Lëviz Albania

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në krah të PAK. Fitohen betejat e para ndaj institucioneve që nuk zbatojnë ligjin

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në krah të PAK. Fitohen betejat e para ndaj institucioneve që nuk zbatojnë ligjin

ima 1210x642

Aksesi për personat me aftësi të kufizuara në institucionet publike mbetet një ngërç, i cili vijon prej vitesh, ndonëse fryma e ndërgjegjësimit ka filluar të gjejë zbatim pranë tyre. Megjithatë shqetësues mbetet fakti që edhe pse që prej 6 vitesh ka një VKM ku deklarohet se të gjitha investimet e reja duhet të krijojnë aksesueshmëri për PAK, në shumë raste, kjo VKM nuk merret parasysh.

Në 6 mujorin e parë të vitit 2021, Komisioneri ka trajtuar gjithsej 28 çështje (këtu përfshihen ankesat dhe çështjet e filluara kryesisht nga ana e Komisionerit) me pretendim diskriminimi për shkak të aftësisë së kufizuar.

Nga këto, 11 prej këtyre çështje kanë patur si objekt të tyre mungesën e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar. Ndërsa sa i përket problematikave të trajtuara Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi informon se janë gjeografikisht probleme të konstatuara në qytetet kryesore të Shqipërisë, lidhur me shërbimin e Postës Shqiptare, por edhe mungesën e aksesueshmërisë në shërbimin e transportit publik në Bashkitë Durrës, Vlorë dhe Kamëz ose gjithashtu edhe mungesën e aksesueshmërisë në qendrat e votimit, në Bashkitë Durrës, Shijak, Krujë dhe Tiranë, gjatë Zgjedhjeve për Kuvend, të datës 25 Prillit 2021.

Sa i takon vendimeve që ky institucion ka ndërmarrë, lidhur kjo edhe me shqetësimet që përcillen nga aktivistë dhe drejtues të shoqërisë civile për mosrespektimin e ligjit nga ana e institucioneve qendrore e vendore, në përgjigjen zyrtare referuar Portës Vendore, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi bën me dije se:

“Në 6 mujorin e parë të vitit 2021, Komisioneri ka marrë 5 vendime, duke konstatuar diskriminimin e personave me aftësi të kufizuar për shkak të mungesës së aksesueshmërisë. Konkretisht: Konstatimin e diskriminimit të personave me aftësi të kufizuara, për shkak të mungesës së aksesueshmërisë nga ana e Postës Shqiptare sh.a, në lidhje me ofrimin e shërbimeve nga ana e saj pranë Zyrës Postare Qendër Shkodër. Në rastin e Zyrës Postare Nr.14, Tiranë, Posta Shqiptare sh.a mori për sigurimin e aksesueshmërisë gjatë kohës që ankesa ishte në shqyrtim pranë Komisionerit dhe për rrjedhojë, Komisioneri ndërpreu procedurën e shqyrtimit pasi ishte përmbushur objekti dhe qëllimi për të cilin ankuesi kishte paraqitur ankesën. Konstatimin e diskriminimit të palës ankuese (zgjedhës me aftësi të kufizuar) për shkak të mungesës së aksesueshmërisë në një prej qendrave të votimit nga Bashkia Tiranë. Konstatimin e diskriminimit të personave me aftësi të kufizuara për shkak të mungesës së aksesueshmërisë në ofrimin e shërbimit të transportit publik nga Durrës. Konstatimin e diskriminimit të personave me aftësi të kufizuara për shkak të mungesës së aksesueshmërisë në ofrimin e shërbimit të transportit publik nga Bashkia Kamëz. Konstatimin e diskriminimit të personave me aftësi të kufizuar për shkak të mungesës së standardeve të aksesueshmërisë në ofrimin e shërbimit për pajisjen me dokumentat biometrikë të identifikimit, nga Aleat sh.p.k dhe Ministria e Brendshme”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni për Portën Vendore.

Në lidhje me zbatimin e vendimeve të Komisionerit ka pasur një sërë rezultatesh gjatë periudhës së 6 mujorit të parë të 2021.

–  Posta Shqiptare sh.a, pas vendimit të Komisionerit, mori masa për sigurimin e aksesueshmërisë në filialin e saj në qytetin e Shkodrës.

