Lëviz Albania

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

Mbështetja ndaj individëve dhe grupeve informale – Rasti i LevizAlbania

Mbështetja ndaj individëve dhe grupeve informale – Rasti i LevizAlbania

Mbështetja ndaj individëve dhe grupeve informale – rasti i projektit LevizAlbania

Përmbledhje

Ky artikull përpiqet të analizojë dhe shpjegojë tiparet e mbështetjes së LevizAlbania ndaj individëve dhe grupeve informale. Duke dhënë edhe një dimension teorik dhe të mbledhjes së përvojave në këtë fushë, punimi jep një pasqyrë të dallimeve midis grupeve formale dhe informale, duke u ndalur edhe tek impakti që ka ndërveprimi midis tyre tek pjesëmarrja dhe angazhimi qytetar. Për këtë qëllim një skemë përmbledhëse prezantohet me qëllim një strukturim më të dobishëm të diskutimit mbi tematikën. Artikulli ndalet më konkretisht edhe tek përvoja e LevizAlbania me mbështetjen ndaj individëve dhe grupeve informale, duke shpjeguar shkurtimisht karakteristikat, aspektet pozitive si dhe vështirësitë e hasura. Në fund, artikulli përmbledh dhe liston disa rekomandime kyçe që mund t'i shërbejnë vetë individëve dhe grupeve informale, por sidomos edhe partnerëve zhvillimorë dhe mbështetësve të nismave e projekteve që do të propozohen në të ardhmen.

Hyrje

Qëllimi i këtij artikulli është të shpjegojë dhe analizojë përfshirjen e individëve dhe grupeve informale në demokratizimin e vendit, me fokus mbështetjen e LevizAlbania ndaj këtyre aktorëve të shoqërisë. Në kontekstin e shoqërisë shqiptare, kjo qasje e LevizAlbania ka qenë inovative duke sjellë një risi që ka ndikuar gradualisht edhe tek projektet apo partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Kjo strategji, nga një anë ka rritur ndjeshëm shtrirjen horizontale të ndikimit dhe mbështetjes së LevizAlbania në vend, duke arritur edhe në zona e sektorë jo lehtësisht të identifikueshëm nga mbështetësit e shoqërisë civile apo edhe të demokratizimit në përgjithësi. Nga ana tjetër, kjo qasje ka eksploruar edhe më vertikalisht komunitetet dhe shoqërinë shqiptare, duke gërmuar midis individëve dhe grupimeve aktive dhe me potencial për të ndikuar në zhvillimin e projekteve me impakt.

Për këtë arsye, pas ciklit të gjatë të eksperiencës së LevizAlbania në vend, bëhet e nevojshme një analizë për të kuptuar dinamikat e mbështetjes ndaj kësaj kategorie të veçantë e të rëndësishme në Shqipëri. Në radhë të parë, artikulli shpjegon shkurtimisht dallimet midis shoqërisë civile formale dhe informale, duke u ndalur tek literatura ekzistuese dhe gjetjet nga analiza të mëparshme, që kanë ndihmuar edhe në teorizimin e kësaj fushe. Këtu do të përpiqemi të shpjegojmë dhe karakteristikat kryesore të angazhimit të grupeve informale përkundrejt organizatave klasike të shoqërisë civile, sidomos duke u ndalur tek rëndësia që ka ndërveprimi i secilës palë me institucionet dhe me njëra tjetrën.

Më pas, eksperienca specifike e LevizAlbania me individët dhe grupet informale do të jetë në qendër të seksionit vijues. Siç u theksua, në këtë qasje LevizAlbania ka qenë pioniere dhe ka hapur rrugën për përfshirjen, angazhimin dhe fuqizimin e grupimeve jashtë kornizës së zakonshme të ndërveprimit të shoqërisë civile në Shqipëri. Në këtë kuadër artikulli përpiqet të shpjegojë eksperiencën konkrete të LevizAlbania në këtë drejtim, duke u ndalur sidomos edhe tek mësimet e nxjerra dhe praktikat e mira të identifikuara. Duke u bazuar kryesisht në rezultatet konkrete, ky seksion trajton edhe pengesat e hasura dhe vështirësitë në ndërveprimin dhe mbështetjen e këtyre grupeve.

