Studimi “Barometri i performancës së Bashkisë Devoll sipas përcaktimeve të neneve 26, 27 dhe 28 të ligjit 139/2015 është një studim që bëhet për herë të parë në zonë qëkur hyri në fuqi reforma territoriale administrative e viti 2015. Ky studim është bazuar në një metodologji që vlerëson analizën e fakteve dhe dokumenteve në një mënyrë të pavarur e profesionale. Studimi tenton që duke vlerësuar performancën e një mandati qeverisës në Bashkinë Devoll, nga njëra anë të nxjerrë në pah punën e deritanishme në 5 fushat e marra në analizë për të evidentuar nevojën se ku duhet të përqendrohet puna e qeverisë në mandatin e ardhshëm dhe nga ana tjetër mund të shërbejë si një mjet llogaritës në duart e qytetarit për të kërkuar më shumë llogari ndaj të zgjedhurve të tij. Figura1: Performanca e Bashkisë Devoll sipas 5 fushave të marra në analizë Në baze të ligjit të ri Nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, në bashki janë transferuar funksionet për bujqësinë nga Ministria e linjës si dhe menaxhimi i pyjeve dhe mbrojtja e mjedisit. Në bazë të këtij ligji, bashkive u dalin detyra dhe sfida të reja me të cilat duhet të përballen si: shërbimet dhe këshillimet për fermerët, menaxhimi i pyjeve dhe druve të zjarrit, menaxhimi i mbetjeve të ngurta e trajtimi i ujërave të përdorur. Në këtë kuadër ky studim ka përcaktuar për të shqyrtuar 5 fusha që burojnë nga kompetencat ligjore të gërshetuara këto me premtimet elektorale të fushatës së fundit. Performanca e këtyre fushave është vlerësuar duke matur ecurinë e 33 treguesve të ndryshëm. Në këtë raport del në pah vështirësia që has Bashkia në përballimin e situatave të reja për përmbushjen e kompetencave që burojnë nga ligji 139/2015. Vërehet gjithashtu se performanca vijon të mbetet në nivelin e ndërhyrjeve tradicionale të bashkive të vogla pjesë e sistemit të para reformës territorialë administrative, pasi detyrat e reja duket se janë vështirësisht të zbatueshme nga Bashkia.
Pazari i Ri, Pallati Nr. 74, Kati 2, Tiranë