Lëviz Albania

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

Angazhimi i Komunitetit - Tregues i Integrimit në Vendimmarrje (AKTIV)

 

Titulli i propozimit

Angazhimi i Komunitetit - Tregues i Integrimit në Vendim-marrje (AKTIV)

Përmbledhje e pikës 2.2 (seksionin II më poshtë)

Lumi Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës. Në rrugën e saj mbi 270 km, ajo rrjedh e pandikuar në mënyrë të natyrshme, e karakterizuar nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme. Çfarë e bën këtë lumë vërtetë të veçantë është fakti, se pothuajse të gjitha degët e tij rrjedhin të pandërprera dhe të paprekura, duke krijuar një rrjet lumor të gjallë si diçka që nuk haset më aktualisht në Evropë.

Megjithatë ky lumë nuk gëzon një status të veçantë mbrojtje dhe po përballet me një presion në rritje të ndikimit njerëzor. Mungesa e një plani menaxhimi të integruar në të gjithë pellgun ujëmbledhës, i ka dhënë investitorëve mundësinë e “artë” për të filluar ndërtimin e shpejtë të një ”bumi” projektesh hidroenergjetike në të gjithë luginën. Një total prej 40 HEC-esh është parashikuar në ujëmbledhësin e Vjosës. Sipas një studimi të kryer nga kompania franceze e konsultimit SOGREAH, të publikuar në maj të vitit 2009 në Shqipëri janë planifikuar 10 diga në rrjedhën kryesore, ndërsa 23 HEC-et e tjera janë projektuar në degët e tij - 4 nga të cilat kanë përfunduar tashmë, ndërsa 4 të tjerë janë në ndërtim. Në anën greke të ujëmbledhësit, janë parashikuar 6 diga të reja, ndërkohë që është vetëm një ekzistues, HEC-i i madh i Pigait.

Nga puna paraprake që EcoAlbania ka kryer në këto zona, përmes një turi takimesh me komunitetin lokal, është konstatuar se informacioni për ndërtimin e këtyre HEC-eve ka qenë shumë i varfër. Në vijimësi të këtij turi takimesh vetë banorët e prekur nga këto HEC-e e kanë shprehur mendimin kundër ndërtimit të tyre me çdo lloj mjeti demokratik (peticione drejtuar qeverisë, protesta, deklarata etj.).

Alternativa që ata kërkojnë në vend të ndërtimit të HEC-eve është një Park Kombëtar për të gjithë luginën e Vjosës, i cili mund të quhet i tillë vetëm duke mbajtur larg ndërtimin e digave. Veprimtari të tilla si eko-turizmi apo bujqësia jo intensive mund të jenë një alternativë efektive për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të komuniteteve lokale. Një ndër synimet kryesore të projektit AKTIV është pikërisht mbështetja e këtij komuniteti lokal në betejën demokratike që ata zhvillojnë për të ruajtur këtë pasuri natyrore e cila jo vetëm përbën një trashëgimi natyrore kombëtare dhe Evropiane por edhe bazën e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të këtij rajoni. Angazhimi aktiv në dëgjesat publike, janë mënyra e vetme direkte e pjesëmarrjes së tyre në vendim-marrje. Megjithatë jo në pak raste dëgjesa publike përbën thjesht një procedurë që subjekti koncesionar duhet të plotësojë dhe rrjedhimisht e shndërron gjithë procesin në jo-efektiv.  Arsyet kryesore të konstatuara në lidhje me jo-efektivitetin e këtyre dëgjesave konsistojnë në: a) mosdhënien e njoftimit të zhvillimit të tyre në kohën e duhur, b) papërshtatshmërinë e mjeteve të komunikimit, c) mesazhi dhe prezantimi i projektit është i pakuptueshëm dhe i pa asimilueshëm nga publiku, d) mungesën e ndërgjegjësimit/vetëbesimit te komuniteti lokal se ata mund të luajnë një rol në këtë proces për shkak se reflektimet e opinionit të tyre nuk kanë qenë pjesë e vendimit përfundimtar në shumë raste.

Qëllimi dhe Objektivat

Qëllimi: Rritja e pjesëmarrjes aktive të publikut në vendim-marrje, për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

 

Objektivi 1.  Përmirësimi i procesit të njoftimeve për dëgjesat publike, për dhënien e lejeve mjedisore të HEC-eve, në territorin e bashkive që shtrihen përgjatë luginës së lumit Vjosa.

Objektivi 2. Rritja e  pjesëmarrjes dhe e vetëdijes së komunitetit të luginës së Vjosës, mbi rolin e tyre  në vendimmarrje për dhënien e lejeve mjedisore të HEC-eve.

