Titulli i propozimit: Fushatë ndërgjegjësuese për anullimin e projektligjit “Për miratimin e ndryshimit të statusit të një toke bujqësore, me sipërfaqe 288,4 hektarë, në zonë minerare, për shfrytëzimin e torfave për prodhimin e energjisë elektrike”, në tokat bujqësore të ish-kënetës Maliq
Identifikimi i problemit: Qeveria shqiptare ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj që synon të heqë nga statusi i tokës bujqësore një sipërfaqe prej 288 hektarësh në zonën e Maliqit në Korçë, tokë e përftuar nga tharja e kënetës, për ta kthyer atë në zonë minerare, për t’i hapur rrugë shfrytëzimit të një lënde minerare të njohur si torfë, e cila do të përdoret për t’u djegur në një termocentral, për prodhimin e energjisë elektrike dhe avullit për ngrohje banesash. Njoftimi i projektligjit ka ngjallur reagimin kundërshtues të shoqërisë civile, ekspertëve të mjedisit, banorëve dhe komunitetit të fushës së Maliqit, medias dhe opinionit publik, për faktin se projekligji :Është hartuar pa iu nënshtruar njoftimit dhe konsultimit publik, duke shkelur Ligjin Nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”. Ka shkelur të drejtën për informimin, sipas Ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”. Është në shkelje të Ligjit Nr 10 440 datë 7.7.2011 “Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”
Qëllimi dhe Objektivat: Qëllimi i fushatës, konsiston në kërkesën për anullimin e projektligjit për shndërimin e tokës në zonë minerare dhe tërheqjen nga qeveria të këtij projekligji nga Kuvendi si dhe vënien në dispozicion për përdorim të kësaj toke bujqësore komunitetit të banorëve dhe sipërmarrësve privatë për sigurimin e produkteve bujqësore e blegtorale, etj.
Aktivitetet kryesore:
Do krijohet koalicioni kundër kthimit në zonë minerare të tokësbujqësore të ish-kënetës së Maliqit, (KKZM), i cili :
Do organizojë Dëgjesa Publike në bashkinë dhe fshatrat e rajonit
Do organizojë takime me parlamentarët, Kryeministrinë, ministritë dhe institucionet e agjensitë përkatëse
Do realizojë 2 konferenca për shtyp, disa intervista në median kombëtare, do krijojë një faqe në facebook dhe do organizojë një peticionin online dhe me firma ne letër.
Rezultatet e pritshme:
Ndërgjegjësim dhe rritje e përgjegjësisë të gjithë aktorëve të përfshirë, për pasojat negative të zbatimit te projekt-ligjit, në shëndetin e njerëzve, dëmtimin e pronës, tokës bujqësore, florës e faunës, dhe turizmin e rajonit.
Mundësim të dialogut dhe komunikimit ndërmjet antarëve të Kuvendit, përfaqësuesve të qeverisë qëndrore e vendore, komunitetit të fermerëve, organizatave të turizmit e biznesit, organizatave mjedisore dhe institucioneve akademike, si katalizatorë për mirëqeverisjen e aseteve natyrore dhe gjetjen e zgjidhjeve në dobi të komunitetit.
Përfituesit kryesorë: Fermerët e zonës prona e të cilëve do dëmtohet në rast se toka torfike, sipas projektligjit do përdoret për qëllime djegie, gjithë banorët e rajonit që do ju shmangen pasojat negative të shëndetit, si rezultat i ndotjes nga djegia, ekonomia lokale dhe gjithë komuniteti i biznesit të turizmit të rajonit, perspektiva e të cilit kërcënohet thellësisht nga përdorimi i torfës për djegie.