LevizAlbania, projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, që zbatohet nga konsorciumi i organizatave “Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, “Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim” dhe “Co-Plan, Instituti për Zhvillimin e Habitatit”, zhvilloi ceremoninë e shpalljes së projekteve fituese të Thirrjes Nr.6 për aplikime. 40 aplikantët e kualifikuar për këtë fazë tashmë do të nisin zbatimin e ideve të tyre të përkthyera në projekte konkrete, përmes të cilave do të synojnë të përmirësojnë dhe forcojnë demokracinë në nivel vendor, ndikojnë në performancën e qeverisjes vendore, duke rritur transparencën, llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë e të zgjedhurve vendor.
Thirrja për Aplikime numër 6-të solli pranë LevizAlbania, 379 ide të gjeneruara prej organizatave të shoqërië civile, individëve dhe grupimeve informale. 129 prej këtyre ideve u kualifikuan për fazën e Konkursit të Ideve, ku aplikantët prezantuan publikisht, përpara Bordit të Granteve, qytetarëve dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë civile, iniciativat e ideuara prej tyre, qëllimin dhe mënyrën e realizimit.
Bordi i Granteve, bazuar në vlerësimin e impaktit dhe ndryshimit të prekshëm që duhet të sjellin projektet e mbështetura nga LevizAlbania, kualifikoi për në fazën e projekt-propozimit të plotë 63 aplikime, duke i dhënë mundësinë e hartimit të projektit të plotë, fazë kjo jo përfundimtare. Prej 63 projekt-propozivimeve të plota, përsëri Bordi i Granteve, kualifikoi për në fazën e zbatimit konkret të idesë 40 projekte, të cilat u prezantuan për publikun në Ceremoninë e Shpalljes së Fituesve të Thirrjes Nr.6.
Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë Z. Andi Dobrushi, në cilësinë e Kryetarit të Konsorciumit të Organizatave që zbatojnë projektin LevizAlbania, gjatë fjalës përshëndetëse në këtë ceremoni vlerësoi energjinë e organizatave dhe aktorëve të shoqërisë civile të cilët në thirrjen numër 6-të përmes numrit të lartë të aplikimeve treguan edhe njëhëre nevojën për të kontribuar në forcimin e demokracisë vendore. “Thirrja e 6-të e projektit, që shënoi dhe nisjen e fazës së re, tregoi se në çdo cep të vendit, ka ende nevojë për të reaguar në forcimin e demokracisë vendore. 379 aplikimet e mbërritura pranë projektit, të cilat erdhën nga 60 bashki të vendit, janë një sinjal i fortë i faktit se LevizAlbania ja ka dalë të ndezë shkëndijat e aktivizmit dhe aksionit komunitar edhe në zonat më të thella të vendit, dhe njëkohësisht të jetë një projekt ambicioz, i besueshëm dhe që synon të sjellë ndryshimin e vertëtë, atë që ndikon në jetën e qytetarit të thjeshtë”, u shpreh Z. Dobrushi.
Shefja e Sektorëve të Qeverisjes dhe Shëndetësisë në Ambasadën e Zvicrës në Shqipëri, Znj. Chantal Nicod, përgëzoi fituesit e Thirrjes Nr.6, duke vlerësuar fillimisht rolin e projektit LevizAlbania. “Ne jemi shumë të lumtur kur shohim se LevizAlbania është kthyer në një program të mirënjhohur dhe të besushëm për shumë qytetarë të këtij vendi. Numri i lartë i aplikimeve (379) në thirrjen e fundit ishte një shenjë e qartë e këtij fakti”, u shpreh Znj. Nicod
Duke vlerësuar rolin e individëve në projektin LevizAlbania dhe numrin e lartë të tyre në Thirrjen Nr.6, Znj. Nicod u shpreh: “Ne besojmë fortë në mundësine e qytetarëve që kthehen në agjentë ndryshimi për shoqërinë e tyre. Ambasada e Zvicrës në Tiranë do të jetë advokuese e fortë e rritjes së mbështetjes së tyre kapilare, duke i vendosur individët dhe grupimet e tyre në qendër të LevizAlbania dhe mundësive të tjera”, tha ajo.
Më pas grantmarrësit e rinj të Thirrjes Nr.6 sollën për të pranishmit “historinë” e angazhimit të tyre në kauzat që i kanë shqetësuar ata si individ, grupe informale apo organizata jo-fitimprurëse.
40 projektet fituese të thirrjes së 6-të të projektit LevizAlbania, që nisin tashmë fazën e zbatimit në terren mbulojnë 31 bashki të vendit me nisma që targetojnë dhe synojnë të përmirësojnë sektorë si: strehimi social, transporti publik, infrastruktura shkollore, menaxhimi i mbetjeve, ndriçimi publik e deri tek forcimi i mbrojtjes për grupet vulnerabël, rritjen e aktivizimit, forcimin e të rinjve, garantimin e aksesit për personat me aftësi të veçanta, etj.
Më shumë informacion mbi 40 projektet fituese të Thirrjes Nr.6 e gjeni KËTU.
#LevizAlbania #LevizPërDemokracinëVendore #Thirrja6 #Angazhohu
Për më shumë informacion vizitoni www.levizalbania.al ose na ndiqni në median sociale @LevizAlbania
https://levizalbania.al/sq/lajme/nis-zbatimi-i-40-projekteve-te-thirrjes-6#sigProId34c43b8fd8