Në mbyllje, artikulli ndalet tek disa përfundime dhe rekomandime konkrete në lidhje me rolin e grupeve informale dhe specifikat e mbështetjes së tyre për demokratizimin e vendit. Këto rekomandime bazohen tek analiza e kryer nga teoria dhe akumulimi i eksperiencës së deritanishme, sidomos nga praktika e LevizAlbania.

Veçoritë dhe rëndësia e përfshirjes së individëve dhe grupeve informale

Pjesëmarrja dhe angazhimi i shoqërisë civile, në kuptimin e gjerë të saj, njihet tashmë si element shumë i rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e shkallës së demokratizimit të vendeve. Vetëorganizimi i shoqërisë dhe komuniteteve për të mbështetur ide të caktuara, për të mbrojtur apo kërkuar të drejta, e për të sjellë ndryshime në politikat publike, ndihmon shumë në pasurimin e jetës publike dhe ndikon në rezultate më të mira dhe të qëndrueshme të qeverisjes. Kjo kategori e shoqërisë paraqet formate të shumëllojshme, ku të gjitha kanë rolin dhe kontributin e tyre, duke prezantuar struktura dhe mënyra organizimi të ndryshme, por edhe duke përdorur mjete dhe strategji të ndryshme.

Në vendet e zhvilluara prania e grupeve informale dhe individëve aktivë në shoqëri është e hershme, duke përfaqësuar një tendencë në rritje, sidomos në kontekstin e zhvillimeve të dekadave të fundit dhe agjendës së globalizimit. Nevoja për aktivizëm dhe aleanca të ndryshme përtej kufijve shtetërorë, ka kërkuar një fleksibilitet dhe lirshmëri angazhimi e veprimi që tejkalon formatet klasike të organizatave të shoqërisë civile. Megjithatë, në rastin e Shqipërisë këto eksperienca kanë qenë më sporadike dhe nuk kanë përbërë një zhvillim konsistent dhe të njëtrajtshëm në territor. Këtu u fut suksesshëm edhe strategjia e LevizAlbania duke sjellë një ndryshim të dinamikave në komunitete me anë të mbështetjes direkte në aksionet dhe projektet e tyre.

Ndryshe nga organizata e shoqërisë civile, shoqëria civile informale, siç përcaktohet në literaturë, përbëhet nga rregulla dhe aleanca më pak të përcaktuara dhe më pak të dukshme. Ky term u referohet elementeve më të organizuar të komuniteteve, lehtësisht të identifikueshme nga të brendshëm, por shpesh të padukshëm për ata nga jashtë. Rregullat e shoqërisë civile informale nuk shndërrohen aq shpesh në rregulla formale dhe përcaktuese të angazhimi publik, sa ato në shoqërinë civile formale. Dallimet në mënyrën e organizimit dhe të strukturimit janë elementi kryesor në ndarjen midis dy kategorive.

Një element tjetër i rëndësishëm është edhe fakti që, historikisht, vëmendja më e madhe i kushtohet shoqërisë civile formale, karakteristikave të saj si dhe marrëdhënies së saj me shtetin. Pavarësisht nga roli i saj kyç në përshtatjen e jetesës, shoqëria civile joformale përgjithësisht është e margjinalizuar dhe ka qenë shumë pak në fokus të studimeve dhe analizave. Ndërkohë që për atë formale kemi një literaturë të gjerë dhe një bazë teorike të zhvilluar, për atë informale ka shumë pak punë studimore të bërë dhe përfundimet e nxjerra janë shpesh jo shteruese. Kjo kategori është gjithashtu jashtëzakonisht e vështirë për të vëzhguar, matur ose bërë përgjithësime në lidhje me shoqërinë civile joformale, dhe për këtë arsye ka mbetur në hije. Megjithatë, secili komponent ka rolin e vet domethënës në shoqëri, siç përmblidhet në figurën më poshtë, e prandaj është shumë e rëndësishme të analizohet gjerësisht kjo fushë.

