Rritja e eficiencës në përdorimin e burimeve njerëzore në kontekstin e ofrimit të shërbimeve publike vijon të mbetet një sfidë për t’u adresuar nga të gjitha vendet. Kjo sfidë bëhet edhe më e rëndësishme sidomos në vendet në zhvillim ku burimet financiare janë të kufizuara dhe për rrjedhojë nuk arrihet të përmbushen nevojat për shërbime publike qoftë në nivel qendror ashtu dhe në atë vendor. Në këtë kontekst, Shqipëria, si një vend në zhvillim, ka ndërmarrë një sërë reformash që kanë synuar rritjen e efiçencës në ofrimin e shërbimeve publike, ku spikat reforma administrative territoriale e vitit 2015 e cila kulmoi me një tkurrje të ndjeshme të numrit të njësive të vetë-qeverisjes vendore nga 373 në 61 bashki të reja. Analiza e mëposhtme do të fokusohet pikërisht në krahasimin e shpërndarjes së burimeve njerëzore dhe kostove përkatëse midis 61 bashkive duke sugjeruar disa rekomandime paraprake për të përmirësuar kuadrin rregullues dhe administrativ përkatës.
Raport: “Një analizë mbi numrin e të punësuarve dhe shpenzimet e personelit në 61 bashki”.