Lëviz Albania

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

BLOG: DEMOKRACIA DIGJITALE DHE KONTEKSTI INSTITUCIONAL

BLOG: DEMOKRACIA DIGJITALE DHE KONTEKSTI INSTITUCIONAL

Autorë:

Gentian Elezi, Konsulent i Menaxhimit të Njohurive

Saimir Musta, Menaxher i Granteve, LevizAlbania

 

Përmbledhje

Ky artikull përmbledh një analizë të kryer mbi kontekstin shqiptar në kuadër të promovimit të demokracisë digjitale, duke parë edhe rolin e LevizAlbania (LA) në këtë fushë. Duke e konsideruar një hapësirë që ndërthur dy komponentë jetësor tashmë për zhvillimin shoqëror, demokratizimin dhe inovacionin teknologjik, artikulli shpjegon karakteristikat kryesore të këtij ndërveprimi. Kjo bëhët duke përshkuar në radhë të parë teoritë dhe modelet kryesore ekzistuese, e më pas duke analizuar dhe kategorizuar eksperiencat shqiptare. Në fund diskutohet edhe përvoja dhe mësimet e nxjerra nga LA, me fokus edhe rekomandimet për të ardhmen e demokracisë digjitale si dhe ndërhyrjet e nevojshme për këtë fushë.

Hyrje

Pas një vale të suksesshme demokratizimi gjatë viteve 90, sistemet demokratike në mbarë botën po përjetojnë një stagnacion ose përkeqësim. Zhvillimet e shpejta dhe sfidat e shumta të ndërlidhura dhe komplekse, kanë vendosur në sprovë institucionet demokratike, duke i përballur me fenomene gërryerëse. Kjo situatë ka sjellë gradualisht një thellim të distancës midis qytetarëve dhe marrjes së vendimeve, si dhe një rritje të mungesës së besimit tek institucionet. Megjithatë, zhvillimi teknologjik dhe përparimet në fushën digjitale kanë prekur edhe sferën e demokracisë, duke ofruar disa modele të pjesëmarrjes së qytetarëve online. Në këtë kuadër, LA është angazhuar në kontekstin shqiptar që të inkurajojë dhe mbështesë praktika të tilla alternative pjesëmarrjeje për fuqizimin e demokracisë vendore. Qytetarët shqiptarë shfaqin nivel të ulët pjesëmarrje në proceset demokratike. Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies ka thelluar edhe më tej hendekun midis tyre dhe institucioneve (Shih artikullin). Specifikisht referuar demokracisë vendore, reforma territoriale e 2015 duket se ka shtuar sfidat në këtë drejtim (Shih artikullin).

Qëllimi i këtij artikulli është të prezantojë dhe diskutojë mbi dimensionin e ndërveprimit institucional të projekteve të mbështetura nga LA në fushën e demokracisë digjitale. Më konkretisht, autorët përpiqen të japin një analizë të shkurtër mbi reagimin dhe gatishmërinë institucionale në lidhje me këto forma pjesëmarrjeje, duke u ndalur sidomos tek praktikat e mira, pengesat dhe mësimet e nxjerra për një bashkëpunim të suksesshëm.

Fillimisht, artikulli do të prezantojë shkurtimisht kuadrin e gjerë dhe kontekstin në të cilin janë bërë përpjekjet e LA për demokracinë digjitale, si dhe teoritë dhe modelet kryesore në këtë fushë. Më pas do të jetë përqendrohemi veçanërisht tek përvoja e LA në marrëdhëniet me institucionet e përfshira dhe përpjekjet e aktorëve të tjerë në vend. Në këtë seksion do të jepen edhe të dhëna konkrete nga ndërveprimi që grantmarrësit kanë patur me institucionet vendore, duke ofruar një analizë të tipareve kryesore të kësaj marrëdhënieje dhe qendrimin që këta aktorë kanë mbajtur ndaj instrumentave të demokracisë digjitale. Pjesa analitike do të vazhdojë me një diskutim mbi mësimet e nxjerra nga LA në raportin me institucionet në këtë fushë. Nga kjo përvojë dhe mësime do të nxirren disa përfundime që do të mbyllin artikullin në formën e rekomandimeve për të ardhmen.