INdivided

Së pari, shoqëria civile, në përkufizimin e vet të gjerë, ndërvepron me pjesën e paorganizuar të komunitetit (qytetarët) nga një anë, si dhe me institucionet në anën tjetër. Këto dy ndërveprime kanë specifikat e tyre dhe kërkojnë natyrë tjetër angazhimi dhe qasjeje. Kështu, puna me institucionet kërkon strukturë formale, organizim dhe procese të standardizuara. Në këtë kuadër edhe menaxhimi i njohurive bëhet më i nevojshëm. Kjo pikëndërpreje midis shoqërisë dhe institucioneve gjeneron edhe formimin e organizatave të shoqërisë civile, sipas fushave të angazhimit. Avantazhi i kësaj kategorie është aftësia teknike për të kuptuar dhe folur gjuhën e institucioneve, si dhe kapaciteti për aksione të strukturuara dhe të organizuara.

Nga ana tjetër, kur shoqëria civile gjerësisht ndërvepron me qytetarët dhe komunitetin e paorganizuar, gjenerohen shpesh edhe xhepa të shoqërisë civile informale apo incentivohen edhe individë me prirje të spikatur për angazhim dhe aktivizëm, siç shfaqet edhe në figurën më lart. Ky është edhe roli i rëndësishëm që ka luajtur edhe LevizAlbania, duke funksionuar si organizatë që ka mbështetur dhe incentivuar daljen e këtyre grupimeve nga statusi i komunitetit të gjerë, tek ai i grupimeve informale të angazhuara. Kjo lidhje midis këtyre dy sferave është tepër i rëndësishëm pasi të dyja hapësirat ndihmojnë njëra tjetrën dhe forcojnë demokratizimin. Nga një anë, shoqëria civile përfiton më shumë legjitimitet përfaqësimi dhe të dhëna nga terreni, duke përmirësuar rezultatet e punës së vet dhe fuqinë e aksioneve, me një përfshirje më të gjerë. Nga ana tjetër, komuniteti dhe qytetarët përfitojnë nga eksperienca e organizatave të shoqërisë civile dhe kanë mundësi të mësojnë aftësi dhe instrumenta për të bërë betejat e tyre me institucionet. Ky proces socializimi dhe transferimi njohurish shërben edhe për të aftësuar individët për të mobilizuar edhe grupe/individë të tjerë për kauzat e tyre. Ky ndërveprim shërben edhe për të krijuar atë që në literaturë quhet shoqëri civile informale (shiko figurën).

Për sa i përket ndërveprimit me institucionet, shoqëria civile, në kuptimin e gjerë, kalon nëpërmjet një strukturimi të domosdoshëm duke u kanalizuar në organizata të shoqërisë civile, që bëhen edhe pala dialoguese me strukturat shtetërore dhe politikëbërësit. Pikëprerja midis institucioneve dhe shoqërisë civile ka nevojë për aktorë të formalizuar, që kuptojnë gjuhën e shtetit dhe politikave publike e mund të përfshihen efektivisht në proceset institucionale. Për këtë arsye, roli i këtyre organizatave shpesh merr trajtën e ndërmjetësuesit dhe mundësuesit të përçimit të zërit të komuniteteve tek marrja e vendimeve. Nga ana tjetër, njihen edhe plot raste kur komuniteti ndërvepron në mënyrë të drejtpërdrejtë me institucionet, duke prodhuar elita apo liderë të komunitetit. Këta individë që përfaqësojnë një komunitet jo të strukturuar e të mirëorganizuar, kanë shpesh aftësitë dhe krijojnë hapësirën për të ngritur zërin për llogari të zonës apo fushës ku bëjnë pjesë. Këto praktika rezultojnë të dobishme për tematika shumë specifike, por humbasin efektshmërinë nëse synojnë aktivizëm të përgjithshëm.

