Lëviz Albania

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

MANUAL - TIRANA FLET! STRUKTURAT KOMUNITARE NË SHQIPËRI

MANUAL - TIRANA FLET! STRUKTURAT KOMUNITARE NË SHQIPËRI

Ky manual synon të prezantojë një alternativë qeverisëse ndryshe, të ndajë gjerësisht një vizion, por edhe të motivojë nismën e institucioneve vendore dhe qendrore drejt kërkimit dhe vendosjes së një partneriteti me qytetarin si subjekt i rëndësishëm i ndryshimit. Përmirësimi i qeverisjes dhe cilësisë së jetës nuk mund të jetë e drejtë ekskluzive e shtetit dhe qeverisë. Manuali i vjen në ndihmë dhe pritet të pranohet nga të gjithë aktorët e mundshëm si partnerë të domosdoshëm të këtij ndryshimi. Ai mbështetet në rolin e rëndësishëm të institucioneve. Gjithsesi, dhe mbi te gjitha, manuali është për qytetarin, sepse ndryshimi mund të vijë vetëm prej tij, prej qytetarëve të fuqizuar. Nisma dhe synimet e cituara vijnë në mbështetje të detyrimeve të Ligjit të ri “Për Vetëqeverisjen Vendore” (nenet 68 dhe 69) që kërkojnë krijimin e një realiteti të ri të organizimeve komunitare. Ky realitet përbën ndoshta një moment historik në zhvillimin e demokracisë, sepse përafron një dinamikë publike që fuqizon qytetarët për rolin e tyre në qeverisje. Kjo nismë kërkon krijimin e një mjedisi mundësues për ngritjen e këshillave komunitare me nismën dhe vullnetin e qytetarëve në çdo minizonë urbane. Në këtë aspekt, manuali do të trajtojë në rubrika të veçanta më konkretisht qasjen ndaj krijimit të strukturave komunitare dhe rolin e qytetarëve për t’i dhënë jetë organizimit komunitar si përgjegjësi qytetare. Nga ana tjetër, manuali do të qartësojë edhe çështje që kanë të bëjnë me procesin rregullator normativ që pritet të realizohet nga qeverisja vendore. Procesi i ngritjes së strukturave komunitare përbën një risi për realitetin shqiptar dhe si i tillë ai është mbi të gjitha edukativ për qytetarët dhe institucionet. Nisma kërkon një kulturë qeverisëse ndryshe që shkon drejt qytetarit, njëherazi edhe ndryshim të mentalitetit menaxherial mbështetur në një rol aktiv të qytetarit dhe grupeve komunitare. Veçmas, nisma kërkon pikësëpari një qytetari aktive dhe gadishmëri për kontribute nga poshtë të shoqërisë dhe për këtë shembujt janë në rritje se qytetarët po marrin një rol gjithmonë e më tepër në menaxhimin e jetës publike. Siç shihet, sfidat janë të mëdha dhe jo fort të lehta. Mbi të gjitha, sepse kërkohet ndërhyrje në raportet ndërpersonale mes njerëzve në komunitetet vendore. Investimi për forcimin e kapitalit social është dimensioni i munguar në politikat publike gjatë gjithë periudhës së tranzicionit të vendit. Në disa analiza dhe diskutime publike shumë nga arsyet për mosecjen e gjërave në drejtimin e duhur i atribuohen pasivitetit shoqëror e qytetar dhe mungesës së një perspektive për zhvillimin nga poshtë të shoqërisë, apo qeverisjes “me një drejtim”, pra nga qeveria tek qytetari dhe jo edhe nga poshtë-lart. Edhe më kërkuese bëhet situata me njësitë e reja të qeverisjes vendore, ku përfshihen territore më të gjera urbane dhe rurale dhe ku përfaqësimi dhe pjesëmarrja e komuniteteve vendore në qeverisje dhe vendimmarrje është edhe më sfiduese. Ligji i ri “Për Vetëqeverisjen Vendore” e ka paraparë përballjen me këtë problematikë. Bashkia e ushtron administrimin e tij në periferi përmes