Konceptimi dhe teorizimi i demokracisë digjitale

 

Pjesëmarrja me anë të instrumentave digjitalë fuqizon qytetarët që të monitorojnë dhe ofrojnë mbështetje për autoritetet publike në mënyrë që ato të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë më efikase, duke krijuar kështu një marrëdhënie më të ngushtë midis të gjithë aktorëve të përfshirë. Në shumë vende të botës, qytetarët e përdorin internetin për të gjitha ndërveprimet e tyre, duke përfshirë vendimet e qeverisjes së tyre (Shih artikullin).

Sipas artikullit të Erkul (2014) disa nga përparësitë kryesore të pjesëmarrjes elektronike janë: Transparencë më të madhe qeveritare; rritje e përfshirjes së qytetarëve; përgjegjësi e përmirësuar e qeverisë, etj. Së pari, përmes nismave të hapura, autoritetet publike u ofrojnë qytetarëve qasje në informacione që më parë nuk ishin në dispozicion. Në sajë të mjeteve të siguruara, transparenca arrin një nivel më të lartë, kështu që pjesëmarrja e qytetarëve përmirësohet dhe proceset demokratike thjeshtohen. Së dyti, vendet përmirësojnë metodat online të ofrimit të shërbimeve publike në mënyrë që të plotësojnë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, duke forcuar kështu informacionin e tyre elektronik, konsultimin dhe veprimtarinë e vendimmarrjes elektronike. Së fundmi, në mënyrë që të ketë shtete të suksesshme demokratike, autoritetet qeveritare duhet t'u japin përgjigje qytetarëve. Për shembull, autoritetet publike mund të krijojnë faqe në të cilat qytetarët mund të fillojnë peticione për çështje të ndryshme me interes ose ata mund të votojnë për çështje të veçanta.

Sipas modeleve ekzistuese dhe teorive në këtë fushë, ëeb-zgjidhjet dhe instrumentat digjitalë në tërësi mund të përdoren: 1. për të përforcuar institucionet demokratike (e-votimi);  2. për të ndryshuar institucionet ekzistuese (ëebcasting për transparencë); 3. për të zëvendësuar praktikat aktuale me të reja (buletini online dhe instrumentet e tjera të reja të komunikimit);  4. për të zhvilluar institucione demokratike (forume online dhe mënyra të reja të qasjeve reflektuese) dhe;  5. për të zgjeruar demokracinë duke përdorur platformat online për të përfshirë grupe që janë të skajuara ose larg vendimmarrjes (Pratchett 2016).

Duhet theksuar se nga pikëpamja e qasjes dhe qëllimeve që kanë, modelet e zbatuara nëpër botë deri më tani janë të shumta dhe të ndryshme midis tyre:

  • Modeli i konsoliduar zviceran, që buron edhe nga raporti i ndërtuar ndër dekada mes qytetarit dhe institucionit;
  • Modeli i vrullshëm dhe inovativ i Estonisë, me në krye bashkinë e Tartu, ku buxhetimi me pjesëmarrje është ngritur dhe sofistikuar në formën e tij më optimale;
  • Modeli i Rumanisë, për t'u afruar edhe më tej në kontekstin e rajonit, i cili rriti transparencën dhe angazhimin e drejtëpërdrejtë të qytetarëve, duke çuar deri në ndryshime kushtetuese për të përfshirë instrumenta të pjesëmarrjes së vazhdueshme;
  • rasti i Kosovës (GAP) ku monitorimi online i të ardhurave dhe shpenzimeve publike në nivel vendor ka prodhuar rezultate të konsiderueshme.