Së fundi, formati ideal i kombinimit të ndërveprimit midis aktorëve shtetërorë, shoqërisë civile dhe komuniteteve sjell edhe pjesëmarrje efektive. Ndërthurja e aksioneve midis tre komponentëve sjell në këtë tablo cilësitë dhe veçoritë e secilës palë, duke kontribuar në rritje të gjithë përfshirjes dhe në dialog të strukturuar por edhe përfaqësues midis tyre. Këtë qasje e ka adoptuar shpesh strategjikisht edhe LevizAlbania, sidomos në thirrjet ku kërkohej angazhimi i grupimeve vendore apo individëve, me organizata të shoqërisë civile, për të adresuar çështje të caktuara tek autoritetet vendore.

Pavarësisht se skema e mësipërme e paraqitur në grafik përmbledh dinamikat dhe rezultatet e ndërveprimit midis palëve, ka edhe disa cilësi pozitive shtesë që individët dhe grupet informale sjellin në fushën e angazhimit publik dhe demokratizimit. Së pari, këto aktorë sjellin një qasje horizontale duke mbuluar me shumë territor dhe më shumë sektorë seç mund të bëjnë organizatat e shoqërisë civile. Këto të fundit, e kanë zakonisht të përcaktuar në statut fushën e veprimit dhe shpesh kufizojnë aktivitetet e tyre edhe nga pikëpamja e zonës gjeografike. Ndërkohë që grupet informale dhe individët paraqesin disa avantazhe në këtë drejtim. Së dyti, krahas komponentit horizontal, grupet informale kanë karakteristike edhe fluiditetin në veprimtarinë e tyre. Ndërkohë që organizatat kanë struktura dhe procese të standardizuara, të diktuara shpesh edhe nga nevoja e angazhimit në projekte të caktuara dhe rregulloret e tyre përkatëse, grupet informale mund të përshtaten më lehtë me nevojat e terrenit dhe ndryshimet e mundshme të tematikës që synojnë të adresojnë. Së fundi, qasja e grupeve informale është shumë më praktike, duke angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në nismat dhe veprimet. Ndërsa organizatat kanë si funksion të mobilizojnë, fuqizojnë dhe organizojnë komunitetet, individët dhe grupet informale kanë një qasje më të lidhur me terrenin dhe me impaktin e drejtpërdrejtë.

Pavarësisht avantazheve, grupet informale dhe individët aktivistë paraqesin edhe disa kufizime dhe vështirësi. Edhe pse grupet informale mund të bazohen në një larmi të gjerë anëtarësh rreth një çështjeje, kjo mund të krijojë konflikte dhe mosmarrëveshje që më pas fryhen dhe minojnë përpjekjet e mobilizimit. Pikërisht një nga pikat e forcës së tyre, fleksibiliteti dhe mungesa e një strukture të ngurtë, përmban edhe pika të dobëta nga ky këndvështrim. Gjithashtu, grupet informale e kanë shumë të vështirë të bëjnë koalicione strategjike me grupe të tjera duke pasur parasysh vështirësinë e marrjes së vendimeve kolektive. Kjo e dobëson potencialin dhe impaktin e aktivizimit të tyre, duke mos mobilizuar të gjitha energjitë dhe kapacitetet të nevojshme. Për më tepër, grupet informale kanë edhe më pak akses në dialogun me politikëbërjen duke u shfaqur edhe shumë të shkëputur nga forume të mundshme dhe konsultime publike të strukturuara.