–  Aleat sh.p.k, pati një reagim të menjëhershëm dhe angazhim për marrjen e masave për zbatimin e vendimit të Komisionerit, ndryshe nga Ministria e Brendshme, e cila nuk ka reaguar dhe nuk ka informuar Komisionerin lidhur me masat për zbatimin e vendimit.

Ndërkohë, komisioneri bën të ditur se çështjet e tjera vazhdojnë të jenë në shqyrtim dhe nuk ka akoma një vendimmarrje nga institucioni. “Vendimet e marra nga Komisioneri, kundër Bashkisë Durrës, Kamëz dhe Tiranë, janë ende në proces dhe pritet që këto institucione të informojnë Komisionerin brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, lidhur me masat për zbatimin e vendimeve”, thuhet në përgjigje.

Pavarësisht ligjeve dhe konventave në favor të personave me aftësi të kufizuar, sërish kjo kategori e shoqërisë has pengesa në aksesin ndaj shërbimeve në vendin tonë. E pyetur nga Porta Vendore, Suela Lala, drejtuese e Fondacionit Së Bashku, tha se ka një diskriminim nga shumica e institucioneve, megjithëse viteve të fundit, falë punës shumë të madhe të organizatave që merren me të drejtat e këtij target-grupi gjërat kanë filluar të ndryshojnë paksa.

“Ndër vite kuptohet se ndërgjegjësimi, por edhe puna e të gjitha organizatave ka çuar në një përmirësim të situatës së aksesueshmërisë, mjafton të përmendim rrugët e Tiranës, që në rrugët kryesore janë ulur trotuaret dhe kjo ka përmirësuar jetën, jo vetëm të personave me aftësi të kufizuar, por edhe nënave me fëmijë, që e kanë më të lehtë të lëvizin në rrugët e qytetit. Por kuptohet që është ende shumë pak, në raport me kohën. Kujtojmë që jemi në mandatin e dytë të mandatit të kryebashkiakut Veliaj dhe vetëm këto mund të përmendim si sukses. Ndërkohë, aksesueshmëria në transport publik vijon të jetë problem. Ende ka rrugë dhe investime që bëhen pa marrë parasysh aksesin e PAK”, shprehet Lala për Portën Vendore, e cila shton se kjo bie në kundërshtim dhe me VKM-në nr. 1704 e 23 dhjetorit 2015, që thotë se ndalohet çdo investim publik nëse nuk ka të përfshira të gjitha elementët e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar. “Në këtë prizëm kemi amfiteatrin te liqeni, i cili është i paaksesueshëm, Kalaja e Tiranës dhe me dhjetëra projekte të tjera që nuk marrin parasysh aksesin e PAK”, përmend ajo disa nga investimet që janë kryer pas nxjerrjes së kësaj VKM-je, por që nuk e kanë marrë në konsideratë.

Por, mungesa e aksesueshmërisë për PAK vihet re edhe në investime të tjera. Fondacioni Së Bashku, në kuadër të një projekti të mbështetur nga Leviz Albania, bëri një monitorim në qarkun Durrës dhe Bashkinë Tiranë, në kuadër të zgjedhjeve, mbi pengimin e të drejtës për të votuar të mijëra personave me aftësi të kufizuar që nuk mundën dot ta aksesojnë procesin për shkak të problematikave me rampat, fletët e votimit etj. “PAK u mohohet e drejta e votës ditën e zgjedhjeve, por këto janë institucione që shërbejnë në çdo ditë të vitit duke iu mohuar aksesueshmërinë personave me aftësi të kufizuar në 365 ditë të vitit. Në qarkun Durrës dhe Bashkinë Tiranë kemi dërguar një sërë ankesash dhe jemi në pritje të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, shprehet ajo.

Një tjetër rast që Fondacioni Së Bashku ka dërguar pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi lidhet me Bashkinë e Shkodrës. Konkretisht, para disa muajsh ngriti një ankesë tek Komisioneri lidhur me rampën e papërshtatshme që ndodhej në Postën Qendrore të Shkodrës, e cila tashmë, sipas Komisionerit ka marrë zgjidhje.

Suela Lala, drejtuese e Fondacionit Së Bashku, tregon se janë duke u marrë edhe me raste të tjera të evidentuara, teksa i kanë ngritur në trajtën e ankesave tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, e që kanë lidhje me qendrat e votimit.

Pazari i Ri, Pallati Nr. 74, Kati 2, Tiranë

+355 44 500 153