Leviz Albania ka mbështetur një numër të konsiderueshëm projektesh që kanë në qendër demokracinë dhe pjesëmarrjen digjitale (shih artikullin nga Blerjana Bino dhe Anahi Martinez). Por si integrohen këto instrumenta në kontekstin më të gjerë shqiptar dhe si janë përballur me institucionet dhe aktorët që marrin vendimet?

 

Demokracia digjitale në kontekstin shqiptar

Përpjekjet për demokratizim dhe angazhim qytetar kanë qenë të shumta në Shqipëri gjatë tri dekadave të fundit, qoftë nga kërkesa e brendshme, por edhe nga shtytjet e faktorëve të jashtëm. Deri më tani, ne kemi identifikuar dhe më pas kategorizuar këto eksperienca në tre grupe kryesore:

1.Në kuadrin e agjendës digjitale, disa donatorë dhe organizata ndërkombëtare kanë kontribuar në projekte pilot apo eksperienca vendore që kanë shërbyer si test i mirë për të kuptuar tiparet kryesore të kontekstit shqiptar dhe sfidat përkatëse. Konkretisht, në të kaluarën janë zbatuar projekte nga GIZ dhe UNDP, që kanë synuar pjesërisht ndërtimin e komponentëve digjitale në ofrimin e shërbimeve në disa bashki të vendit. Aktualisht, mund të përmenden ndërhyrje që janë në vazhdim, si ajo e "Bashki të forta" si dhe projekti PACEP i cili ka një komponent të fuqizimit të kapaciteteve të parlamentit shqiptar për aksesin e qytetarëve dhe shoqërisë civile në diskutimet e komisioneve parlamentare (me anë të instrumentave digjitale). Ashtu si LA, edhe këto dy projekte të fundit janë të mbështetur nga qeveria e Zvicrës. Megjithatë, pothuaj të gjitha këto përpjekje kanë patur një element të përbashkët: punën me institucionet. Qëllim dhe objektiv ato kanë patur fuqizimin e kapaciteteve institucionale, duke ofruar modele dhe instrumenta për të mundësuar angazhimin qytetar në informim, kërkesë llogarie ndaj institucioneve, ofrim shërbimesh dhe pjesëmarrje. Pra përfituesi direkt dhe kryesor i tyre kanë qenë institucionet dhe përmirësimi i shërbimit që ato japin tek qytetarët, sidomos në terma aksesi në qeverisje dhe shprehje mendimi.

2. Një grup i dytë, më kompleks dhe më i debatueshëm se i pari, lidhet me përpjekjet e vetë institucioneve publike për të krijuar dhe përhapur instrumente të pjesëmarrjes qytetare në marrjen e vendimeve. Këto eksperienca kanë qenë kryesisht ad hoc dhe janë shoqëruar shpesh me perceptime të mungesës së transparencës në funksionim dhe menaxhim të mbledhjes, përpunimit dhe publikimit të të dhënave. Pavarësisht mangësive, këto raste kanë patur rol të dobishëm për të edukuar qytetarët me praktikat online dhe njohjen me instrumenta të ndryshëm nga pikëpamja e funksionalitetit. Megjithatë, nga këndvështrimi i demokratizimit dhe i përmirësimit të angazhimit dhe pjesëmarrjes qytetare, këto formate kanë patur më pak rezultat për rritjen e besimit qytetar tek këto procese.

