Ky manual përmban në mënyrë të detajuar komponentët e një buxheti vendor duke synuar rritjen e kapaciteteve të qytetarëve në përgjithësi dhe grupeve specifike të interesit në veçanti mbi mënyrën sesi hartohet një buxhet, etapat që ai kalon si dhe këshilla se si mundet qytetarët të jenë aktiv në këtë proces. Manuali synon që të sigurojë një trajtim sa më të plotë dhe të kuptueshëm teorik të buxhetit të qeverisë qendrore duke u ndalur më së shumti në qeverinë vendore ku si rast konkret do të merret buxheti vendor i bashkisë së Lezhës, popullatës konkrete që ky manual synon. Manuali ka për qëllim të përgatisë qytetarë me njohuri të mira në përgatitjen e një programi buxhetor vendor afatmesëm në mënyrë që të krijojë grupe aktive të cilat do të mund të jenë grupe qytetarësh të qendrueshme për të ndikuar në kohë cilësinë e jetës dhe shërbimeve që buxheti vendor duhet të mbaj parasysh në përgatitjen dhe implementimin e tij. Materiali përmban në trajtë të detajuar punën paraprake që duhet bërë dhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në zhvillimin e planit buxhetor të vitit pasardhës, në mënyrë që politikat vendore të ndërmerren në kuadër të një buxhetimi sa më produktiv dhe në shërbim të interesave publike qytetarëve. Ky material përmban gjithashtu shembuj ilustrativë si dhe çështje konkrete që lidhen me përfaqësimin e grupeve të interesit në buxhetimin vendor si barazia gjinore, rinia, Shoqëria civile, bizneset, etj. Manuali është hartuar e artikuluar në një gjuhë sa më të thjeshtë në mënyrë që të mund të kuptohet nga të gjitha grupet e lexuesve, duke u bërë të qartë procedurat dhe etapat që ndiqen në një buxhetim vendor, si dhe në monitorimin e tij. Përse një trajnim për buxhetin e qytetarit? Një element i rëndësishëm i cilësisë së buxhetimit është transparenca e këtij procesi, lehtësimi dhe inkurajimi i përfshirjes së shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në çdo fazë të tyre. Kjo jo vetëm përmirëson proçesin politik-bërës për strategjitë dhe reformat kryesore por, nëpërmjet një pjesëmarrje aktive të taksapaguesve dhe përfituesve nga politikat buxhetore, lehtëson implementimin e suksesshëm të tyre. Studimet kanë argumentuar se vendet që kanë hapur/rritur transparencën e buxheteve të tyre, kanë një nivel korrupsioni më të vogël dhe njëkohësisht një implementim më të mirë të politikave ekonomike e sociale dhe të efiçencës së shpenzimeve dhe investimeve publike. Një moment i rëndësishëm në hartimin dhe zbatimin e strategjive, reformave, politikave dhe projekteve konkrete zë cilësia e kostimit të objektivave me indikatorë dhe tregues të matshëm. Cilësia e përzgjedhjes përfshin edhe efiçencën e përdorimit të burimeve të financimit. Buxheti i Qytetarit për transparencë dhe llogaridhënie në rritje në Bashkinë Lezhë Page 7 Në ketë kontest qytetarët janë të interesuar për cilësinë e qeverisjes së vendit të tyre, ata janë kontribuesit kryesorë të burimeve buxhetore të qeverisë vendore dhe qëndrore dhe njëkohësisht ata përfitojnë apo cënohen nga cilësia e funksioneve dhe shërbimeve publike. Qeverisja e mirë konsiderohet sot një nga prioritetet kryesore për të përmirësuar cilësisht jetën e qytetarëve, për të rritur cilësinë e arsimit, shëndetit, ambientit, infrastrukturës ekonomike e asaj fizike në veçanti. Pse duhet që Qeveria të prodhojë një Buxhet Qytetari? Paratë në duar të qeverisë janë paratë e njerëzve të saj, të cilat vijnë nëpërmjet formave të ndryshme në mënyrë indirekte apo direkte të lidhura me pupullatën. Në rastin e taksave, tarifave apo formave të tjera që pushteti qendror apo vendor vendos mbi popullatën që përfaqëson kemi të bëjmë me forma direkte të mbledhjes