Eksperienca dhe mësimet e nxjerra nga LevizAlbania

Në vizionin dhe strategjinë e vet, LevizAlbania ka patur një qasje gjithëpërfshirëse për sa i përket mbështetjes së gjithë aktorëve të shoqërisë, duke përfshirë edhe individët dhe grupet informale. Kjo risi, siç u prezantua më lart, ka sjellë disa zhvillime interesante duke sjellë impakt dhe incentivuar aktivistë nga të gjitha zonat e vendit. Përgjatë gjithë aktivitetit me shoqërinë civile në Shqipëri, LevizAlbania, gjatë këtyre tetë viteve, ka mbështetur gjithsej, nëpërmjet instrumentit të Thirrjes për Aplikime dhe Reagimit të Shpejtë, 76 individë dhe 25 grupe informale, me grante për projekte të realizuara në zonat e tyre. Nga eksperienca e akumuluar pas gjithë thirrjeve dhe projekteve të aplikuara, ka disa elementë që e kanë bërë këtë praktikë të rëndësishme për rritjen e angazhimit qytetar, edhe jashtë kontekstit të organizatave të shoqërisë civile.

Së pari, konkursi i ideve përbën një nga komponentët më të dobishëm për aftësimin por dhe rritjen e besimit të individëve të angazhuar dhe grupeve informale tek aktivizmi. Gjatë këtyre sesioneve, individët janë vënë në kontakt me të tjerë aktivistë, kanë mundur të dëgjojnë dhe mësojnë ide të reja, si dhe janë aftësuar në lidhje me prezantimin dhe advokimin për betejat e tyre. Pa i strukturuar në mënyrë tepër të ngurtë, konkursi ka mundur të japë hapësirë për individë dhe ide të shumëllojshme, duke rritur edhe vizibilitetin e tyre. Gjithsej, llogaritet që rreth 203 individë dhe 47 grupe informale kanë marrë pjesë dhe kanë prezantuar në konkurset e ideve.

Së dyti, nga pikëpamja e zbatimit të projekteve, një tjetër praktikë shumë e dobishme ka qenë edhe mundësia e mentorimit të individëve dhe grupeve informale, si pjesë përbërëse e projektit. Kjo qasje ka rezultuar si e nevojshme për disa aspekte. Procesi i të mësuarit mbi planifikimin, mobilizimin dhe advokimin i ka shërbyer individëve në aftësimin e tyre, e për rrjedhojë ndikon në rritjen e qëndrueshmërisë dhe vazhdueshmërisë së aktivizmit të tyre. Gjithashtu, ky proces edhe socializimi dhe mobilizimi më efektiv, ka ndihmuar edhe në rritjen e vizibilitetit dhe shkallës së mobilizimit në komunitet. Duke qenë se një nga pikat e dobëta e grantmarrësve individë ka qenë shpesh mungesa e eksperiencës me projektet dhe pamundësia për të përmbushur aspektet administrative dhe burokratike, prania e një mentori ka qenë një gjetje me rëndësi, për të garantuar mbarëvajtjen dhe impaktin e synuar të projektit. Të gjitha projektet e zbatuara nga individë dhe grupe informale kanë përfituar nga mentorimi duke bërë të mundur kështu që shumica e tyre të arrijë objektivat dhe rezultatet e përcaktuar në projekte.

Së treti, angazhimi në projekte të strukturuara, i ka ndihmuar individët që të njihen me qasje të reja dhe të përftojnë nga të menduarit strategjikisht në lidhje me objektivat e synuara. Duke i lënë atyre lirshmërinë e përzgjedhjes së metodave dhe përshtatjen me kontekstin, është mundësuar që ndërkohë të pajisjen me njohuri të domosdoshme mbi funksionimin e institucioneve, donatorëve, organizatave, etj. Kjo do t'u shërbejë afatgjatë në angazhimin e tyre duke i ndihmuar për të rritur efikasitetin e aksioneve të ndërmarra. Gjithashtu, marrja pak nga mendësia e projekteve, edhe pse rrit strukturimin, ndikon edhe në menaxhim më të mirë të punëve që ata kryejnë në komunitet.

Të tre këto elementë kanë qenë shumë të rëndësishëm dhe me vlerë si në formimin e tyre individual ashtu edhe në atë professional duke i shtuar aftësi të nevojshme që mund të përdoren në vijimësi në iniciativa të tjera të ngjashme.