3. Kategoria e tretë, që kemi zgjedhur ta radhisim veçmas, përbëhet nga kontributi i projektit zviceran LevizAlbania. Fokus i LA në këtë dimension, ashtu si edhe në fushat e tjera, ka qenë puna e drejtëpërdrejtë me qytetarët, grupet e ndryshme apo organizatat e shoqërisë civile, e pra jo institucionet. Qëllimi ka qenë angazhimi dhe organizimi i pavarur i pjesëve të shoqërisë përkundrejt institucioneve, e jo domosdoshmërisht njehsimi i praktikave me këto të fundit. Kjo qasje përbën risi dhe kategori më vete. Fleksibiliteti dhe larmishmëria që ka karakterizuar filozofinë e LA në mbështetjen e këtyre nismave, ka mundësuar eksplorimin e gjithanshëm të modeleve të demokracisë digjitale, pa u kushtëzuar nga formate të paracaktuara apo të standardizuara. Ndër të tjera, kjo ka sjellë si kontribut edhe përshtatjen më të lehtë të instrumentave me kontekstin shqiptar. Shtrirja gjeografike është një tjetër aspekt për t'u dalluar tek puna e LA në këtë fushë, duke qenë se nismat kanë përfaqësuar zona të ndryshme me karakteristika të veçanta krahasuar me njëra tjetrën. Në disa raste është mbuluar edhe gjithë territori apo është ofruar një platformë e centralizuar që ofron informacion për të gjithë vendin.

Kjo pavarësi që LA ka mundësuar për këto nisma dhe instrumenta ka bërë të mundur që zëri qytetar të përçohet në mënyrë të drejtpërdrejtë tek autoritetet vendore.

Projektet e mbështetura nga LA me fokus në demokracinë digjitale, kanë synuar përmirësimin e proceseve demokratike dhe ligjore si: konsultimi publik, pjesëmarrja në buxhetim, monitorimi i kontratave dhe shpenzimeve publike, peticioni online, nxitja e pjesëmarrjes në vendimmarrje etj.  

LevizAlbania në mbështetjen që i jep grantmarrësëve të saj kontribuon fillimisht në krijimin e mjeteve në funksion të demokracisë digjitale.

Në kontekstin e demokracisë digjitale mjetet konsistojnë në platforma, baza të dhënash, forume dhe aplikacione online, të cilat në varësi të synimeve të projekteve të veçanta, vijnë në trajta të ndryshme, por në bazë kanë krijimin e kanaleve të komunikimit dhe të transmetimit të informacionit të gatshëm për tu përdorur.

Këto kanale komunikimi përgjithësisht kanë tre aktorë të përfshirë, krijuesin e të dhënave, përpunuesin e të dhënave në informacion dhe marrësin e informacionit. Në varësi të projektit, krijues të të dhënave mund të jenë qytetarët (Buxhetim.AL), ose institucionet publike (OpenData). Përpunues të të dhënave në informacion janë përgjithësisht ekspertët e përfshirë në zbatimin e projekteve të cilët paketojnë të dhëna/përmbajtje, nxjerrin të dhëna/përmbajtje dhe përshtasin të dhëna/përmbajtje si për nevoja të thjeshtimit dhe përçimit tek marrësi final (qytetarë e zgjedhës) dhe ashtu edhe në kah të kundërt ku çështje të përditshmërisë të evidentuara gjatë projektit, duhet të kodifikohen dhe përkthehen në përmbajtje teknike për t’iu parashtruar institucioneve publike (shkelje kontraktuale, detyrime ligjore apo shkelje e të drejtave të palëve) për të ndërmarrë veprime të mëtejshme.

Nga veprimtaritë dhe vënia në përdorim e mjeteve të përshkruara më lart, me popullimin e kanaleve të komunikimit ose nga risia e të dhënave të paketuara, grantmarrësit e LA krijojnë produkte të vlefshme për forcimin e demokracisë dhe të angazhimit qytetar. Natyra e këtyre produkteve përfshin publikime, artikuj, raporte, monitorime të vijuara, hulumtime, etj. Përfitues të këtyre produkteve janë qytetarët por edhe ekspertët e fushave të ndryshme, të cilëve u mundësohet aksesi i menjëhershëm në informacion, raportimi në kohë reale dhe konsultimi i raporteve të krijuar nga të dhëna të besueshme dhe të verifikueshme. Me anë të këtyre produkteve synohet ndërveprimi në kushte të aksesit të barabartë të informacionit, mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve dhe për pasojë heqja e barrierave artificiale në komunikim mes qeverisjes dhe zgjedhësve.