së të ardhurave. Por paratë për qeverinë shpesh vijnë edhe si rezultat i burimeve natyrore që një vend ka, që në fakt janë pjesë e trashëgimisë kombëtare që i takon njerëzve, madje edhe kur të ardhurat vijnë nga kreditë, barra e shlyerjes bije përsëri mbi popullin. Në të gjitha këto raste kemi të bëjmë me forma indirekte të të ardhurave të shtetit të lidhura me popullatën që përfaqëson. Të gjitha këto forma të ardhurash të shtetit duhet tu kthehen qytetarëve në forma të të mirave publike, për tu siguruar atyre shërbime më cilësore, më shumë akses e përkthyer në një nivel të mirëqenies socio-ekonomike më të lartë. Në këtë kuadër është mëse normale dhe e domosdoshme që gjithmonë e më shumë të rritet nevoja e publikut për të qënë i informuar mbi shfrytëzimin e burimeve monetare. Publiku duhet të informohet për çdo lek që ka kontribuar në vendin e tij, e për më tepër edhe mbi përdorimin sa më efikas të tyre. Në fakt informimi është vetëm njëra anë e monedhës, pasi një buxhet duhet të dëgjojë zërin e atyre të cilët kontribuojnë në të. Detyra e qeverisë nuk është vetëm të publikojë të dhënat mbi të ardhurat dhe shpenzimet që ajo bën, që në fakt është minimumi i detyrimit që ajo ka ndaj qytetarëve të saj. Detyra e një qeverie, si në aspektin qendror edhe atë vendor është që të dëgjojë dhe të përfshijë sa më shumë grupe qytetarësh që të përdori paratë e tyre në një mënyrë sa më eficente për tu shërbyer. Shpesh qeveritë e njohin dhe e mbështesin të drejtën themelore të qytetarëve për informim duke publikuar pasqyrat dhe planet buxhetore vjetore. Planet Buxhetore shpesh janë tepër komplekse në shumë aspekte; këto dokumente janë shkruar për përdorim të brendshëm, duke përdorur terma teknike të pakuptueshme nga publiku i gjerë. Nëse ata nuk mund të kuptojnë se çfarë u është paraqitur, ata nuk mund të bëjnë pyetje në lidhje me të. Njerëzit janë, në fakt, të paaftë për të kërkuar llogaridhënie nga pushtetarët, të paaftë për të sugjeruar se kush është më e mirë për ta e si rrjedhim të paaftë për të qënë pjesë integrale e këtij sistemi. Buxheti i Qytetarit për transparencë dhe llogaridhënie në rritje në Bashkinë Lezhë Page 8 Në këtë aspekt format e të ardhurave dhe shpenzimeve nuk duhet të paraqiten vetëm me tabela numerike, por duhet të marrin trajta të thjeshta dhe të kuptueshme nga të gjitha shtresat e njerëzve, në mënyrë që ata të kuptojnë pozicionin dhe rolin e tyre në këtë strukturë. Pikërisht këtë problematikë adreson Buxheti i Qytetarit, pasqyrimin në formë të thjeshtëzuar të buxhetit të një vendi. Kush përfiton nga Buxheti i Qytetarit? Sigurisht që përfituesit kryesorë janë direkt qytetarët, duke qënë se Buxheti i Qytetarëve synon të rrisë kapacitetin e qytetarëve për të marrë pjesë në proçese qeverisëse. Megjithatë edhe vetë Qeveritë përfitojnë nga Buxheti i Qytetarëve. Gatishmëria e qeverisë për të përfshirë sa më shumë qytetarët dhe për ti bërë pjesë në proçese sa më transparente çon në rritjen e imazhit dhe legjitimitetit të Qeverisë në opinionin publik. Buxheti i Qytetarit nuk shërben vetëm si një mjet llogaridhënie por gjithashtu ai luan edhe një rol edukativ. Ai mund të jetë një mjet për të shpjeguar se si Buxheti është formuluar, miratuar dhe zbatuar, dhe cili institucion është përgjegjës në çdo fazë. Përmes Buxhetit të Qytetarit një qeveri mund të qartësojë se cili nivel (Kombëtar, Shtetëror apo Vendor) është përgjegjës për kryerjen e funksioneve të ndryshme qeveritare dhe ofrimin e shërbimeve. Ky informacion mund të lehtësojë punën e qeverisë duke minimizuar pyetjet ose kërkesat për informacion.
MANUALI I QYTETARIT – TRANSPARENCË NË RRITJE DHE PJESËMARRJE AKTIVE NË BASHKINË LEZHË