Për rritjen e cilësisë në përfaqësimin e qytetarve në organet e zgjedhura për qeverisjen vendore nëpërmjet hartimit, lobimit dhe advokimit për ndryshime në legjislacionin zgjedhor.

Titulli i Projektit të Propozuar: Për rritjen e cilësisë në përfaqësimin e qytetarve në organet e zgjedhura për qeverisjen vendore nëpërmjet hartimit, lobimit dhe advokimit për ndryshime në legjislacionin zgjedhor.

Arsyetimi i Propozimit:

Sistemi sipas të cilit zgjidhen organet e  qeverisjes vendore parashikon zgjedhjen e kryetarëve të bashkive  nëpërmjet një gare mazhoritare, me një raund dhe zgjedhjen e antarëve të Këshillave Bashkiak sipas sistemit propocional me lista të mbyllura, me prag 3% të të gjithë votave të vlefshme për bashkinë përkatëse, për partitë politike dhe 5% për koalicionet. Ky sistem ka si efekt të tij ndërtimin e lidhjeve të dobëta mes zyrtarëve të zgjedhur dhe votuesve të tyre, për sa kohë që votuesit nuk kanë mundësi të identifikojnë kandidatin që i përfaqëson apo për sa kohë që ata nuk mund të kundërshtojnë kandidatë të cilët nuk kanë bërë punë të mirë në të shkuarën.

Për t`u rregjistruar si kandidat i pavarur, duhet mbështetje e jo më pak se 1% e zgjedhësve por jo më shumë se 3000 zgjedhës. Ky detyrim ligjor nuk është “miqësor” dhe, si rregull e vështirëson ndërmarrjen e inisiativave për hyrjen në garën zgjedhore të kandidatëve të pavarur që mbështeten nga një grup qytetarësh. 

Zgjedhjet vendore të zhvilluara pas reformës territoriale administrative, sipas të cilës vendi u nda në 61 bashki, në çdo njërën prej të cilave përfshihen zona urbane dhe rurale, kanë treguar se  mundësitë reale dhe hapsirat për përfaqësim, në organet e zgjedhura vendore, veçanërisht të komuniteteve që banojnë në zonat rurale, janë zvogëluar ndjeshëm.

Ligji “Për Vetqeverisjen vendore” përcakton se administratorët e njësive administrative nuk zgjidhen. Ata emërohen e shkarkohen nga Kryetari i Bashkisë. Për pasojë përgjegjësitë e tyre janë shumë më tepër të lidhura me plotësimin e detyrave që ju ngarkon kryetari se sa me nevojat që kanë qytetarët.

Ligji parashikon ngritjen e strukturave kolegjiale - këshillat komunitar të lagjeve dhe kryetarin dhe këshillin e fshatit, si struktura që zgjidhen nga komunitetet përkatëse por që kanë hapësira të kufizuara për veprim e vendimmarrje. Proçesi zgjedhor i tyre nuk është pjesë e zgjedhjeve që bëhen për organet e qeverisjes vendore. Për zgjedhjen e tyre nuk zbatohen dispozita që janë të përcaktuara në Kodin zgjedhor. Praktikat e derisotme kanë treguar se roli dhe efekti i këtyre strukturave kolegjiale në administrimin e punëve në plotësim të nevojave të komuniteteve është larg pritshmërisë dhe nevojave të qytetarëve. Administrimi i punëve në njësitë administrative është përgjegjësi e administratës që është pjesë e strukturës së  bashkisë dhe si e tillë përgjigjet vetëm përpara kryetarit të bashkisë.

Për të realizuar një qeverisje vendore sa më efektive në shërbim të interesave të qytetarve është i nevojshëm një kuadër legjislativ që të krijojë kushtet për rritjen e nivelit të përfaqësimit të qytetarve në organet që administrojnë punë komunitare në nivel vendor.

Analiza e legjislacionit aktual e plotësuar edhe me perceptimet e qytetarve për mundësitë që ju ka dhënë ky legjislacion, për përfaqësimin e tyre dhe pjesëmarrje në organet e qeverisjes vendore, është e nevojshme për të konceptuar dhe hartuar ndërhyrjet që duhet të bëhen në këtë legjislacion.

Për realizimin dhe suksesin e këtyre ndërhyrjeve është domosdoshme që puna për hartimin e tyre të bashkëshoqërohet me një proçes intensiv konsultimi me grupe qytetarësh, të zgjedhur vendor, stafe akademike dhe specialist të fushës.

Lobimi dhe advokimi për mbështetje dhe bashkërendim të përpjekjeve për demokratizimin e  sistemit dhe rregullave zgjedhore që zbatohen për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore  dhe për përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon proçeset e vetqeverisjes vendore janë komponente të rëndësishme të ndërhyrjeve dhe aktiviteteve që parashikohet të kryhen në kuadër të këtij projekt -propozimi.

Qëllimi dhe objektivat specifike

Qëllimi:

  • Të përmiresohet legjislacioni për të mbështetur funksionimin me efektiv të demokracisë përfaqësuese në qeverisjen vendore.
  • Të rriten mundësitë e qytetarve për të zgjedhur vetë ata përfaqësuesit e tyre në organet e qeverisjes vendore.
  • Të rritet cilësia dhe efektiviteti në punën e organeve të qeverisjes vendore në përgjigje të nevojave dhe interesave të grupeve dhe komuniteteve të ndryshme qytetare.

