Lëviz Albania

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

Të rinjtë për qeverisjen vendore

 

Titulli i propozimit

Të rinjtë për qeverisjen vendore

Përmbledhje e pikës 2.2

Projekti synon të angazhojë dhe fuqizojë të rinjtë e Bashkisë së Bulqizës si aktorë të rëndësishëm në vendimmarrjen në nivel vendor për adresimin e problematikave të ndryshme sociale që shqetësojnë komunitetin e tyre. Të rinjtë përbëjnë rreth 24% të popullsisë së kësaj bashkie dhe nga të dhënat e SAWG Tirana[1] rezulton se të rinjtë e kësaj zone, nuk janë të organizuar në grupime sociale dhe nuk janë pjesë e aktiviteteve parandaluese apo vendimmarrëse. Raportohet se mungojnë aktivitetet dhe hapësirat sociale dedikuar të rinjve. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e qeverisjes vendore shprehen se kanë interes të bashkëpunojnë me grupime të ndryshme në komunitet siç janë edhe të rinjtë. Referuar projektligjit “Për funksionimin e qeverisjes vendore”, në kreun e VI të tij, autoritetet vendore duhet të edukojnë qytetarët mbi qeverisjen vendore dhe të nxisin pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrje. Të rinjtë janë një nga grupet që duhet të jënë pjesë e këtij procesi. Nisur nga këto çështje të identifikuara dhe në përgjigje të objektivit të 1 të thirrjes: Aktorët e shoqërisë civile ndikojnë në përcaktimin e përparësive, në vendimmarrje dhe në mbikëqyrjen e autoriteteve vendore, projekti adreson dy problematika të rëndësishme:

1.     Rritjen e aktivizimit qytetar për çështje të mprehta sociale, si ajo e barasizë gjinore apo kundër dhunës me bazë gjinore, kjo përmes të rinjve që fuqizohen të jenë liderë dhe agjentë ndryshimesh sociale në komunitet; dhe

2.     Institucionalizimin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të grupit të të rinjve në vendimmarrjen e qeverisjes vendore duke bashkëpunuar ngushtësisht me Këshillin Bashkiak në Bulqizë.

Qëllimi dhe Objektivat

Qëllimi i projektit:

Të fuqizojë të rinjtë e zonave rurale dhe urbane në bashkinë e Bulqizës në identifikimin, prioritetizimin dhe adresimin e nevojave sociale të komunitetit të tyre nëpërmjet fuqizimit të grupeve rinore dhe institucionalizimit të pjesëmarrjes së tyre aktive në Këshillin Bashkiak.

Objektivat:

-Të  fuqizohen 40 të rinj në identifikimin dhe adresimin e nevojave sociale në 8 njësitë administrative të Bashkisë Bulqizë nëpërmjet ngritjes së grupeve aktive dhe trajnimit të tyre.

-Të mbështeten të rinjtë aktivistë të Bashkisë Bulqizë, për të identifikuar çështje të mprehta sociale të komunitetit të tyre nëpërmjet realizimit të një studimi nga vetë ata.  

-Të rritet pjesëmarrja e të rinjve aktivistë në qeverisjen vendore të Bashkisë Bulqizë, nëpërmjet hartimit të një plani bashkëpunimi me qeverisjen vendore dhe prezantimit të çështjeve sociale në Këshillin Bashkiak.

Aktivitetet kryesore

1.      Takime informuese në 8 njësitë administrative për prezantimin e projektit dhe përzgjedhjen  e 40 të rinjve;

2.      Organizimi i 2 workshopeve për ngritjen e kapaciteteve të 40 të rinjve;

3.      Organizimi i 2 takimeve nga të rinjtë për të rinjtë në çdo njësi administrative;

4.      Realizimi i studimit mbi vlerësimin e nevojave nga të rinjtë të monitoruar nga ekspertë;

5.      Organizimi i një workshopi për hartimin e planit të bashkëpunimit midis grupit të të rinjve dhe Këshillit Bashkiak të Bulqizës;

6.      Organizimi i takimeve vazhdueshme të grupit të të rinjve para çdo mbledhje të Këshillit Bashkiak;

7.      Takime informative mujore nga të rinjtë me anëtarët e tjerë të komunitetit; 

8.      Emisione dhe debate televizive nga të rinjtë në median lokale;

9.      Përgatitja e fletushkave informative;

10.  Organizimi i konferencës përmbyllëse të projektit.

Rezultatet e pritshme

Rezultati 1: Realizimi i projektit do të sjellë fuqizimin dhe aktivizimin e 40 të rinjve në 8 njësitë administrative të Bashkisë Bulqizë;

Rezultati 2: Identifikimi i problematikave sociale të zonës sipas këndvështrimit të të rinjve nëpërmjet studimit të realizuar nga 40 të rinjtë dhe 160 bashkëpunëtorët e tyre;  

Rezultati 3: Krijimi i një bashkëpunimi ndërmjet të rinjve dhe qeverisjes vendore nëpërmjet formalizimit të pjesëmarrjes së grupit të të rinjve në mbledhjet e Këshillit Bashkiak.

Rezultati 4: Qeverisja vendore dhe komuniteti do të informohen mbi problematikat në vazhdimësi nga vetë të rinjtë  nëpërmjet materialeve të përgatitura nga ata dhe nëpërmjet emisioneve/kronikave në median lokale. 

Përfituesit kryesorë

Përfitues të drejtpërdrejtë:

-40 të rinj të përzgjedhur në 8 njësitë administrative të Bulqizës;  

-160 të rinj që bashkëpunojnë me moshatarët e tyre në zbatimin e aktiviteteve të projektit;

-Qeverisja vendore e Bashkisë Bulqizë;

Përfitues jo të drejtpërdrejtë:

-Qytetarët e 8 njësive administrative të Bulqizës.

Kohëzgjatja e projektit

12 muaj

Zona e zbatimit të propozimit

Bashkia Bulqizë

 

 

Organizata Zbatuese: Strehëza për Gra dhe Vajza (SAWG Tirana)
Zona e zbatimit: Bashkia Bulqizë
Dokumentat: PYETESORI_Studimi_per_vleresimin_e_nevojave.pdf
Kohëzgjatja: 12 Muaj

Pazari i Ri, Pallati Nr. 74, Kati 2, Tiranë

+355 44 500 153