Një mësim tjetër i nxjerrë nga kjo eksperiencë e LevizAlbania është edhe përfshirja e grupimeve informale dhe individëve në platforma informimi dhe diskutimi mbi tematika të ndryshme që lidhen me demokracinë lokale duke ofruar kështu një informacion të gjerë më anë të shembujve konkretë. Janë organizuar rreth 16 platforma informimi dhe diskutimi të cilat kanë rezultuar të suksesshme jo vetëm në thellimin e njohurive dhe njohjen e instrumentave të ndryshëm (sic janë psh peticionet on-line; platforma vullnetarizëm.al etj) por edhe në rrjetëzimin e tyre në vijimësi të angazhimit qytetar, socializimit dhe rritjen e qëndrueshmërisë së angazhimit të tyre.

Krahas përfitimeve, përvoja e LevizAlbania ka regjistruar edhe disa mësime të nxjerra në mbështetjen ndaj individëve. Pavarësisht aspekteve pozitive dhe të mësuarit nga formati i projekteve, pavarësisht edhe ndihmës së mentorimit, shpesh individët dhe grupet informale e kanë patur të vështirë përshtatjen me modalitetet dhe afatet e zbatimit të një projekti. Duke qenë përfaqësues komunitetesh në territor dhe të pamësuar me dinamikat e projekteve, kjo ka vështirësuar zbatimin e projekteve duke mbingarkuar individët me aspekte administrative. Nga një anë kjo është domosdoshmëri për shkak të rregullave të brendshme, por nga ana tjetër mund të ketë dekuarajuar disa grupime e individë që të afrohen dhe angazhohen për mbështetje tek LevizAlbania.

Gjithashtu, një vështirësi tjetër e hasur gjatë zbatimit të projekteve veçanërisht me individët është e lidhur me burimet dhe kapacitetet e kufizuara të kësaj kategorie në krahasim me ato të organizatave më të konsoliduara. Kjo është e lidhur sidomos edhe me kontaktet e nevojshme me autoritetet lokale dhe koordinimin e punës me këto autoritete e cila në disa raste ka sjellë vonesa në përgjigje, në informacione të kërkuara dhe rrjedhimisht mos realizimin në kohë të rezultateve të projektit.  

Përfundime dhe rekomandime për të ardhmen

Në tërësi, mbështetja ndaj individëve dhe grupeve informale ka qenë një eksperience e suksesshme dhe tejet e dobishme në kontekstin e LevizAlbania. Mundësia e angazhimit të individëve apo grupimeve të paregjistruar ka plotësuar një mangësi që ka karakterizuar fushën e mbështetjes ndaj aktivizmit dhe demokratizimit. LevizAlbania ka krijuar një praktikë shumë të mirë në këtë drejtim, me një sërë mësimesh dhe formatesh të dobishme e të aplikueshme.

Pikërisht lidhur me këtë të fundit, rekomandimi i parë i dalë nga ky artikull ka të bëjë me nevojën e përhapjes dhe nxitjes së këtij modeli edhe midis donatorëve dhe agjencive të zhvillimit në vend. Eksperienca e LevizAlbania, konkursi i ideve, trajnimet, mentorimi, e gjithë baza e njohurive e ngritur për këtë kategori duhet t'i shërbejë aktorëve të tjerë që janë të hapur për të konsideruar mbështetje përtej organizatave të shoqërisë civile.

Së dyti, nevoja për rrjetëzim dhe bashkëpunim/shkëmbim midis individëve dhe grupeve informale është një element i rëndësishëm për të siguruar qëndrueshmëri në angazhimin e tyre në komunitet. Shpesh është vënë re një aktivizim individual dhe rastësor i tyre, mbi tematika të veçanta, por pa u angazhuar në vazhdimësi. Ndërlidhja me aktorë të tjerë të ngjashëm dhe ekspozimi ndaj tematikave të tjera, mund të krijojë mundësi dhe hapësira për rritje të angazhimit dhe pjesëmarrjes.