Objektivat specifik:

  • Arritja e qëllimeve të projektit do të jetë rrjedhojë e punës nëpërmjet të cilës do të synohet realizimin i objektivave specifik:
  • Identifikimi i çështjeve dhe problemeve në legjislacionin aktual që gjenerojnë efekte negative në cilësinë e përfaqësimit të qytetarve në organet e zgjedhura për qeverisjen vendore;
  • Vlerësim i perceptimeve dhe pritshmërive të qytetarve për nivelin e përfaqësimit të tyre në organet e zgjedhura për qeverisjen vendore;
  • Nxitje dhe realizim i proçesit të konsultimit dhe diskutimit me qytetarë, të rinj, gra e vajza, komunitete të marginalizuara dhe pakica kombëtare, të zgjedhur vendor dhe drejtues të njësive administrative dhe stafe akademike për ndërhyrjet dhe ndryshimet që duhet të bëhen në sistemin dhe legjislacionin për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore;
  • Realizim i nismës qytetare legjislative për ndryshimet në legjislacionin që rregullon çështjet e zgjedhjeve të organeve të qeverisjes vendore;
  • Advokim në nivel institucional për realizimin e nismës ligjvënëse qytetare për ndryshimet në legjislacion për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore.

Aktivitetet kryesore:

Qëllimet dhe objektivat e projektit do të arrihen nëpërmjet realizimit te aktiviteteve të cilat planifikohet të kryhen në dy faza kryesore të projektit:

Faza e parë: Analizë dhe konceptim i ndërhyrjeve me objekt legjislacionin zgjedhor  për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore;

  • Analizë e legjislacionit aktual për identifikim e problemeve që gjenerojnë efekte të padëshëruara në cilësinë e përfaqësimit të qytetarve në organet e zgjedhura për qeverisjen vendore.
  • Anketim i përfaqësuesve të grupeve të ndryshme të qytetarve në zonat urbane, periurbane dhe rurale, të rinj, gra e vajza, komunitete të zgjedhësve të marginalizuar, përfaqësues të pakicave kombëtare, të zgjedhor vendor, punonjës në administratën lokale në njësitë administrative.
  • Analizë dhe identifikimim i perceptimeve dhe pritshmërive për nivelin e përfaqësimi në organet e qeverisjes vendore dhe konceptimi i rrugëve dhe ndërhyrjeve të mundshme.
  • Organizim dhe zhvillim i proçesit të konsultimit dhe diskutimit me grupe të ndryshme të qytertarve, të zgjedhur dhe nënpunës në organet e pushtetit vendor, stafe akademike dhe specialist të fushës, për problemet që shoqërojnë realizimin e përfaqësimit sa më të plotë e real të qytetarve në organet e zgjedhura vendore dhe për rrugezgjidhjet që synojnë rritjen e cilësisë së përfaqesimit.
  • Konceptim i nderhyrjeve që mund të bëhen në legjislacionin zgjedhor, në sistemin dhe Kodin zgjedhor, për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore.
  • Organizim dhe zhvillimi diskutimit me ekspertë dhe stafet akademike për ndërhyrjet dhe ndryshimet që mund të propozohen për t`u bërë në legjislacionin zgjedhor për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore.

 Faza e dytë – Dakortësim  qytetar, lobim dhe advokim institucional:

  • Hartim i draft ligjit “Për ndryshime në Kodin Zgjedhor”.
  • Ndërmarrje e nisms ligjvënëse për projekt ligjin “Për ndryshime në Kodin Zgjedhor”.
  • Organizim dhe zhvillim i fushatës informuese, nxitëse dhe sensiblizues për pjesmarrjen e qytetarve në nismën ligjvënëse.
  • Organizimi dhe realizim i nismës qytetare ligjvënëse me objekt projektligjin “Për ndryshime në Kodin Zgjedhor”, i cili ka si qëllim rritjen e cilësisë së përfaqësimit të qytetarve në organet e zgjedhura për qeverisjen vendore.
  • Lobim dhe advokim institucional për miratimin e projektligjit “Për ndryshime në Kodin Zgjedhor”.

Rezultatet e pritshme:

  • Rregullim i kuadrit legjislativ për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore me efekt:
  • Rritje të cilësisë në përfaqësimin e qytetarve në organet e zgjedhura për qeverisjen vendore.
  • Rritje të pjesmarrjes së qytetarve në qeverisjen vendore.
  • Përmirësim i punës së organeve të zgjedhura dhe administratës vendore për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarve, në veçanti për komunitetet në zonat rurale, pakicat kombëtare dhe grupet e marginalizuara.
  • Rritje e sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarve për pjesëmarrje në nisma ligjore dhe vendimmarrëse për çështje të qeverisjes vendore.
  • Formim i kapaciteteve vendore qytetare të nevojshme për pjesmarrje dhe bashkëpunim në qeverisjen vendore me organet e zgjedhura vendore.

Përfituesit kryesorë:

  • Qytetarët, të rinjtë, gra e vajza, komunitetet në zonat periurbane e rurale, pakicat kombëtare, grupet e marginalizuara.
  • Organe e zgjedhura të qeverisjes vendore.

 

Organizata Zbatuese: Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve
Zona e zbatimit: Bashkia Tiranë, Bashkia Durrës, Bashkia Elbasan, Bashkia Fier, Bashkia Shkodër, Bashkia Korcë, Bashkia Kukës, Bashkia Gjirokastër, Bashkia Kavajë, Bashkia Lushnjë, Bashkia Librazhd, Bashkia Skrapar
Kohëzgjatja: 12 Muaj