LevizAlbania nisi rrugëtimin e saj në mesin e vitit 2015 kur u ngrit ekipi i projektit dhe u shpall thirrja e parë për aplikime.
Që në fillim, projekti u mirëprit nga komuniteti i Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC), që iu përgjigj thirrjeve për aplikime me interes të shtuar. LA solli një qasje inovative, përmes aplikimit të mekanizmave të ndryshëm, që synonin mbulimin e një game të gjerë fushash veprimi, për të arritur objektivin përfundimtar që ka ndjekur projekti përgjatë këtyre viteve: "Demokracia Lokale në Veprim".
Që në fillim, LevizAlbania është udhëhequr nga parimi i gjithëpërfshirjes. Mbështetja e individëve dhe grupeve informale ka qenë një nga karakteristikat e LA, e sjellë si një risi, që u transformua më pas në një model autentik për t’u replikuar nga donatorë të tjerë në Shqipëri.
"Konkursi i Ideve" ka qenë një tjetër qasje inovative e sjellë në një mënyrë mjaft origjinale nga LevizAlbania, në përmbushje të parimit të transparencës. Konkursi i Ideve ka shërbyer gjithashtu, në mjaft raste, si një forum për shkëmbimin e përvojave dhe rrjetëzim mes organizatave aplikuese.
Krijimi i instrumentave mbështetës për organizatat, grupet informale dhe individët, përfshirë në thirrjet e ndryshme për aplikime, ka ndihmuar këto të fundit me një mjedis më mundësues për arritjen e objektivave të projekteve të veçanta.
Në këtë kontekst, LevizAlbania zhvilloi tre mekanizma kyç të mbështetjes: i) Financat Vendore që shërbeu si bazë të dhënash dhe një pikë reference në adresimin e çështjeve të transparencës dhe monitorimin e standardeve të qeverisjes vendore; ii) Porta Vendore që ka shërbyer si një dritare informuese për të fuqizuar median vendore në adresimin e çështjeve të identifikuara nga grantmarrësit e LA dhe nga qytetarët; iii) Klinika e Ligjit që gjithashtu ka qenë instrument efektiv i mbështetjes, që është përdorur shpesh nga grantmarrësit e LA në proceset gjyqësore. Ky instrument u kthye në një faktor ndryshimi i fushatave të advokimit dhe lobimit.
Nga 2015 deri në fund të vitit 2022 LA ka shpallur 9 Thirrje për Aplikime, ka mbështetur 12 Grante Strategjike, 23 projekte NSH, 362 individë, grupe informale dhe OSHC, si dhe më shumë se 75,000 qytetarë të përfshirë në këto projekte. Rreth 40% e aktorëve civilë të mbështetur, vijojnë të çojnë përpara nisma në dobi të komuniteteve vendore edhe pas përfundimit të mbështetjes, duke sjellë prova konkrete të ndikimit të qëndrueshëm.
Mbështetja e LevizAlbania për Mjedisin
Edhe pse mjedisi nuk është fokusi i LevizAlbania, që në fillim, LA ka mbështetur nisma dhe aksione që kanë kontribuar në rritjen e ndërgjegjes qytetarë mbi mjedisin, si dhe veprime që kanë të bëjnë me ruajtjen e mjedisit përmes nxitjes së angazhimit qytetar me qasje pjesëmarrëse.
Një mjedis i pastër, i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm ka qenë fokusi i shumë nismave të mbështetura nga LevizAlbania. Për më tëpër, duke qenë një fushë ndërdisiplinore, mjedisi shpesh është i ndërthurur me proceset më themelore të demokracisë, si e drejta e informimit, qasja në vendimmarrje, apo aksesi në drejtësi për çështje mjedisore.
Në këtë këndvështrim, mbështetja e LevizAlbania për nisma apo projekte që synojnë ruajtjen e mjedisit ka ardhur duke u rritur deri në 67 nga 309 projekte gjithsej të mbështetura nga LA.
Për të mësuar më shumë rreth rastit studimor të përgatitur nga eksperti Olsi Nika lexoni materialin e plotë duke klikuar: MBROJTJA E MJEDISIT – MBËSHTETJA E LEVIZALBANIA
Ndërkohë për më shumë informacion të detajuar mbi nismat e mbështetura dhe rezultat e arritura në fushën e mbrojtjes së mjedisit ju ftojmë të vizitoni Platformën e Menaxhimit të Njohurive për Angazhimin Qytetar https://km.levizalbania.al të ndërtuar nga LevizAlbania, projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC që zbatohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe Co-PLAN.
Përgatiti: Olsi Nika
#LevizAlbania – Dedikuar Demokracisë Vendore