Bordi Këshëllimor i Vorës i mbështetur nga LevizAlbania, projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, po zbaton projektin “Një biblotekë për Vorën”.
Peticioni i drejtohet Bashkisë Vorë dhe fton të gjithë banorët e kësaj bashkie të bashkohen për mundësimin e një biblioteke për qytetin e Vorës.
Popullsia e Vorës përbëhet nga 27 % të rinj. Të rinjtë duhet t’u jepet mundësia për zhvillimin e tyre përmes hapësirave të dedikuara për ta. Mungesa e hapësirave rinore dhe aktiviteteve rinore janë dy shqetësimet kryesore të të rinjve të Vorës. Ndër hapësirat më të domosdoshme për zhvillimin e një qyteti dhe specifikisht të rinjve janë bibliotekat.
Sot Vora nuk ka një qendër për të rinjtë, nuk ka një qendër kulture, nuk ka një bibliotekë, nuk ka ambjente sportive për të rinjtë, nuk ka një sallë kinemaje apo teatri.Të rinjtë nuk e gjejnë veten në këtë qytet sepse hapësirat të dedikuara për ta janë 0.
Të rinjtë e Vorës e shikojnë bibliotekën si hapësirën e parë rekreative që duhet t’iu mundësohet atyre. Bordi Rinor Këshillimor Vorë ka iniciuar klubet e librit në 3 gjimnazet e Vorës duke përfshirë rreth 60 të rinj në këto klube dhe nxitur të rinjtë drejt leximit, ndaj mundësimi i kësaj bibliotekë do të zgjeronte më shumë këtë iniciativë dhe do ti shtynte të rinjtë drejt leximit.
Ligji “Për vetëqeverisjen vendore”, neni 25 saktëson që një ndër funksionet e bashkisë në fushën e kulturës, sportit dhe shërbimeve të tjera, ku ndër ta është edhe “detyrimi për të zhvilluar, mbrojtur dhe promovuar bibliotekat dhe ambientet për lexim, me qëllim edukimin e përgjithshëm të qytetarëve”.
Sot Bordi Rinor Këshillimor Vorë si e vetmja strukturë rinore përfaqësuese e të rinjve kërkon që bashkia të buxhetojë një bibliotekë për të rinjtë dhe qytetarët e Vorës.
Mundësimi i hapësirave të tilla garanton rigjallërimin e jetës social-kulturore së të rinjve në këtë bashki, mundëson largimin e tyre nga veset e këqija, jep mundësinë për zhvillimin e tyre në aspektin social e kulturor si dhe krijon mundësi alternative për edukimin dhe argëtimin e të rinjve si dhe zhvillimin e qytetit.
Ka ardhur koha që të rinjve t’iu jepet vëmendja e duhur nga pushteti lokal.
Ky peticion zhvillohet në kuadër të projektit “Aktivizmi Vazhdon’’ i cili ka si qëllim rritjen e aktivizmit qytetar për të mundësuar më shumë hapësira rekreative për të rinjtë e zonës së Vorës. Ky projekt mbështetet nga Leviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC.
[/calltoaction]