Krijimi i produkteve nuk mjafton për të mundësuar demokraci digjitale. Literatura[1] sugjeron se një rrjedhë e fortë informacioni në komunikimet mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve është e domosdoshme për pasjen e një sistemi qeverisës funksional dhe me pjesëmarrje të kënaqshme të të gjitha palëve.

LevizAlbania me anë të grantmarrësëve të saj dhe kanaleve të veta të komunikimit ka synuar rritjen e fuqisë së kësaj rrjedhe informacioni mes qytetarëve dhe të zgjedhurve vendorë. Ky aspekt i kuvendimit dhe ndërveprimit është pjesë e të gjithë projekteve të financuara nga LA, pavarësisht fushës së ndërhyrjes. Veçanërisht projektet që trajtojnë demokracinë digjitale, kanë karakteristika të ndërveprimit me publikun e gjërë.

Përgjithësisht këto projekte kanë të përfshira si pjesë të tyre, veprimtari që ndikojnë mbi aftësinë dhe vullnetin e qytetarëve dhe të institucioneve për të përqafuar nisma të E-Qeverisjes[2].

LevizAlbania dhe grantmarrësit e saj zhvillojnë përpjekje të njëkohshme për rritjen e përdorueshmërisë së mjeteve të demokracisë digjitale. Gjithashtu përpjekjet janë të dyanshme sa i takon shpërndarjes së produkteve në të gjitha kanalet në përdorim. Përtej kanaleve mediatike online, në rrjetet sociale, faqen zyrtare dhe në PortaVendore, LA përdor edhe rrjetin e gazetarëve të përkrahur dhe bashkëpunëtorëve të saj për të angazhuar qytetarët në njohjen dhe përdorimin e mjeteve dhe produkteve të demokracisë digjitale.

Si hap kulminant i nismave të demokracisë digjitale është ndërmarrja nga ana e qytetarëve që i bashkohen organizatave zbatuese, e nismave dhe “rënia e këmbanave” për qeverisjen vendore nëpërmjet Peticioneve Online, kërkesave shkresore zyrtare, prezantime të raporteve dhe gjetjeve në evente tematike apo edhe padi të drejtuara organeve ligjzbatuese.

LevizAlbania ka mbështetur me sukses 11 projekte dhe iniciativa në sferën e demokracisë dixhitale, duke synuar krijimin e mjeteve, kanaleve dixhitale dhe rritjen e fluksit të informacionit mes qytetarëve dhe institucioneve.

Numri i qytetarëve të përfshirë në aksionet lokale që lindin nga projektet e financuara ka kaluar mbi 2500. [3]Pas përfundimit të projekteve, të gjitha platformat online të krijuara janë aktualisht aktive dhe vazhdojnë të kontribuojnë në objektivat fillestare të përcaktuara të projekteve.

Në konkluzion, vlerësojmë se kontributi i LevizAlbania, si mbështetës për aktorët e shoqërisë civile në vënien në jetë të nismave në funksion të demokracisë digjitale, në përgjithësi, është një ndërhyrje që krijon dhe përmirëson mjedisin mundësues për angazhimin qytetar.

Një aspekt shumë i rëndësishëm që nxitet përmes përdorimit të mjeteve digjitale është edhe ndikimi në ndryshime sistemike në nivelin vendor dhe qendror, që nënkupton ndryshimin e rregullave apo proceseve rregullatore e institucionale përmes një procesi advokimi që synon që modele funksionale të krijuara të brendësohen nga ana e institucioneve dhe të përdoren në shërbim të qytetarëve. Por ky aspekt nuk është pjesë e këtij artikulli dhe meriton një trajtesë të veçantë.