Së treti, eksperienca e LA me individët ka treguar se shpesh këto angazhime sjellin ndryshime të konsiderueshme si në botëkuptimin dhe aftësitë e angazhimit të tij, por edhe të aktorëve të tjerë që përfshihen në projektin e tij. Në këtë drejtim, mbështetja ndaj individëve dhe grupeve informale duhet konsideruar strategjikisht edhe si proces edukimi demokratik me impakt të konsiderueshëm, përtej projektit specifik dhe rezultateve të tij. Për këtë qëllim, kjo qasje duhet të jetë në vëmendje të posaçme edhe në vazhdimësi.

Një rekomandim tjetër që lidhet me zbatimin e suksesshëm të granteve individuale është përdorimi i instrumentit të mentorimit i cili ka rezultuar shumë i rëndësishëm jo vetëm në zbatimin e projekteve por edhe në ngritjen e kapaciteteve të individëve dhe vazhdimësinë e aktivizmit të tyre në komunitetet që përfaqësojnë. Ky instrument, i vazhdueshëm gjatë gjithë kohëzgjatjes së grantit, jo domosdoshmërisht ka qënë i njëjtë për të gjithë, por është përshtatur për të dhënë kontribut dhe ndihmesë sipas nevojave dhe aftësive. Duke rritur kapacitetet menaxhuese, advokuese, organizuese individi fiton besimin për të vijuar më tej kauza e për të ngritur zërin dhe për të fituar sa më shumë legjitimitet në komunitetet që përfaqësojnë.

Rreth LevizAlbania

LevizAlbania është projekti i Demokracisë Lokale i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) i zbatuar nga një konsorcium i (i) Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), (ii) Partnerëve Shqipëri dhe (iii) Co-Plan. Që nga viti 2015, LA ka kontribuar në rritjen e demokracisë lokale, përmes granteve për Organizatat Jofitimprurëse (OJF), grupet informale dhe individëve, duke mbështetur kërkesën e tyre për qeverisje vendore transparente dhe të përgjegjshme dhe shërbime publike efikase. Projekti mbështet ndërtimin e koalicioneve për të nxitur ndryshime strukturore dhe sistematike në nivel lokal dhe kombëtar dhe për të promovuar praktikat pozitive në mbështetje të demokracisë lokale.

Sistemi i Menaxhimit të Njohurive dhe Platforma e Angazhimit Qytetar

Platforma për Menaxhimin e Njohurive dhe Angazhimin Qytetar të LëvizAlbania ka si qëllim mbledhjen, strukturimin dhe kapitalizimin e gjithë kontributit dhe arritjeve të LA në 6 vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, ky ushtrim shqyrton sfidat me të cilat përballet LëvizAlbania në arritjen e objektivave të saj, por edhe sfidat e grantmarrësve dhe kontekstin më të gjerë të demokracisë lokale. Menaxhimi i njohurive analizon proceset e brendshme dhe të jashtme të LA si dhe koncepton ngritjen e mekanizmave bazuar në nevojat e identifikuara. Kjo qasje e zgjedhur synon të përmirësojë efektivitetin e projekteve të reja dhe do të rrënjos një kulturë të përdorimit sistematik dhe të strukturuar të njohurive të marra, duke përdorur instrumentet dhe mekanizmat (platformën) e ngritura. Sistemi i Menaxhimit të Njohurisë dhe Platforma e Angazhimit Qytetar kontribuon në rritjen e efektivitetit të ndërhyrjeve dhe mundëson një analizë të thellë dhe pasqyrë të sfidave për mbështetjen e demokracisë lokale dhe angazhimit qytetar. Ekspertët e angazhuar për këtë nga LevizAlbania: Blerjana Bino dhe Gentian Elezi.

Autorë: Gentian Elezi, Konsulent i Menaxhimit të Njohurive, LevizAlbania & Eriona Kaceli, Menaxhere e Granteve Individuale, LevizAlbania

Pazari i Ri, Pallati Nr. 74, Kati 2, Tiranë

+355 44 500 153