njësive administrative. Ndërkohë, për herë të parë në legjislacionin kombëtar parashihet nisma e qytetarëve për t’u vetëorganizuar e kontribuar në forma e mënyra të ndryshme për aktivizim dhe pjesëmarrje në përmirësimin e qeverisjes dhe cilësisë së jetës në komunitetin vendor. Në këtë rast, me nismë të Bashkisë së Tiranës dhe në partneritet me shumë aktorë të tjerë të shoqërisë civile, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) po investon gjithë përvojën e saj shumëvjeçare për të institucionalizuar një mënyrë qeverisjeje përmes pjesëmarrjes së qytetarëve. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është një sipërmarrje e lehtë. Stepja e parë që lind në këtë parashtrim lidhet me një skepticizëm dhe mungesën e besimit se ky ndryshim mund të ndodhë dhe se komunitetet qytetare mund të marrin përgjegjësi qeverisëse. Jo aq i lehtë është edhe ndryshimi i mentalitetit të drejtimit apo menaxhimit të jetës publike duke vlerësuar qytetarin partner në qeverisje. Në tërësinë e tij, mjedisi social por edhe institucional në vend, deri më sot, nuk ka qenë i udhëhequr nga filozofi dhe modele qeverisëse që ftojnë dhe mbështeten në ndërveprimin nga lart-poshtë e anasjelltas. Por, ndryshimi i synuar duhet të ndodhë. Pikësëpari, sepse nuk ka një alternativë tjetër (veçse fuqizimit të qytetarëve) për të zëvendësuar boshllëkun dhe distancën e qytetarit me qeverisjen për sa i përket përfaqësimit, pjesëmarrjes, aktivizimit, qytetarisë, civilizimit, përgjegjësisë, llogaridhënies, humanizmit, vullnetarizmit, e të tjera. Kjo është njëra anë, njëherazi mjaft e rëndësishme, sepse i bën qytetarët të ndjehen subjekt të ndryshimit. Ana tjetër është se vetë institucionet kanë nevojë jetike për bashkëpunimin dhe ndërveprimin me strukturat komunitare, të cilat realisht janë zgjedhur nga komunitetet vendore. Është e vështirë të përfytyrohet një qeverisje demokratike, zbatim efikas i ligjit në nivel vendor nga çdo institucion publik, politika ekonomike për zhvillim të qëndrueshëm në mënyrë të veçantë në zonat rurale, përfshirje sociale dhe ulje të pabarazisë shoqërore pa pjesëmarrjen dhe kontributin e qytetarëve dhe komuniteteve vendore në proceset qeverisëse. Përpjekjet për të minimizuar korrupsionin dhe përmirësuar llogaridhënien publike mund të jenë më të suksesshme përmes forcimit të zërit të qytetarit. Për të mos shkuar më tej, edhe vetë morali i shoqërisë, në instancë të fundit, lidhet me qytetarinë. Orientimi i institucioneve drejt politikave me qendër qytetarin dhe fuqizimi i qytetarëve përmes strukturave komunitare për pjesëmarrje dhe angazhim civil janë dy anë që garantojnë mirëqeverisjen. Prandaj, IDM ka bindjen se Bashkia dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës së bashku me shoqërinë civile dhe grupe të tjera vullnetarësh do të punojnë tok për një model funksionues të strukturave komunitare duke rrezatuar në të gjithë vendin. Informacioni në këtë manual synon të jetësojë në gërmë dhe në frymë “Ligjin e ri Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” (nenet 68 & 69). Kjo qasje buron nga nevojat e brendshme për forcimin e demokracisë pjesëmarrëse dhe mbështetet nga një studim krahasues i vendeve të rajonit dhe më gjerë.

 MANUAL - TIRANA FLET! STRUKTURAT KOMUNITARE NË SHQIPËRI

Pazari i Ri, Pallati Nr. 74, Kati 2, Tiranë

+355 44 500 153