Mësimet e nxjerra

Pavarësisht risive pozitive që LA ka sjellë në kontekstin shqiptar në fushën e demokracisë digjitale, kjo pozitë komode e LA e përshkruar më lart, që ka bërë të mundur eksplorimin dhe testimin e modeleve të ndryshme, ka ardhur edhe me sfida. Së pari, mungesa e një strategjie të mirëfilltë e të integruar mbi objektivat dhe qëllimet e promovimit të këtyre nismave të demokracisë digjitale, ka sjellë një fragmentarizim të rezultateve dhe pamundësinë e krijimit të sinergjive të mirëfillta midis tyre. Për më tepër, kjo ka sjellë si pasojë edhe vështirësinë e qëndrueshmërisë së nismave dhe instrumenteve të konceptuara e ndërtuara nga to. Një mësim që mund të nxirret në këtë kuadër ka të bëjë me nevojën për një punë më të fokusuar dhe më strategjike për të krijuar dhe ruajtur një balancë më të mirë midis fleksibilitetit dhe lirshmërisë në prodhimin e ideve dhe instrumentave (nga një anë) dhe dhënien e një strukture makro për këtë fushë (nga ana tjetër), ku të gjitha idetë të takohen e ndërveprojnë.

Megjithatë duhet mbajtur parasysh që LA nuk ka pasur qëllim kryesor demokracinë digjitale ndaj këto sfida dhe mësime të nxjerra duhen pare në këtë kontekst dhe shërbejnë edhe për aktorët e tjerë që kanë interes në këtë drejtim. Përvoja e grantmarrësve të LA mund të replikohet, zgjerohet e konsolidohet më tej.

Një mësim i dytë lidhet me nevojën për një përhapje më efikase të modeleve të promovuara, për të incentivuar edukimin qytetar dhe replikimin. Promovimi i praktikave të suksesshme në fushën e demokracisë digjitale kërkon shfrytëzimin e të gjithë rrjetit të LA në territorin e vendit, si edhe bashkëpunim me aktorët e tjerë. Për të ndihmuar edhe në qëndrueshmërinë dhe konsolidimin e ideve të mira në këtë fushë, duhet një platformë e cila, nën një emërues të përbashkët, të mund të prezantojë dhe përfaqësojë të gjithë modelet e testuar dhe të japë mundësi për krijim dhe fuqizim kapacitetesh midis grupimeve të tjera apo zonave të tjera.

Së fundi, një tjetër aspekt i kësaj përvoje, lidhet me nevojën për bashkërendim të iniciativave publike me ato jo-publike sa i takon demokracisë digjitale. Nga sa u përmënd më lart kemi përshkruar një stad të mjedisit në të cilin bashkëekzistojnë nisma zyrtare të nivelit qëndror dhe vendor, nisma këto të mbështetura ose jo nga donatorë të huaj dhe gjithashtu ekzistojnë nisma të aktorëve të  shoqërisë civile të cilat marrin përkrahjen e donatorëve si LevizAlbania.

Produktet e suksesëshme të demokracisë digjitale janë ato që ofrojnë të dhëna dhe studime të pa-kundërshtueshme, të njohura si nga qytetarët ashtu edhe nga të zgjedhurit. Në demokracitë e konsoliduara janë vetë organet qeverisëse që zbatojnë projekte të orientuara drejt demokracisë digjitale. Në kontekstin shqiptar, është ende e nevojshme përfshirja e aktorëve të shoqërisë civile në më shumë instrumenta të ndërveprimit mes institucioneve, veçanërisht atyre vendore dhe qytetarëve.

