Titulli i propozimit |
Forcimi i partneritetit vendor midis medias dhe shoqërisë civile |
Përmbledhje e pikës 2.2 (seksionin II më poshtë) |
Anëtarët e komuniteteve lokale, aktorët e shoqërisë civile dhe mediat janë tre faktorët kyç që ndikojnë në kërkesën e llogarisë ndaj institucioneve të qeverisjes vendore. Këto tre aktorë rrallëherë kanë ndërvepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pavarësisht qëllimeve të njëjta. Gjithashtu, institucionet e pushtetit lokal paraqesin probleme të thella lidhur me nivelin e transparencës në vendimmarrje si dhe përfshirjen e komunitetit në proceset e konsultimit publik, duke ngritur për rrjedhojë shqetësimin e thellimit të hendekut mes qytetarit dhe vendimmarrësve lokalë në bashkitë e reja me sipërfaqe dhe larmishmëri nevojash më të mëdha për të administruar. Përmes këtij projekti, BIRN Albania dhe partnerët e saj synojnë të rrisin urat e bashkëpunimit dhe partneritetit mes këtyre aktorëve nëpërmjet fuqizimit të shoqërisë civile në advokimin e çështjeve të rëndësishme për komunitetet, rritjes së kapaciteteve të gazetarëve për raportim në nivel vendor, si dhe monitorimin e vazhdueshëm të transparencës së institucioneve vendore. |
Qëllimi dhe Objektivat |
Qëllimi: Rritja e llogaridhënies së qeverisë vendore përmes fuqizimit të bashkëpunimit mes aktorëve të shoqërisë civile dhe gazetarëve lokalë. Objektivat: - Fuqizimi i kapaciteteve të medias lokale përmes trajnimit dhe publikimeve; - Nxitja e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve të pushtetit vendor përmes monitorimit të vazhdueshëm; - Forcimi i bashkëpunimit dhe kapaciteteve të aktorëve të shoqërisë civile në advokimin e çështjeve të rëndësishme për komunitetin përmes tryezave rajonale; - Rritja e nivelit të informimit të qytetarëve mbi çështje të lidhura me pushtetin vendor dhe promovimi i aktorëve të ndryshimit. |
Aktivitetet kryesore |
- Trajnim tre-ditor i 12 gazetarëve lokalë (partner - një për secilin qark) mbi çështje lidhur me mirëadministrimin dhe transparencën e pushtetit vendor, si dhe raportimin sa më të plotë mbi problematikat e komuniteteve lokale, grupeve të nënraportuara dhe promovimit të shembujve pozitivë. - Raportim i vazhdueshëm mediatik mbi çështje të rëndësishme të pushtetit vendor ne faqen www.pushtetivendor.reporter.al, përmes: publikimit të 5 analizave të thelluara kombëtare mbi transparencën dhe demokracinë lokale; të paktën 36 reportazheve nga zona të ndryshme të vendit mbi promovimin e aktorëve të ndryshimit; lajmeve, analizave dhe reportazheve nga gazetarët lokalë mbi shqetësimet e komuniteteve të ndryshme. - Organizimi i dy tryezave të rrumbullakëta kombëtare mes përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe gazetarëve me qëllim identifikimin e problematikave kryesore lidhur me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë në fushën e pushtetit vendor, si dhe mbështetja financiare dhe teknike e 6 gazetarëve në prodhimin e 6 shkrimeve të thelluara investigative në këtë fushë. - Organizimi i 12 tryezave rajonale mes aktorëve të shoqërisë civile dhe gazetarëve lokalë, me qëllim: ngritjen e urave më të ngushta të bashkëpunimit mes këtyre aktorëve; prezantimin e projektit dhe fokusimin e tij në çështje/aktorë të rëndësishëm për komunitetet; si dhe prioritizimin e një liste pyetjesh të cilat komuniteti do dëshironte t’i ngrinte kryetarëve të 61 bashkive për vitin e parë të qeverisjes. - Realizimi i 61 intervistave me kryetarët e bashkive mbi shqetësimet e ngritura nga komuniteti, me një fokus të veçantë në nevojat e grupeve vulnerabël, duke nxitur nivelin e kërkesës së llogarisë nga ana e qytetarëve dhe gazetarëve lokalë ndaj të zgjedhurve të tyre, por dhe të rrisin nivelin e llogaridhënies së drejtuesve të bashkive. - Monitorimi i programeve të transparencës në 61 bashkitë e vendit, përmes vlerësimit të një seti indikatorësh të parashikuar në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, të cilët do të detajohen sipas kushteve dhe nevojave të institucioneve të pushtetit vendor. Botimi dhe shpëndarja e dy raporteve të monitorimit. - Pasurimi i faqes speciale të pushtetit vendor me informacione të vlefshme për publikun, por dhe për gazetarët dhe mediat locale, të cilat mund të shfrytëzojnë informacionin për të forcuar rolin e tyre në mbrojtje të interesave publike. |
Rezultatet e pritshme |
- 12 gazetarë lokalë të trajnuar dhe fuqizuar; - Të paktën 15 gazetarë lokalë të angazhuar në raportim të vazhdueshëm nga të gjitha bashkitë e vendit; - Të paktën 5 analiza të thelluara kombëtare mbi funksionet dhe problematikat e pushtetit vendor në vend dhe 36 reportazhe (të paktën 3 për rajon) mbi individë / organizma të cilët identifikohen nga komunitetet përkatëse si aktorë ndryshimi të publikuara; - Mbështetje e raportimeve të vazhdueshme nga gazetarët lokalë, me fokus të veçantë në aktivitetet e aktorëve të shoqërisë civile; - 2 raporte monitorimi të nivelit të transparencës së 61 bashkive (një studim ‘baseline’ dhe një studim ‘follow-up’); - 12 tryeza të rrumbullakta rajonale mes aktorëve të shoqërisë civile dhe gazetarëve lokalë; - 61 intervista me kryetarët e bashkive lidhur me problematikat e identifikuara nga komunitetet përkatëse; - 2 tryeza kombëtare mes gazetarëve dhe shoqërisë civile për identifikimin e rasteve të mundshme të korrupsionit dhe abuzimit në këtë fushë; - 6 gazetarë të trajnuar dhe mbështetur financiarisht për realizimin e investigimeve në këtë fushë dhe të paktën 6 investigime të botuara lidhur me abuzime në fushën e pushtetit lokal; - 1 faqe speciale (www.pushtetivendor.reporter.al) e dedikuar për raportimet mbi pushtetin vendor dhe e pasuruar në mënyrë të vazhdueshme me të dhëna dhe artikuj. |
Përfituesit kryesorë |
- Gazetarët lokalë të cilët do të rrisin kapacitet dhe mundësinë e mbulimit të ngjarjeve të rëndësishme; - Institucionet e qeverisjes lokale të cilët do të mbështeten në forcimin e mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies; - Mediat kombëtare dhe lokale të cilat do të kenë më shumë mjete dhe burime për mbulimin e ngjarjeve në nivel lokal; - Aktorët e shoqërisë civile të cilët do të kenë më shumë mjete në dispozicion për advokimin e çështjeve të tyre në media; - Publiku i gjerë i cili do të informohet përmes mbulimit mediatik. |
Kohëzgjatja e projektit (muaj) |
12 muaj |
Zona e zbatimit të propozimit |
Pjesa më e madhe e aktiviteteve zhvillohet në 61 bashkitë e vendit. |