LevizAlbania, zhvilloi konkurset e ideve të thirrjes numër 8-të për aplikime. 67 koncept ide të gjeneruara nga aktorët e shoqërisë civile, grupimet informale të qytetarëve dhe individët, paraqitën përpara Bordit të Granteve iniciativat e tyre përmes të cilave synojnë të sjellin ndryshimin e demokracisë vendore, adresojnë problematikat e komunitetit dhe ndikojnë qeverisjen vendore përmes aksioneve me bazë komunitare.
Për shkak të situatës pandemike COVID-19, konkurset e ideve të thirrjes numër 8-të u zhvillluan për tre ditë me radhë në kryeqytet. Aplikantët pjesëmarrës prezantuan dhe sollën në mënyrë konkrete idetë e tyre përpara Bordit të Granteve, në përbërjen e të cilit ishin Anëtarët e Konsorciumit të projektit LevizAlbania, ekspertë të shoqërisë civile dhe medias nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Përfaqësuesit e Ambasadës Zvicerane dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC ishin prezent gjatë tre ditëve të prezantimit. Znj. Chantal Nicod, Drejtuese e Sektorit të Qeversijes dhe Shëndetit në Ambasadën Zvicerane u shpreh gjatë fjalës përshëndetëse se konkurset e ideve janë një moment i rëndësishëm për demokracinë vendore. “Jemi mbledhur këtu për të festuar demokracinë, për të mbështetur dhe angazhuar të gjithë qytetarët në demokraci. Jemi mbledhur për të festuar angazhimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve nga vetë qytetarët. Është shumë e rëndësishme që të gjithë aplikantët të përfaqësojnë komunitetet ku ata jetojnë. Është shumë e rëndësishme për ekipin tonë por edhe për Ambasadën Zvicerane që të mbështesim masën kritike” – u shpreh Znj. Nicod.
Konkurset e Ideve janë një instrument unikal dhe novator që projekti LevizAlbania ka përqafuar që prej Thirrjes Nr.1 për aplikime. Një instrument që mundëson një proces transparent konkurimi dhe vlerësimi, të ekuilibuar, të drejtë e për më tepër krijon sinergjinë e domosdoshme midis aktorëve të shoqërisë civile. Përmes Konkurseve të Ideve, LevizAlbania ka bërë të mundur që qytetarët nga të 61 bashkitë e vendit të njihen me ndërhyrjet që realizohen në zonat e tyre.
Në përfundim të konkurimit, Bordi i Granteve të LevizAlbania vlerësoi si ide që kalojnë në fazën pasardhëse atë të hartimit të projekt-propozimit të plotë 43 aplikime prej të cilave, 29 nga Organizatat Jo-Fitimprurëse, 8 nga individët dhe 6 ide nga grupimet informale të qytetarëve.
NJIHUNI ME KONCEPT-IDETË E KUALIFIKUARA PËR NË FAZËN PASARDHËSE
Faza e hartimit të projekt propozimit të plotë nga aplikantët e kualifikuar nuk është një fazë përfundimatare, prandaj ajo është cilësuar si miratim me kusht, pasi projekti LevizAlbania do të vlerësojë të gjithë dokumentacionin e aplikantëve dhe projekt-propozimin e plotë, në të cilin do të duhet të reflektohen të gjitha komentet dhe sugjerimet e Bordit të Granteve. Për të ridëgjuar të gjithë komentet e Bordit të Granteve mjafton të vitizoni kanalin e LevizAlbania në #Facebook, aty gjenden të gjitha videot e Konkursit të Ideve.
LevizAlbania në ditët në vijim do të organizojë një Sesion Udhëzues me të gjithë konkurentët e kualifikuar për në fazën e Projekt Propozimit të Plotë dhe çdo komunikim me aplikantët e kualifikuar do të realizohet përmes rrugëve zyrtare të projektit.
REGJISTRIMI NË SESIONIN UDHËZUES PËR PROJEKT PROPOZIMET E PLOTA (OJF, INDIVDË, GRUPE INFORMALE)
REGJISTRIMI I APLIKANTËVE INDIVID DHE GRUPE INFORMALE PËR PJESËN FINANCIARE
Sqarim informues: Aplikantët e kualifikuar nën kategorinë “Individë dhe Grupime Informale” duhet të bashkohen në ZOOM në date 4 Tetor 2021, ora 12:00 ditë në të cilën aktivizohet dhe takimi në Zoom Meeting.
LevizAlbania është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC që zbatohet nga konsorciumi i tre organizatave shqiptare: Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Partnerët Shqipëri për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Co-PLAN, Instituti i Zhvillimit të Habitatit.
https://levizalbania.al/sq/lajme/konkruset-e-ideve-festa-e-demokracise-vendore#sigProId13a8a6017a