Lëviz Albania

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

Modeli Win-Win për Pjesëmarrje Qytetare në Qeverisjen Vendore

 

Titulli i propozimit

Modeli Win-Win për Pjesëmarrje Qytetare në Qeverisjen Vendore

Përmbledhje e pikës 2.2 (seksionin II më poshtë)

Në vendin tonë ka pasur zhvillime pozitive të kuadrit ligjor që kanë krijuar një kontekst nxitës (tashmë edhe detyrues) për qeverisjen vendore me pjesëmarrje qytetare. Me ligjin e ri “Për Vetëqeverisjen Vendore” bëhet e detyrueshme ngritja e këshillave komunitarë të lagjeve dhe ndërlidhësve komunitarë, si dhe sanksionohet e drejta e nismës qytetare për miratimin e projektakteve nga këshillat bashkiakë. Pavarësisht këtyre risive në rrafshin legjislativ, sigurimi i pjesëmarrjes reale dhe efektive të komunitetit mbetet një sfidë. Pjesëmarrja e komunitetit në qeverisjen vendore do të bëhet realitet vetëm nëse mundësohet proceduralisht dhe praktikisht përfaqësimi aktiv i qytetarëve në të gjithë ciklin e zhvillimit të projekteve vendore, duke përfshirë fazën planifikuese, fazën vendimarrëse dhe fazën zbatuese. Praktika e qeverisjes vendore në Shqipëri tregon se rastet e bashkëpunimit të efektshëm mes qeverisjes vendore dhe komunitetit kanë qënë sporadike dhe metodat e përdorura për ta siguruar atë (bashkëpunimin) kanë qënë të ndryshme (shpesh inkonsistente). Rezultati i pashmangshëm i kësaj “kakofonie” ka qënë mungesa e një bashkëpunimi efektiv dhe të qëndrueshëm. Tani që bashkëpunimi është një detyrim ligjor (jo thjesht praktikë e mirë pune), Rregulloret e brendshme të bashkive duhet të parashikojnë procedura konkrete për pjesëmarrjen qytetare në përgatitjen dhe zbatimin e programeve vendore. Ndërkohë, njësitë e pushtetit vendor në Shqipëri nuk kanë pse të “shpikin rrotën” në këtë drejtim sepse së paku prej 10 vitesh Këshilli i Evropës ka përpunuar dhe propaganduar një instrument të unifikuar pikërisht për këtë qëllim (pra parime dhe modele procedurash konkrete që e bëjnë praktikisht të mundur pjesëmarrjen qytetare në qeverisjen vendore). Ky instrument quhet “Toolkit of Local Government Capacity Building Programmes 2005”. Toolkit-i, është një set i unifikuar parimesh, kriteresh dhe procedurash, të ashtuquajtura Win-Win, të cilat duhet të përdoren nga njësitë e pushtetit vendor për përzgjedhjen dhe zbatimin e programeve vendore në mënyrë të tillë që të përfitojë një rreth sa më i gjerë qytetarësh dhe të gjitha palët të fitojnë[1]. Në thelb, projekti i propozuar nga ISPL synon pilotimin e Toolkit-it në 2 (dy) bashki.

Qëllimi dhe Objektivat

1.   Rritja e kapacitetit të administratave të dy bashkive pilote dhe aktorëve të komunitetit të tyre, në përdorimin e metodave të përparuara të pjesëmarrjes publike në programet e zhvillimit vendor (“Modeli Win-Win” i Këshillit të Evropës).

2.   Identifikimi i nevojave dhe përparësive të qytetarëve në bashkitë Kukës/Mirditë dhe Kavajë/Përmet përmes përdorimit të metodave dhe procedurave të Modelit.

3.   Vendosja e një precedenti, të replikueshëm, në bashkitë e përzgjedhura (dhe më gjerë) nëpërmjet zhvillimit të projekteve konkrete zhvillimore vendore, me pjesëmarrjen e qytetarëve.

Aktivitetet kryesore

·         Identifikimi i nevojave, fushave potenciale të ndërhyrjes dhe aktorëve përkatës të interesit dhe thirrje për projektpropozime në fushat e identifikuara-afishimi publik i projektpropozimeve.

·         Përzgjedhja (short listing) dhe prioritizimi i projektpropozimeve sipas kritereve SMART dhe Win-Win.

·         Mbledhja e pikëpamjeve qytetare mbi projektpropozimet e diskutuara përmes dy sondazheve.

·         Diskutimi i tre-katër projektpropozimeve më të përshtatshme në workshop-e me propozuesit/aktorët e interesit, prezantimi përpara këshillave të bashkive pilote të projekt propozimeve dhe miratimi në parim i një deri në dy projektpropozimeve.

·      Hartimi i një Plani Veprimi për zbatimin e projekteve pas miratimit të tyre.

·         Përmirësimi i Rregulloreve të Brendshme të dy bashkive pilote për pjesëmarrjen qytetare në programim vendor.

·         Miratimi zyrtar i projekteve dhe përmirësimeve të Rregulloreve të Brendshme të dy bashkive pilote.

Rezultatet e pritshme

Një metodologji-model teorik i përshtatur me situatën specifike në bashkitë e përzgjedhura;

Dy Vendime të këshillave bashkiakë për përmirësimet e rregulloreve të bashkive pilote;

Një Listë e Projekteve sipas Përparësisë për t’u përfshirë në programet zyrtare të zhvillimit të bashkive të përzgjedhura.

Dy Vendime të këshillave bashkiakë që miratojnë projekte zhvillimore konkrete dhe planet per zbatimin e tyre.

Përfituesit kryesorë

Bashkitë pilote/OJF vendore; Organizata biznesi lokal; Grupime specifike; Organizmat e rinj komunitarë.

Kohëzgjatja e projektit (muaj)

12 muaj

Zona e zbatimit të propozimit

Bashkitë pilote Kukës ose Mirditë dhe Kavajë ose Përmet

 

 

Organizata Zbatuese: Instituti i Studimeve Publike & Ligjore
Zona e zbatimit: Bashkia Kukës, Bashkia Kavajë, Bashkia Mirditë, Bashkia Përmet
Kohëzgjatja: 12 Muaj

Pazari i Ri, Pallati Nr. 74, Kati 2, Tiranë

+355 44 500 153