LEVIZ ALBANIA – NJOFTIM PËR PUBLIKUN
NË PËRGJIGJE TË SITUATËS EMERGJENTE TË KRIJUAR PAS TËRMETIT
TË DATËS 26 NËNTOR 2019
LevizAlbania, sensibilizohet dhe solidarizohet me qytetarët dhe familjet e vendit të cilat u prekën nga tërmeti shkatërrimtar i datë 26 Nëntor 2019. Projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim që zbatohet nga konsorciumi i tre organizatave shqiptare: Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Partnerët Shqipëri për Zhvillim dhe Ndryshim dhe Co-PLAN Instituti për Zhvillimin e Habitatit, vendosin në shërbim të aktorëve të shoqërisë civile instrumentin “Reagimi i Shpejtë“, me synimin për të kontribuar në adresimin e problematikave të krijuara pas tërmetit dhe përmirësimit të situatës.
LevizAlbania inkurajon organizatat e shoqërisë civile, individët dhe grupet informale, të cilat kanë indentifikuar nevojën për të ndërmarrë nisma konkrete që ndikojnë në aspekte të ndryshme për përmirësimin dhe kapërcimin e situatës post-tërmet në zonat e prekura, të aplikojnë përmes instrumentit “Reagimi i Shpejtë“.
Përgjatë periudhës Dhjetor 2019 - Prill 2020, ky instrument do ti dedikohet nismave të qytetare dhe të aktorëve të shoqërisë civile vetëm për çështje të lidhura ose ndërlidhura me situatën e krijuar pas tërmetit, specifikisht në qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Fondi në dispozcion të instrumentit “Reagimi I Shpejtë” është 63,500 Franga Zvicerane.
Aplikimet në instrumentin “Reagimi i Shpejtë” duhet të përputhen me objektivat e projektit dhe të rrespektojnë rregullat dhe procedurat e LevizAlbania. Aplikantët duhet t’i kushtojnë vëmendje “UDHËZUESIT TË INSTRUMENTIT REAGIMI SHPEJTË” dhe respektimit të hapave, procedurave dhe termave të publikuar në udhëzues.
LevizAlbania kontribuon në forcimin e demokracisë vendore në Shqipëri duke besuar se pa qytetarë të angazhuar dhe organizata aktive të shoqërisë civile, institucionet qeverisëse në nivel vendor dhe qëndror nuk mund të përmbushin misionin e tyre.
#LevizAlbania #LutemiPërShqipërinë #TërmetiShqipëri