aktorët e shoqërisë civile, organizatat mediatike dhe gazetarët në tërësi në kuadër të rritjes së transparencëes prej institucioneve vendore, me qëllim forcimin e demokracisë në nivel vendor, rritjen e përgjegjeshmërisë në qeverisjen vendore dhe ushtrimin e presionit pozitiv e konstruktiv për një qeversije vendore sa më cilësore.

Në nuk e ke ndjekur LIVE forumin e LevizAlbania mund ta shikosh të plotë në videon më poshtë:

#LevizAlbania #DedikuarDemokracisëVendore #GazetariaNeKoheKrizash

Fotogaleria e aktivitetit të LevizAlbania

Pazari i Ri, Pallati Nr. 74, Kati 2, Tiranë

+355 44 500 153