Përfundime dhe rekomandimet për të ardhmen

Lidhja e ngushtë që krijon kjo fushë midis thellimit të demokratizimit dhe mbajtjes së hapit me zhvillimet teknologjike në përgjithësi, e bën atë një domosdoshmëri për agjendën e ardhme zhvillimore të vendit. Revolucioni digjital mund të ndihmojë në mënyrë të ndjeshme në plotësimin e boshllëqeve të krijuara midis qytetarit dhe institucioneve. Megjithatë, për një përdorim efikas të këtyre instrumenteve, duhet edhe një proces edukimi qytetar nga një anë, si dhe një punë bashkëpunuese me institucionet nga ana tjetër. Për sa i përket punës së LA konkretisht, kontributi nëpërmjet nismave ka qenë i çmuar në angazhimin e shoqërisë civile dhe aktivistëve, të cilët në mënyrë të pavarur nga institucionet kanë propozuar dhe zhvilluar instrumente të tilla. Nga kjo pikëpamje, LA dhe/ose organizma të tjera duhet të ruajnë këtë qasje në të ardhmen pasi mbulojnë një rol që nuk e kanë praktikat e tjera ekzistuese, që punojnë kryesisht për të mbështetur drejtëpërdrejtë institucionet. Megjithatë, dobishmëria dhe qëndrueshmëria e nismave në këtë fushë do të ishte më e lartë nëse do të zhvillohej një strategji e mirëfilltë dhe një hartë e integruar e modeleve të praktikuara, duke i regjistruar këto njohuri dhe duke i bërë të replikueshme, në shërbim të edukimit qytetar dhe aktivizmit.

Rreth LevizAlbania

LevizAlbania është projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) i zbatuar nga një konsorcium i (i) Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), (ii) Partnerëve Shqipëri dhe (iii) Co-Plan. Që nga viti 2015, LA ka kontribuar në rritjen e demokracisë lokale, përmes granteve për Organizatat Jofitimprurëse (OJF), grupet informale dhe individëve, duke mbështetur kërkesën e tyre për qeverisje vendore transparente dhe të përgjegjshme dhe shërbime publike efikase. Projekti mbështet ndërtimin e koalicioneve për të nxitur ndryshime strukturore dhe sistematike në nivel lokal dhe kombëtar dhe për të promovuar praktikat pozitive në mbështetje të demokracisë lokale.

Sistemi i Menaxhimit të Njohurive dhe Platforma e Angazhimit Qytetar

Platforma për Menaxhimin e Njohurive dhe Angazhimin Qytetar të Lëviz Albania ka si qëllim mbledhjen, strukturimin dhe kapitalizimin e gjithë kontributit dhe arritjeve të LA në 6 vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, ky ushtrim shqyrton sfidat me të cilat përballet Lëviz Albania në arritjen e objektivave të saj, por edhe sfidat e grantmarrësve dhe kontekstin më të gjerë të demokracisë lokale. Menaxhimi i njohurive analizon proceset e brendshme dhe të jashtme të LA si dhe koncepton ngritjen e mekanizmave bazuar në nevojat e identifikuara. Kjo qasje e zgjedhur synon të përmirësojë efektivitetin e projekteve të reja dhe do të rrënjos një kulturë të përdorimit sistematik dhe të strukturuar të njohurive të marra, duke përdorur instrumentet dhe mekanizmat (platformën) e ngritura. Sistemi i Menaxhimit të Njohurisë dhe Platforma e Angazhimit Qytetar kontribuon në rritjen e efektivitetit të ndërhyrjeve dhe mundëson një analizë të thellë dhe pasqyrë të sfidave për mbështetjen e demokracisë lokale dhe angazhimit qytetar. Ekspertët e angazhuar për këtë nga LevizAlbania (renditje alfabetike): Blerjana Bino dhe Gentian Elezi.

 

[1] Crozier 2008

[2] E rëndësishme të bëhet dallimi mes e-qeverisë (e-albania në kontekstin Shqiptar) dhe e-Qeverisjes. E para është platforma e ofrimit të shërbimeve publike online dhe e dyta është ajo fazë e qeverisjes digjitale që rrënjos demokracinë dixhitale dhe ku mundësohet pjesëmarrja e qytetarëve oline në diskutimin publik, politik dhe vendimmarrje së bashku me aspektet e ofrimit të shërbimeve publike online.

[3] Të gjithë pjesëmarrësit në aktivitetet e organizuara nga grantmarrësit në projekte numërohen ndërsa nënshkruesit e peticionit nuk numërohen pasi numri po ndryshon në mënyrë progresive.

Pazari i Ri, Pallati Nr. 74, Kati 2, Tiranë

+355 44 500 153