Objektivi 3. Vlerësimi i nivelit të reflektimit të shqetësimeve të komunitetit të luginës së Vjosës,  në dëgjesat publike për dhënien e lejeve mjedisore të HEC-eve.

Objektivi 4. Mbështetja e komunitetit të luginës së Vjosës në reagimet qytetare si pjesë e procesit të kërkesës së llogarisë ndaj institucioneve vendim-marrëse.

Aktivitetet kryesore

Për të realizuar objektivat e  parashtruar më sipër aktivitetet apo ndërhyrjet që do të kryhen do  të jenë të karakterit: a) informues, b) trajnues, c) ndërgjegjësues, d) lehtësues.

Për vendosjen e bashkëpunimit me NJQV-të dhe ARM-të e luginës do të zhvillohen tryeza të përbashkëta diskutimi me synim që të arrihet një marrëveshje mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. Nga ana tjetër për të siguruar një zbatim sa më të mirë të procedurës së informimit të komunitetit mbi dëgjesat publike do të sigurohet bashkëpunim i ngushtë  me mediat lokale dhe ato kombëtare. Personat kyç me sens vullnetarizmi dhe me reputacion në këto komunitete do të jenë gjithashtu promotorët e procesit të informimit. Media do të luajë një rol të rëndësishëm përgjatë gjithë zbatimit të projektit duke u shndërruar në motorin e informimit të publikut por edhe në zërin e projektit AKTIV. Në bashkëpunim me OJQ-të lokale, NJQV-të dhe me personat kyç do të organizohet një seri takimesh me komunitetin lokal për t’i shpjeguar rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre aktive në dëgjesat publike. Për ndërgjegjësimin e komunitetit do të prodhohen materiale informuese dhe promovuese si; fletëpalosje, broshura, spot televiziv ndërgjegjësues, etj. Përdorimi i mediave sociale, shpërndarja e posterave informues, njoftimi në median e shkruar dhe televizionet lokale do të lehtësojë tejçimin e informacionit tek grupet e synuara.

I gjithë procesi i dëgjesave publike në lidhje më HEC-et në pellgun e Vjosës do të jetë në monitorim të  vazhdueshëm nga stafi i AKTIV përgjatë 12 muajve duke ndjekur të gjitha hapat që nga njoftimi e deri te publikimi i reflektimeve përfundimtare.

Nga ana tjetër në rastin e mos reflektimit të opinioneve të komunitetit në proces-verbalet përfundimtare do të mundësohet lehtësimi dhe mbështetja e komunitetit lokal në artikulimin e kërkesës së llogarisë dhe organizimin e reagimeve qytetare shkallë-shkallë. Media, sidomos ajo investigative do të luajë një rol të rëndësishëm mbështetës në marrjen e informacionit dhe publikimin e paanshëm të problematikës.

Rezultatet e pritshme

R1: Përmirësohet zbatimi i procedurës së njoftimeve të dëgjesave publike, për dhënien e lejeve mjedisore të HEC-eve, në territorin e bashkive që shtrihen përgjatë luginës së lumit Vjosa.

R2: Rritet vetëdija dhe pjesëmarrja e komuniteteve të luginës së lumit Vjosa në dëgjesat publike për dhënien e lejeve mjedisore të HEC-eve. 

R3: Komunitetet e luginës së lumit Vjosa ndërgjegjësohen mbi rëndësinë e  rolit të tyre në vendimmarrje nëpërmjet pjesëmarrjes në dëgjesat publike për dhënien e lejeve mjedisore të HEC-eve. 

R4: Vlerësohet niveli i reflektimit të shqetësimeve të komunitetit të luginës së lumit Vjosa në dëgjesat publike për dhënien e lejeve mjedisore të HEC-eve. 

R5: Komuniteti lokal i luginës së Vjosës rrit presionin për llogaridhënie dhe ndërmerr iniciativa demokratike të reagimit qytetar për të kërkuar të drejtat e tij.

Përfituesit kryesorë

Komuniteti lokal dhe NJQV-të e luginës së lumit Vjosa

Kohëzgjatja e projektit (muaj)

12 muaj

Zona e zbatimit të propozimit

Territori i Bashkive që shtrihen përgjatë luginës së lumit Vjosa (Përmet, Këlcyrë, Tepelenë, Selenicë)

 

Organizata Zbatuese: Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania)
Zona e zbatimit: Bashkia Selenice, Bashkia Përmet, Bashkia Tepelenë
Kohëzgjatja: 12 Muaj

Pazari i Ri, Pallati Nr. 74, Kati 2, Tiranë

+355 44 500 153